
Tiranë, Shqipëri | Ky është automjeti tip “Mercedes Benz”, i dyshuar si i përdorur në vendin e vrasjes së z. Fatbardh Lici (në Kiras, Shkodër), më 10 gusht të vitit 2018.
Sipas akteve proceduriale penale të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dyshohet se automjeti drejtohej nga znjsh. Eria Ago, e cila, ishte në lidhje sentimentale me z. Safet Bajri.
Znjsh. Ago akuzohet se ka marrë me automjet dhe ka tranportuar për në Tiranë z. Astmer Bilali.
Ndërsa z. Safet Bajri ka qëndruar në Shkodër.
“Vrasja e shtetasit Fatbardh Lici ka ndodhur rreth orës 07:00 dhe biseda zhvillohet 20 minuta pas vrasjes, kohë në të cilën rezulton se mjeti tip ‘Benz’ me targë AA 989 TE, që shfaqet në vendin e ngjarjes, po drejtohej nga shtetasja E.A.
Nga kjo telefonatë kuptohet që shtetasi Astmer Bilali është nën shoqërinë e shtetasit Safet Rustemi dhe bisedon me të dashurën e Safetit.
Nga kjo telefonatë kuptohet gjithashtu që personat nën hetim janë në shoqërinë e njëri-tjetrit, dhe se mjeti tjetër përdoret nga E…”, thuhet në aktet proceduriale penale të dosjes penale që lidhet me vrasjen e z. Lici.
“Pasi personat kanë kryer vrasjen, personi nën hetim Safet Rustemi ka qëndruar në Shkodër, ndërsa personi në hetim Astmer Bilali është larguar menjëherë për në Tiranë së bashku me shtetasen E.A.
Pasi ka arritur në Tiranë, ai i ka kërkuar rojes së parkimit në zonën e ish-kinema ‘Partizani’ dhe ka komunikuar me shtetasin Denis Brajoviq, ku i ka bërë me dije se automjetin ia ka lënë dyshohet tek shtetasi Pëllumb Gjoka.
Ai ka komunikuar edhe me personin nën hetim Behar Bajri, të cilit i ka kërkuar që të zbriste dhe t’i linte çelësat. Më pas ai është larguar në drejtim të Vlorës.
Këto rrethana rezultojnë të provuara nga komunikimet e shumta telefonike të kryera ndërmjet personave nën hetim, si dhe nga komunikimet e kryera nga personi nën hetim Astmer Bilali me shtetasen E.A., si dhe nga tabulatet telefonike, pamjet filmike dhe vendndodhjet e personave nën hetim” thuhet atje.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit


Comments