MINISTRI I DREJTËSISË I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË ULSI MANJA PRITI SOT KRYEPROKUROREN E PROKURORISË FEDERALE TË MBRETËRISË SË BELGJIKËS.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Nov 7, 2024
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Ministri i Drejtësisë, i Republikës së Shqipërisë, Ulsi Manja, priti sot kryeprokuroren e Prokurorisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, për të forcuar bashkëpunimin institucional në luftën kundër krimit të organizuar.
Ministri i Drejtësisë, i Republikës së Shqipërisë, përmes rrjeteve sociale virtuale, ndau detaje rreth takimit të tij me kryeprokuroren Ann Fransen, dhe delegacionin e prokurorëve dhe magjistratëve belgë që vizituan Republikën e Shqipërisë.
Manja vlerësoi bashkëpunimin e fortë mes dy qeverive, ministrive dhe agjencive të zbatimit të ligjit për intensifikimin e përpjekjeve kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
“Diskutuam për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy qeverive tona, ministrive dhe agjencive të zbatimit të ligjit për të forcuar përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme”, shkruan ministri Manja.
Ai nënvizoi vlerësimet e larta të delegacionit belg për profesionalizmin dhe integritetin e punonjësve të SPAK-ut në luftën kundër krimit dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme.
Ai e siguroi kryeprokuroren Fransen për përkushtimin e Republikës së Shqipërisë për ofrimin e ndihmës juridike reciproke dhe mbështetjen e hetimeve penale.
“Si ish-prokuror dhe ministër i Drejtësisë, ishte kënaqësi të dëgjoja nga miqtë belgë vlerësimin më të lartë për profesionalizmin, integritetin dhe punën e kolegëve të tyre në SPAK, në luftën kundër krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme.
E sigurova Znj. Fransen për përkushtimin tonë të palëkundur në ofrimin e ndihmës juridike reciproke dhe mbështetjen e hetimeve penale.
Shqipëria mbetet e angazhuar për një sistem drejtësie të fortë dhe për një shoqëri më të sigurt, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ministri Manja.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments