KUSH ËSHTË LI SHANGFU? | MINISTRI KINEZ I MBROJTJES.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Aug 29, 2023
- 4 min read

Nga z. Federiko Xhiuliani (Federico Giuliani). Pekin, Kinë | Z. Li Shangfu është Ministër i Mbrojtjes i Republikës Popullore të Kinës. Në shkurt të vitit 2023, pas riorganizimit të lidershipit, që u bë në lidhje me Kongresin XX, të Partisë Komuniste të Kinës, ai mori postin kryesor, duke zëvendësuar z. Uei Fenge (Wei Fenghe) në largim. Një inxhinier i hapësirës ajrore, dhe gjeneral i Ushtrisë Çlirimtare Popullore (UÇP), z. Li kaloi 31 vjet duke punuar në Qendrën e Nisjes Satelitore Xichang, duke përfshirë dhjetë vjet si drejtor. Më vonë ai shërbeu si shef i departamentit të zhvillimit të pajisjeve të Komisionit Qendror Ushtarak nga viti 2017 deri në 2022. Promovimi i tij në rolin e ministrit pasqyron zhvillimin e paprecedentë të ndërmarrjes hapësinore të Kinës, të konsoliduar dhe përshpejtuar që kur presidenti Shi Xhinping (Xi Jinping) mori pushtetin në 2012, dhe gjithashtu nënvizon se në sfondin e konkurrencës teknologjike gjithnjë e më intensive Kinë-SHBA, Pekini do të vazhdojë t'i japë përparësi hapësirës ajrore në axhendën e modernizimit të mbrojtjes. Madje (dhe veçanërisht) gjatë mandatit të tretë të z. Shi (Xi). EDUKIMI I LI. Z. Li Shangfu ka lindur në shkurt 1958, dhe është me origjinë nga Xingguo, Provinca Jiangxi, Kinë. Ai është djali i z. Li Shaozhu, jo emër do si kudo, por një veteran i ushtrisë kineze, ish-zëvendës komandant i trupave hekurudhore të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit, pasi ka luftuar si në luftën civile kineze, ashtu edhe në atë anti-japoneze. Babai i z. Li i mbijetoi Marshit të Gjatë, dhe më vonë luftoi në Luftën Koreane. Nga viti 1978 deri në 1982, ai ndoqi Universitetin Kombëtar të Teknologjisë së Mbrojtjes të UÇP-së në Çangsha (Changsha), kryeqyteti i provincës Hunan, dhe iu bashkua ushtrisë në vitin 1982. Pas diplomimit, ai filloi të punojë si specialist teknik në Kozmodromin Xichang, në Sichuanin jugperëndimor. Në vitin 1980 ai u bashkua me Partinë Komuniste të Kinës. Ai gjithashtu mban një doktoraturë inxhinierike në teorinë e kontrollit dhe inxhinierinë e kontrollit nga Universiteti Çongçing. AKTIVITETI NË HAPËSIRË. Pjesa më e madhe e karrierës së z. Li Shangfu është e lidhur me hapësirën. Ai shërbeu në Kozmodromin Xichang për 31 vjet, kohë gjatë së cilës u bë drejtor, në vitin 2003, në moshën 45-vjeçare dhe u gradua gjeneral-major në vitin 2006. Gjatë drejtimit të tij, porti hapësinor Xichang mori pjesë në testet e armëve kundër satelitore në vitin 2007. Me atë rast, një lëshues celular lëshoi një raketë që goditi një satelit kinez të motit në orbitë. Nga i njëjti vend, ai mbikëqyri disa lëshime, duke përfshirë misionin autonom hënor Chang. Me mbylljen e kapitullit Xichang, z. Li u emërua shef i shtabit të departamentit të përgjithshëm të armatimeve të UÇP, në vitin 2013, duke zëvendësuar gjeneralmajorin Shang Hong, dhe për këtë arsye përgjegjës për ri-pajisjen teknike të forcave të armatosura, dhe zhvillimin e pajisjeve dhe të armëve të reja. Një vit më vonë, ai u emërua zëvendësdrejtor i të njëjtit Gad. NGRITJA E MINISTRIT. Karriera e z. Li në thelb nuk u ndal kurrë. Në vitin 2016, ai u emërua zëvendës komandant, dhe shef i shtabit të Forcave Mbështetëse Strategjike të UÇP, të krijuar pas një reforme ushtarake të vitit 2015. Kini parasysh rolin e tyre: kjo degë e veçantë e ushtrisë kineze u krijua nga Pekini, në vitin 2015, në një përpjekje për të ristrukturuar menaxhimin, për t'u fokusuar në luftën në hapësirë, teknologjinë e informacionit, politikën dhe elektronikën. Në shtator 2017, z. Li u emërua kreu i Byrosë së Zhvillimit të Armatimeve të Këshillit Qendror Ushtarak të Republikës Popullore të Kinës. Më në fund, në tetor 2017, ai u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës, dhe u gradua në gradën e gjeneralit në vitin 2019. Në tetor 2022, ai u zgjodh anëtar i Komisionit Qendror Ushtarak, ndërsa një vit më vonë, u emërua këshilltar shtetëror, dhe ministër i Mbrojtjes Kombëtare. SANKSIONET E SHBA-së. Z. Li Shangfu është një subjekt i përgjithshëm i sanksioneve të SHBA-së, dhe kjo përveç pasojave të tjera, ka krijuar një pengesë të madhe për dialogun ushtarak midis Kinës, dhe Shteteve të Bashkuara, për më tepër në një kohë tensioni maksimal ndërkombëtar. Për shkak të bashkëpunimit ushtarak me Rusinë, Thesari i SHBA vendosi sanksione ndaj Departamentit të Përgjithshëm të Armatimeve të UÇP, dhe kreut të saj të atëhershëm, Z. Li në 2018. Sipas qeverisë amerikane, z. Li Shangfu u gjobit në shtator të vitit 2018, për miratimin e blerjes nga Kina, të sistemeve raketore anti-ajrore ruse S-400, dhe 10 avionëve luftarakë Su-35, nga shitësi rus i armëve Rosoboronexport. Në veçanti, ministrit aktual kinez i ndalohet të përdorë shërbimet e sistemit financiar amerikan, dhe të vizitojë Shtetet e Bashkuara. Sipas disa ekspertëve, zgjedhja e Pekinit për t'u fokusuar te z. Li tregon se Kina synon të menaxhojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara sipas një kriteri të stabilitetit, dhe ato me Rusinë në solidaritet të plotë. Siç shkroi enti mediatik Diplomati (The Diplomat), gjenerali Li Shangfu mishëron cilësitë që presidenti Shin Xhinping (Xi Jinping) kërkoi në profilin e një kuadri ideal: të jesh “i kuq dhe profesionist”. Në gjuhën ushtarake kineze, kjo do të thotë që njeriu duhet të tregojë besnikëri të palëkundur ndaj kauzës komuniste (gjithashtu ndaj origjinës së familjes), dhe të ketë aftësi të larta teknike. Dy cilësi që zotëron ministri. Kredencialet si “ekspert i hapësirës ajrore”, i japin z. Li gjithashtu fuqinë për të shtyrë axhendën e modernizimit teknologjik të ushtrisë, një shenjë dalluese e “mendimit të fortë ushtarak”, të presidentit kinez. Në muajt e fundit, ministri ka fluturuar në Rusi për një udhëtim diplomatik katër-ditor. Zyrtari i lartë kinez, i cili takoi homologun e tij rus, Sergei Shoigu, dhe presidentin rus Vladimir Putin, në Kremlin, përsëriti lidhjet e forta me Moskën, dhe i shpjegoi presidentit rus, se, besimi - një term i përdorur disa herë - midis forcave të armatosura ruse, dhe atyre kineze, po konsolidohet gjithnjë e më shumë, ndërkohë, që bashkëpunimi mes dy vendeve ka dhënë rezultate të frytshme. Z. Li ishte gjithashtu i pranishëm në Singapor, me rastin e Dialogut Shangri-La, ku bëri komente publike, duke shpjeguar se çdo luftë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara do të ishte një fatkeqësi e padurueshme për të gjithë botën. Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Comments