MBI 180 MIJË BANESA TË ZBRAZËTA NË KOSOVË | ÇMIMI PËR METËR KATËROR FILLON NGA 800 € DHE SHKON GJER NË 2500 €: KOSOVA KA RRETH 590 MIJË BANESA.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Apr 6
- 4 min read

Prishtinë, Republika e Kosovës | “Kosova po ndërtohet me ritme të shpejta, por pas këtij bumi fshihet edhe një paradoks: mijëra banesa mbeten bosh.
Investimet nga mërgata e kanë gjallëruar tregun e patundshmërive, por, me sa duket pa ndikim në ekonomi.
Për 13 vjet (nga viti 2011 deri në vitin 2024) numri i banesave dhe shtëpive në Kosovë është rritur për 43%”, raporton enti mediatik “Radio Evropa e Lirë”.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se vendi me rreth 1.6 milion banorë ka 590 mijë banesa apo shtëpi të banueshme.
Kjo do të thotë se, mesatarisht një në tre banorë ka shtëpi.
Të dhënat e dala nga regjistrimi i popullsisë, vitin e kaluar, tregojnë po ashtu se mbi 96% e familjeve janë pronare të shtëpive ku jetojnë.
Vëzhguesit e këtij trendi thonë se mentaliteti i qytetarëve është që investimi në objekte banimi, siguron zgjidhje afatgjate për mirëqenien e familjes.
“Kohëve të fundit, çiftet e reja e sigurojnë banesën e tyre edhe më herët dhe numri i anëtarëve në familje është më i vogël se në të kaluarën”, tha z. Naser Kabashi, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, për entin mediatik “Radio Evropa e Lirë”.
Por, një shifër që ai e konsideron shqetësuese, është ajo e banesave të zbrazëta.
Sipas ASK-së, në Kosovë janë mbi 182 mijë të tilla, që përfshijnë banesat ende në ndërtim, të blera dhe të destinuara për shitje.
Përfaqësues të agjencive të patundshmërive dhe pronarë të kompanive ndërtuese thonë se një përqindje e madhe e banesave të pabanuara, janë pronë e mërgatës.
Këto pohime mbështeten edhe nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas të cilave, mërgata zë vendin e parë sa u përket investimeve të huaja që bëhen kryesisht në patundshmëri.
Nga mbi 856 milionë euro investime të huaja vitin e kaluar, mbi 647 milionë u investuan në sektorin e patundshmërisë.
Për z. Kabashi, banesat e blera kryesisht nga mërgata janë një pasuri e vdekur e pashfrytëzuar, e cila, nuk sjell asnjë rezultat në zhvillimin ekonomik.
Me të pajtohet edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, i cili, thotë se investimet e tilla e ndihmojnë sektorin e ndërtimit, por shton se, kur këto prona mbeten të pashfrytëzuara për pjesën më të madhe të vitit, ato nuk japin ndonjë kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik.
“Është mirë që diaspora ka blerë shtëpi e banesa, por si investim nuk është i orientuar siç duhet”, tha z. Rafuna për entin mediatik “Radio Evropa e Lirë”.
Ai shton se, sikur këto mjete të investoheshin në industrinë e prodhimit, përfitues do të ishin edhe vetë blerësit, por edhe qytetarët e tjerë të vendit.
“Nëse do të rritej prodhimi, mërgimtarët do të përfitonin nga dividendi (v.j. shpërndarja e fitimeve nga një korporatë për aksionarët e saj)”, tha z. Rafuna.
“Kosova, pastaj, do t’i zgjeronte kapacitetet prodhuese, do të rriste eksportin dhe do të ulte importin. Në këtë mënyrë, do të përmirësohej mirëqenia sociale dhe do të ulej shkalla e papunësisë”, tha kryetari i OEK-ut.
Shkalla e papunësisë në Kosovë është mbi 10%, kurse në mesin e të rinjve nga 15 deri në 24 vjeç është gati 20%.
Kosova mbetet skajshmërisht e varur nga importi i mallrave, por edhe nga remitencat, vlera e të cilave arrin në mbi 1 miliard euro në vit.
Sa kushtojnë banesat?
Çmimet e banesave në Kosovë filluan të rriten në vitin 2021, si pasojë e çrregullimeve në tregjet ndërkombëtare që i shkaktoi pandemia COVID-19.
Ky trend vazhdoi edhe gjatë vitit 2022, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Me rritjen e çmimeve të materialeve ndërtimore, banesat u shtrenjtuan mbi 20 për qind.
Z. Burim Halili, pronar i një agjencie të patundshmërisë në Prishtinë, tregon se çmimi i një metri katror të banesave në Prishtinë, aktualisht, sillet nga 1000 deri në 2500 euro - varësisht nga lagjja dhe kompania ndërtuese.
Në komunat më të vogla, ndërkaq, arrin deri në 800 euro. “Fatkeqësisht, nuk kemi ulje të çmimeve. Përkundrazi, kemi ngritje çdo ditë”, tha z. Halili.
Enti mediatik “Radio Evropa e Lirë” ka sjellë disa herë rrëfime të qytetarëve që nuk mund ta përballojnë blerjen e një banese në komunën ku jetojnë.
Z. Brahim Selimaj, nga Shoqata e Ndërtueseve të Kosovës, pret që çmimet të nisin të bien, meqë, siç thotë, edhe ndërtimet janë në rënie e sipër.
“Po shkohet në atë drejtim që çmimi të jetë sa më i vogël për shitje, për shkak të mungesës së kërkesës. Kërkesa për blerje është në rënie dhe ndërtuesi nuk ka zgjidhje tjetër pos ta zbresë çmimin”, tha z. Selimaj, i cili, është edhe pronar i një kompanie ndërtimore.
Të dhënat e ASK-së tregojnë, po ashtu, për më pak shitje të banesave.
Sipas Indeksit të Çmimeve të Pronës Banesore, në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 janë shitur vetëm 1628 banesa në të gjithë Kosovën.
Ky numër ishte dukshëm më i ulët krahasuar me 4967 sa ishin shitur gjatë gjithë vitit 2022 dhe 6.561 në vitin 2021.
Komuna e goditur më së keqi ishte ajo e Gjilanit me mbi 90 mijë banorë, ku në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 ishin shitur vetëm gjashtë banesa.
Për gjysmën e dytë të vitit 2023 dhe për vitin 2024, ASK-ja nuk dha shifra për numrin e banesave të shitura, pavarësisht interesimit të entit mediatik “Radio Evropa e Lirë”.
Në Kosovë, paga mesatare është rreth 570 euro në muaj. Të dhënat e ASK-së tregojnë se pjesa më e madhe e buxhetit familjar në vend ndahet për blerjen e artikujve ushqimorë.
Madje, pjesa më e madhe e ekonomive familjare e kanë problem të përballojnë ndonjë shpenzim të papritur mbi 200 euro.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentarios