MISHI SINTETIK NUK EKZISTON (ENDE) POR PO VJEN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Feb 7, 2024
- 5 min read
Romë, Itali | Kështu thotë CEO i të vetmes kompani italiane në këtë sektor. Nëse investimet bien si shi, rezultatet janë ende shumë larg planeve.
Debati për mishin e kultivuar ose sintetik hyri me forcë në rrymën kryesore italiane kur Ministri i Bujqësisë Françesko Lolobrixhida (Francesco Lollobrigida) kërkoi dhe mori nga Parlamenti ndalimin e tij në territorin kombëtar.
Ishte masa e parë në botë në këtë kuptim.
Një zhurmë e mëtejshme u ngrit kur Komisioni Europian mbylli një procedurë për shkak se rregulli ishte shpallur para miratimit të tij, por ky akt, pak më shumë se burokratik, nuk ka asnjë ndikim në vlefshmërinë e masës.
I ashtuquajturi “Ligji Lollobrixhida”, megjithatë, është më shumë një gjest politik sesa një dispozitë efektive, sepse “mishi sintetik nuk ekziston, ose të paktën nuk ekziston siç i thonë mediat.”
Kështu thotë z. Stefano Latanxi (Lattanzi), CEO i të vetmes startup italiane që merret me kërkime në këtë fushë, BrunoCell, me qendër në Trento.
“Ekziston perceptimi se mishi sintetik tashmë është gati, i disponueshëm, por nuk është kështu - shpjegoi ai - ata që e tregtojnë e bëjnë këtë në një mënyrë jashtëzakonisht të kufizuar dhe ne jemi ende larg prodhimit masiv me kosto të përballueshme.”
Ndërsa sa i përket veprimtarisë së tyre “nuk ka pësuar asnjë ndryshim, duke qenë se ligji nuk e ndalon kërkimin.”
Ajo me të cilën po përballemi, të paktën për momentin, është një skenar skizofrenik: nga njëra anë investime me miliona dollarë nga Koreja në SHBA, nëpërmjet Izraelit dhe Holandës, nga ana tjetër një produkt i shijuar vetëm nga klientët e pasur amerikanë, sepse, është ende i shtrenjtë.
Në sfond, fakti që për të hedhur një kilogram viçi në pjatën tuaj, duhen 192 metra katrorë tokë, dhe 15 mijë litra ujë për të rritur 64 kilogramë grurë, duke emetuar 27 kilogramë CO2.
Mbarështimi i kafshëve vetëm për therje prodhon rreth 15% të CO2 të emetuar globalisht, siç raportohet nga të dhënat e FAO-s, duke cituar kërkime të ndryshme.
Gara për mishin sintetik synon të gjejë një sistem më të qëndrueshëm dhe human, të prodhojë të njëjtën përmbajtje proteinash, dhe të njëjtën shije, që përftohet sot, duke ushqyer miliarda bagëti, dhe më pas duke i therur dhe copëtuar ato në impiantet industriale, me shpenzime të mëdha të energjisë.
Duke kultivuar qelizat shtazore në një bioreaktor, me një përzierje lëndësh ushqyese, që riprodhojnë kushtet natyrore, qelizat shumohen me shpejtësi, dhe dhjetëmijë (10000) kilogramë mish mund të merren në vetëm pak javë, krahasuar me një vit e gjysmë që nevojitet për të rritur bagëtinë, në mënyrën tradicionale.
E gjithë kjo, pra, pa vrarë apo therur: një arritje për sa i përket mirëqenies së kafshëve. Është një biznes i madh.
HULUMTIMI DHE PARATË.
Ideja e mishit të rritur në laborator nuk është e re.
Në vitin 1931, z. Uinstoun Çërçill (Winston Churchill) shkroi: “Me një njohuri më të madhe të atyre që quhen hormone, domethënë lajmëtarëve kimikë në gjakun tonë, do të jetë e mundur të kontrollohet rritja. Ne do t'i shpëtojmë absurditetit të rritjes së një pule të tërë për të ngrënë gjoksin ose krahun e saj duke i rritur këto pjesë veç e veç nën një medium të përshtatshëm.”
Hamburgeri i parë sintetik është prodhuar në vitin 2013, në laboratorin e z. Mark Post, kardiolog dhe profesor i fiziologjisë vaskulare në Universitetin e Mastrihtit, me një përpjekje të konsiderueshme financiare: 250 mijë euro për 150 gram mish të grirë. Çmimi përfshin kostot e kërkimit, natyrisht.
Tani për tani, Good Meat dhe Upside Foods janë dy kompanitë e para të licencuara për të prodhuar dhe shitur pulë të rritur në laborator në Shtetet e Bashkuara.
E para do të shërbejë pulën e kompanisë në China Chilcano, një restorant në pronësi të një prej drejtorëve në Uashington DC.
Shefi Dominique Crenn do të ofrojë pulë të prodhuar nga Upside Foods në Bar Crenn në Shën Françesk (San Francisko).
Ato janë të dyja vende luksoze. Mishi i rritur në laborator kushton rreth 17 dollarë për paund, duke e bërë atë të papërballueshëm për shumicën e konsumatorëve.
Kompania mëmë e Good Meat, Eat Just, thotë se kompania po humbet në shitje për t'i lejuar njerëzit ta provojnë.
Z. Post më pas vlerësoi se brenda pak vitesh, zëvendësuesit sintetikë do të bëheshin konkurrues me qoftet e shitura në supermarket. Por ne ende duhet të presim.
Financimi për kërkimin e z. Post erdhi nga z. Sergey Brin, themeluesi i Google, i cili, nuk është i vetmi sipërmarrës kalifornian që synon në këtë drejtim.
Ndër manjatët më të famshëm që kanë investuar në mishin e laboratorit janë z. Bill Geits (Bill Gates), i Microsoft, z. Riçërd Brensoun (Richard Branson), i Virgin, bashkëthemeluesi i PayPal z. Peter Thiel dhe z. Li Ka Shing, njeriu më i pasur në Hong Kong.
Dhe gjigantë të tillë si Kellogg's, JBS, Tyson Foods dhe Cargill po investojnë në tregun e mishit sintetik.
NË BOTË DHE NË HAPËSIRË.
Shtetet e Bashkuara mbretërojnë supremisht, por, midis pothuajse 110 kompanive që aktualisht merren me mish sintetik, gjejmë disa nga Izraeli, Kina, Koreja e Jugut, Afrika e Jugut dhe Nigeria.
Ndër kompanitë europiane, përveç Bruno Cell- it italian të lartpërmendur, ka Hoxton Farms dhe Animal Alternative Technologies me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Më pas është rasti holandez, ku qeveria jo vetëm që i dha dritën jeshile mishit sintetik, por në vitin 2022 ndërhyri drejtpërdrejt për të mbështetur sektorin me një akordim prej 60 milionë eurosh.
Flamurtarët e industrisë holandeze të mishit artificial janë Mosa Meat dhe Nutreco, ndër përfituesit e tjerë të fondeve milionere të alokuara nga Europa.
Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) po punon gjithashtu për mishin sintetik me dy projekte të kryera në mënyrë të pavarur në Gjermani dhe Britani të Madhe.
Në Gjermani, kompania bioteknike Yuri dhe Universiteti i Reutlingen-it, po marrin pjesë në iniciativë, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar janë të përfshira kompanitë Kayser Space, Cellular Agriculture, dhe Campden Bri.
“Të dy projektet - shpjegon z. Rikardo Korradi (Riccardo Corradi) nga ESA për Italia a Tavola - studiuan mundësinë e rritjes së mishit në hapësirë si ushqim për astronautët, veçanërisht për ata që do të angazhohen në misionet e ardhshme të gjata në Hënë dhe më pas në Mars.”
Qëllimi është t'u sigurohet astronautëve ushqime ushqyese gjatë misioneve afatgjata larg Tokës, duke tejkaluar jetëgjatësinë tipike dyvjeçare të furnizimeve të paketuara tradicionale.
Në të njëjtën kohë, Agjencia Evropiane e Hapësirës po synon të zhvillojë teknologji inovative për të përmirësuar prodhimin e mishit të rritur në hapësirë dhe po ndërton prototipe në Tokë për të studiuar sisteme të avancuara, të tilla si sistemet e mbyllura, të cilat, lejojnë rikuperimin e lëndëve ushqyese dhe riciklimi i mbetjeve metabolike.
PERIME SINTETIKE.
Megjithatë, mënyra më e përhapur dhe më e thjeshtë për të marrë mish të qëndrueshëm është përdorimi i proteinave bimore, siç kanë bërë gjithmonë të gjithë vegjetarianët.
Z. Pet Braun (Pat Brown), nga Impossible Foods, prodhon hamburgerët e tij duke filluar nga proteinat e sojës dhe bishtajore të tjera: ato kushtojnë 5 dollarë, dhe tani mund të gjenden në supermarket.
Z. Braun (Brown), një ish-profesor i biokimisë në Stanford, mblodhi 1.3 miliardë dollarë fonde nga një sërë investitorësh, duke përfshirë z. Bill Geits (Bill Gates), për të arritur këtë rezultat shumë më të sofistikuar se biftekët e sojës të zakonshme, tashmë në treg prej vitesh.
Dhe ai pretendon se ai nuk është një imitim, por një mënyrë më e mirë e prodhimit të mishit.
Procesi i tij, të cilin ,ai nuk do ta zbulojë në detaje, kërkon kthimin e sasive të konsiderueshme të biomasës në një produkt të ngjashëm me mishin e viçit, por pa mish viçi.
Ka nga ata që fillojnë nga proteinat bimore për të riprodhuar mishin e pulës, si për shembull Beyond Meat, i themeluar nga z. Ithën Braun (Ethan Brown), i cili, tashmë i shpërndan produktet e tij në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Kompania është rezultat i një investimi nga dy prej themeluesve të Twitter, z. Evn Uilliams (Evan Williams) dhe z. Biz Stoun (Biz Stone), të dy vegjetarianë të vendosur.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments