Kopenhagen, Danimarkë | Mbreti Frederiku i Danimarkës përuroi vitin 2025 me një risi të rëndësishme: një modifikim të stemës mbretërore që duket se është një përgjigje ndaj ambicieve të presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Danlld Tramp (Donald Trump), për të blerë Grenlandën, ishull që gjendet në Oqeanin Atlantik dhe Arktik dhe territor autonom nën sovranitetin danez.
Ndryshimi më i dukshëm është heqja e tre kurorave nordike, simbol i Unionit të lashtë Kalmar që bashkoi Danimarkën, Norvegjinë dhe Suedinë në Mesjetë: në vend të tyre, rëndësi më e madhe u jepet simboleve të Grenlandës dhe Ishujve Faroe, të përfaqësuara përkatësisht nga një ari polar dhe një dash.
“Ky ndryshim demonstron rëndësinë strategjike dhe kulturore të Grenlandës dhe Ishujve Faroe brenda Mbretërisë së Danimarkës”, shpjegon z. Lars Hovbakke Sorensen, historian dhe ekspert i heraldikës mbretërore.
Sipas z. Sorensen, ndryshimi ndjek një traditë të gjatë: çdo regjent i ri rinovon stemën e tij ose të saj për të pasqyruar prioritetet e mbretërisë.
Megjithatë, koha dhe përmbajtja e ndryshimit marrin një rëndësi të veçantë, veçanërisht në dritën e deklaratave të fundit të presidentit të zgjedhur Danlld Tramp (Donald Trump).
Stema e re, në fakt, u prezantua në një kohë kur Groenlanda është në qendër të interesit gjeopolitik ndërkombëtar.
Gjatë mandatit të tij të parë presidencial, z. Tramp tronditi botën duke njoftuar synimin e tij për të blerë ishullin, një propozim i refuzuar me vendosmëri nga kryeministrja daneze Mette Frederiksen.
Pavarësisht kësaj, z. Tramp së fundmi përsëriti dëshirën e tij, duke e quajtur kontrollin e Grenlandës një domosdoshmëri absolute.
Ky interes i rinovuar përkon me përfshirjen në rritje të Kinës dhe Rusisë në rajonin e Arktikut, gjë që ka konsoliduar rëndësinë strategjike të Grenlandës për Mbretërinë e Danimarkës.
“Ndryshimi i stemës nuk është i rastësishëm”, theksoi z. Sorensen. “Është një sinjal i fortë që Groenlanda dhe Ishujt Faroe mbeten pjesë të integruara dhe themelore të mbretërisë daneze, pavarësisht presioneve të jashtme”, tha ai.
Rinovimi i stemës duket se synon gjithashtu një audiencë vendase. Në Grenlandë, në fakt, thirrjet për pavarësi janë në rritje.
Eksperti Sebastian Olden-Jorgensen e interpreton ndryshimin si mbështetje të qartë për politikën daneze për ruajtjen e unitetit të mbretërisë.
Në të njëjtën kohë, heqja e tre kurorave nordike, të lidhura historikisht me pretendimet për dominim rajonal, përfaqëson një distancim simbolik nga ambiciet e së kaluarës.
“Sot, bashkëpunimi nordik është më i fortë se kurrë, por të tre kurorat kanë humbur kuptimin e tyre original”, shpjegoi z. Sorensen.
Me pak fjalë, stema e re mbretërore nuk është vetëm një simbol, por edhe një deklaratë politike në një epokë të tensioneve gjeopolitike në rritje.
Stema e re, me simbolet e saj të modernizuara dhe mesazhin e unitetit, mund të provojë të jetë një lëvizje strategjike për të përballuar sfidat e ardhshme dhe për të riafirmuar rolin qendror të Danimarkës në Arktik dhe më gjerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments