KËRKIM SHKENCOR JAPONEZ: NJË ILAÇ KUNDËR PLAKJES ME MË PAK EFEKTE ANËSORE FUNKSIONON TE MINJTË.
- Agjencia Telegrafike Vox
- May 30, 2024
- 2 min read
Tokio, Japoni | Një ilaç i ri kundër plakjes është dëshmuar efektiv te minjtë, i cili ka më pak efekte anësore se ato konvencionale dhe që bllokon një proteinë kyçe në transportin e glukozës në trup.
Rezultatet janë botuara në revistën Neçër Eixhing (Nature Aging), tregojnë se trajtimi është i aftë për të luftuar patologjitë që lidhen me plakjen, si diabeti dhe ateroskleroza, dhe për të zgjatur jetëgjatësinë.
Sipas studiuesve nga Universiteti Juntendo i Japonisë - që kreu studimin - ilaçi mund të përdoret në të ardhmen edhe për sëmundjet neurodegjenerative si sëmundja e Alzheimerit.
Plakja e qelizave - e njohur si “plakja qelizore” - është një proces në të cilin qelizat ndalojnë së ndari, por nuk vdesin, dhe, duke u grumbulluar, kontribuojnë në shfaqjen e sëmundjeve të lidhura me moshën.
Prandaj, eliminimi i këtyre qelizave është qëllimi i shumë trajtimeve kundër plakjes, të cilat, megjithatë zakonisht shoqërohen me efekte anësore serioze, madje edhe në afat të gjatë.
Për të zgjidhur problemin, studiuesit e koordinuar nga z. Tohru Minamino kryen një sërë eksperimentesh për të kuptuar potencialin dhe mekanizmin e veprimit të canagliflozin-ës, një molekulë e përdorur tashmë për trajtimin e diabetit të tipit 2, e cila, redukton nivelet e glukozës në gjak, duke frenuar një nga transportuesit kryesorë të saj.
Autorët e studimit, pas administrimit të kanagliflozinës tek minjtë obezë, vunë re një përmirësim të dukshëm në metabolizmin e glukozës, një reduktim të inflamacionit të pranishëm në indin dhjamor, dhe gjithashtu një reduktim të ndjeshëm të qelizave të plakura, rezultate të shoqëruara me shumë më pak efekte anësore sesa me ilaçet e tjera.
“Në këtë studim ne demonstruam një përmirësim kundër diabetit, aterosklerozës, plakjes së parakohshme dhe dobësisë - tha z. Minamino - si dhe një zgjatje të jetëgjatësisë në përgjigje të frenimit të transportuesit të glukozës SGLT2.”
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit