MINISTRI I JASHTËM KINEZ VIKTIMË E ARBITRARITETIT SHTETËROR.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Aug 29, 2023
- 3 min read
Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang në Pekin më 7 mars 2023. (Thomas Peter, Reuters/Contrasto).

Nga z. Pier Haski (Pierre Haski). Paris, Francë | Në cilin vend mund të zhduket një ministër i Jashtëm pa pyetur askush se çfarë ka ndodhur? Dikush do të mendonte për regjimet diktatoriale si Koreja e Veriut e dinastisë Kim, apo Siria e klanit Asad. Por, asnjëherë për fuqinë e dytë ekonomike dhe ushtarake të botës, me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila, e paraqet botës modelin e saj politik dhe social si një alternativë ndaj Perëndimit, që konsiderohet në rënie. E kam fjalën për Kinën e z. Shi Xhinping (Xi Jinping), ku po zhvillohet një eklips i kohërave të tjera, të epokës së spastrimeve, në të cilat liderët u zhdukën nga fotot me timonierin e madh Mao Ce Dun, të fshira “me dorë”, para Photoshop-it. Që nga 25 qershori, askush nuk e ka parë ministrin e Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës, Çin Gang. Në ditët e para, kur kreu i ri i diplomacisë në detyrë për vetëm gjashtë muaj nuk ishte aty ku duhej të ishte, zëdhënësit thanë se ai ishte i sëmurë. MESAZHE SIBILINIKE. Ne menduam për Kovidin (Covid), gjë që ishte e besueshme. Pastaj shpjegimet e turpshme ia lanë vendin heshtjes - dhe thashethemeve. Më i trumbetuari është ai i një lidhjeje jashtëmartesore me një gazetare të njohur të entit mediatik Phoenix TV, në Hong Kong, me të cilën, dyshohet se kishte një fëmijë. Mungon edhe gazetarja; një nga mesazhet e saj të fundit në rrjetet sociale i ngjan një rebusi, me tre foto, të bëra në bordin e një avioni privat midis Los Anxhelosit dhe Pekinit, me një të porsalindur në krahë dhe një mesazh sibilinë. Thashetheme të tjera, shtojnë rrugën e spiunazhit, për t'i dhënë shije intrigës së dashurisë. Por, askush nuk e di vërtet se çfarë është. Për të siguruar vazhdimësinë e diplomacisë kineze, ish-ministri Uang Ji (Wang Yi), i pranuar në këshillin shtetëror, ka rifilluar udhëtimin në Azinë Qendrore dhe Afrikë, për të zëvendësuar z. Çin Gang. Pa shpjegime. NUK DUHET TË JESH DISIDENT POLITIK PËR T’U SULMUAR NGA PARTIA. Këto peripeci në krye të Partisë Komuniste, dhe shtetit në Pekin, nuk do të kishin rëndësi, nëse nuk do të zbulonin një të metë të modelit kinez: mungesën e shtetit ligjor. Edhe nëse z. Çin Gang është minister, dhe më parë ka qenë ambasador në Uashington - roli mbizotërues i diplomacisë kineze - nuk e mbron atë nga një “zhdukje” pa apel, në drejtësinë paralele të partisë. Dhe nuk është i vetmi. Vitet e fundit, ylli i filmit, z. Fan Bingbing ishte “zhdukur” në mënyrë të ngjashme në një rast evazioni fiskal; Tenistja Peng Shuai ishte “zhdukur” pasi kishte raportuar një rast ngacmimi, me rëndësi të madhe politike. Të njëjtin fat pati edhe i famshmi z. Xhek Ma (Jack Ma), themeluesi i platformës së tregtimit online Alibaba, dhe dikur njeriu më i pasur në Azi. “Zhdukja” e z. Ma përkoi me një fjalim, në të cilin ai guxoi të kritikonte sektorin bankar të Kinës, një lëvizje e guximshme, për sipërmarrësin kryesor privat, që guxoi ta fuste atë në një sektor ende të kontrolluar nga shteti. Për një kohë, z. Ma u strehua në Tokio, të paktën derisa qeveria e Pekinit vendosi të qetësonte tensionet me gjigantët e teknologjisë, në një përpjekje, për të ringjallur një ekonomi të plogësht. Këto raste tregojnë se për të vuajtur sulmet e partisë, nuk është e nevojshme të jesh disident politik, si avokati Shu Zhijong (Xu Zhiyong), i dënuar së fundmi me 14 vjet burg, për akuzat e “përmbysjes”. Një ministër, një yll filmi, një teniste, një miliarder teknologjik. Pa avokatë, pa mundësi ankimimi, pa diskutime publike apo mundësi seancë. Kjo, shpjegon rikthimin e një ndjenje të dukshme të pasigurisë, në klasën e mesme kineze, e cila, shpresonte për t'i dhënë fund arbitraritetit, ndërsa u largua nga periudha maoiste. Përkundrazi, z. Shi Xhinping (Xi Jinping) e ka përforcuar këtë klimë terrori, i bindur se fuqia e partisë duhet të mbetet totale, dhe e pakundërshtueshme. Një ditë ministri Çin Gang do të rishfaqet, sikur asgjë të mos kishte ndodhur; por kjo ndjenjë e pasigurisë është këtu për të qëndruar. Mungesa e shtetit ligjor është thembra e Akilit e “ëndrrës kineze”, të z. Shi Xhinping (Xi Jinping). Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Comments