KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË MIRATOI DISA PROJEKTLIGJE TË RËNDËSISHME.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Dec 13, 2024
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi disa projektligje të rëndësishme, ndër të cilat, edhe rritjen e kuotës së Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Për këtë projektligj votuan pro 70 deputetë. Me miratimin e këtij projektligji, Shqipëria rrit kuotat në masën 87 milionë euro duke zotëruar kuota në nivelin e 261 milionë eurove në FMN.
Me 71 vota pro deputetët miratuan projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali bëri të ditur se presidenti Begaj ka dhënë pëlqimin për hyrjen e menjëhershme në fuqi të këtij projektligji.
Gjatë prezantimit të marrëveshjes ndryshuese me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur se Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të pajiset me angiografi biplanare, që përdoret për të trajtuar goditjet në tru, trombozat apo incidente të tjera kardiovaskulare.
Kuvendi miratoi me 71 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë, për bashkëpunimin në mbrojtje ndaj katastrofave natyrore dhe të tjera”.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu u shpreh se marrëveshja synon forcimin e kapaciteteve në përballimin e emergjencave natyrore.
Kuvendi miratoi me 69 vota pro edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.90/2021, “Për ndarjen e shoqërisë “Hekurudha Shqiptare, sh.a.””.
Në vijim deputetët miratuan me 69 vota pro projektvendimin “Për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve administrativë pas mbarimit të mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”.
Ndërsa me vota 69 pro në seancë u miratua projektvendimi “Për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve administrativë pas mbarimit të mandatit të Komisionerëve Publikë”.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments