MINISTRI PËR EVROPËN DHE PUNËT E JASHTME I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË IGLI HASANI MORI PJESË NË EDICIONIN E 61-të TË KONFERENCËS SË SIGURISË SË MYNIHUT.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Feb 16
- 2 min read

Mynih, Republika Federale e Gjermanisë | Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë në Edicionin e 61-të të Konferencës së Sigurisë së Mynihut (MSC 2025), i cili, është një nga forumet më prestigjioze ndërkombëtare për çështjet e sigurisë dhe politikës globale.
Ministri Hasani zhvilloi një sërë takimesh të frytshme e produktive në këtë konferencë, ku përfshihen shkëmbimet me zv/kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Jordanisë, Ayman Al-Safadi; ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, Abdullah Al-Yahya; ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla-Shwarz; senatoren amerikane, Elissa Slotkin; anëtarin e Komitetit të Sigurisë Kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar, Mike Martin; dhe nënkryetaren e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Finlandë, Tytti Tuppurainen.
Përgjatë çdo takimi ministri Hasani rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në forcimin e partneriteteve, sigurinë rajonale dhe mbështetjen ndaj sovranitetit të Ukrainës.
“Multilateralizmi është çelës në adresimin e kërcënimeve hibride dhe ndihmon njëkohësisht në avancimin e agjendës për paqe e siguri të qëndrueshme”, tha ministri Hasani.
Ministri Hasani ishte i ftuar nderi dhe një nga folësit kryesorë në tryezën e rrumbullakët mbi Taktikat e Zonës Gri në Kontinentin Evropian, të organizuar nga Kryetari i MSC 2025, ish-ambasadori Christoph Heusgen, me fokus diskutimin mbi sfidat e reja të sigurisë evropiane dhe rajonale.
“Lufta në Ukrainë, së bashku me rritjen e frekuencës së sulmeve kibernetike dhe hibride, e rrisin nevojën për një përgjigje më të fortë e më të bashkuar Evropiane.
Duke vepruar së bashku, ne mund të sigurojmë një të ardhme më të sigurt për Shqipërinë, për Ballkanin Perëndimor dhe për tërë rajonin Euro-Atlantik”, tha ministri Hasani.
Pjesëmarrja e ministrit Hasani në këtë forum të rëndësishëm nënvizon angazhimin e Shqipërisë për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbështetjen e paqes dhe stabilitetit botëror.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Commentaires