
Tiranë, Shqipëri | Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë Pirro Vengu, ai i Republikës së Kroacisë Ivan Anushi (Anušić) dhe homologu i Republikës së Kosovës Ejup Maqedonci kanë nënshkruar sot në Tiranë një marrëveshje tripalëshe ushtarake që synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tre vendeve dhe njëkohësisht të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes por edhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta.
“Kemi një vlerësim të përbashkët të kërcënimeve në një mjedis sigurie të brishtë. Në këtë kontekst, angazhimi ynë për zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, është më i fortë se kurrë”, tha ministri Vengu.
Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kroacisë do të punojnë ngushtësisht për unifikimin e qëndrimeve politike në mbështetje të aspiratave të qytetarëve të Kosovës për integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike.
Ministrat Anushi (Anušić) dhe Maqedonci e vlerësuan këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve në përballimin e rreziqeve dhe sfidave të përbashkëta.
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci tha gjatë konferencës për shtyp se kjo marrëveshje është finalizim i përpjekjes një vjeçare që çoi në prodhimin e një deklarate tripalëshe që i hap rrugë bashkëpunimit mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.
“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është një kërcënim ndaj askujt, por është një mesazh për të gjithë ata që kërcënojnë sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, mes vendeve tona që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta. Ne jemi bashkuar për t’u përballur me çdo kërcënim dhe rrezik që synon destabilizimin e rajonit”, tha ministri Maqedonsi.
“Rëndësia e këtij bashkëpunimi shtrihet edhe në rrafshe të tjera, veçanërisht në aspektin e industrisë së mbrojtjes, trajnimit, edukimit të personelit ushtarak, ndërsa adreson edhe çështjen e mbështetjes së dy vendeve për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, shtoi ministri Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës Ejup Maqedonsi deklaroi se: “ky dokument hap rrugë edhe për bashkëpunime të ndryshme, në fusha të ndryshme, për t’u përballur me kërcënimet moderne siç janë ato hibride”.
“E vlerësoj këtë marrëveshje si një angazhim të përbashkët, që ndodh jo shpesh në rajon. Kemi një deklaratë ndër të parat që është bërë në fushën trilaterale dhe që hap rrugë për vende të tjera që t’i bashkëngjiten kësaj nisme për paqe, stabilitet dhe më shumë siguri”, tha ministri Maqedonci.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments