top of page
E BARDHË SHIRIT.png

MËSIMET E MËDHA POLITIKE QË LA TRASHËGIMI 100-VJEÇARI HENRI KISINXHER.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • May 13, 2023
  • 4 min read

Nga z. Ahmed Charai. {Të gjitha demokracitë vuajnë nga e njëjta sëmundje: Një klasë politike e varfër intelektualisht, e cila është më e fiksuar pas sondazheve dhe rrjeteve sociale, sesa nga një vizion për shoqëritë e tyre.} Më 27 maj, z. Henri Kisinxher (Henry Kissinger) do të festojë ditëlindjen e tij 100-të. Një jetë shumë e gjatë dhe me pasoja të jashtëzakonshme në dy botë shumë konkurruese të diplomacisë dhe ideve. Pasi u largua nga Gjermania naziste, ai mbërriti në Shtetet e Bashkuara në vitin 1938, si një adoleshent i pasionuar pas librit, por pa ndonjë perspektivë të shpejtë në horizont. Tridhjetë vjet më vonë, ai do të udhëhiqte politikën e jashtme të SHBA-së, fillimisht si këshilltar për sigurinë kombëtare, më pas si Sekretar Shtetit i 2 presidentëve, Riçard Niksonit (Richard M.Nixon) dhe Xherëld Fordit (Gerald R. Ford). Në vitin 1973, ai bashkë-fitoi “Çmimin Nobel” për Paqe. Në 4 vitet e tij si Sekretar i Shtetit, ai ndihmoi në dhënien fund të luftës më të diskutueshme të Amerikës, asaj të Vietnamit, e ndau Kinën nga Rusia dhe rishikoi kufijtë e disa shteteve-kombe. Librat e tij, të mbushur me kërkime të kujdesshme dhe argumente të përpunuara, vazhdojnë të jenë në krye të listës së më të shiturve, dhe të tërheqin vëmendjen e udhëheqësve politikë dhe mendimtarëve anembanë botës. Edhe kur kanë kaluar disa dekada pas largimit nga detyra, ai vazhdon të kërkohet për dhënie këshillash nga drejtorët ekzekutivë, kandidatët presidencialë apo analistët. Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, e kryesuar nga një burrë tjetër i madh, një patriot dhe një nga njerëzit më të ndritur të establishmentit amerikan, z. Xhon Hemër (John Hamre), organizoi një pritje për nder të z. Kisinxher, për të festuar arritjet e tij të jashtëzakonshme. Z. Hemër e filloi fjalimin e tij duke analizuar historinë e dekadave të fundit dhe gjurmën që la Kisinxheri në të. Së pari, ishte Lufta e Vietnamit, një konflikt që kishte hyrë në ngërç. Viti nisi me ofensivën e madhe të Tet-it nga forcat e Vietnamit të Veriut, të cilën Shtetet e Bashkuara e mposhtën duke pësuar edhe vetë humbje serioze. Ne shtator të atij viti, Viet-Kongu pushoi së ekzistuari si një forcë e veçantë luftarake, por kjo nuk do të thoshte asnjë fitore për Shtetet e Bashkuara. Sepse ushtria e Vietnamit të Veriut po bëhej një forcë gjithnjë e më vdekjeprurëse, me divizionet e saj të tankeve që ishin në zgjerim e sipër dhe me avionët sovjetikë dhe raketat anti-ajrore që ishin gjithnjë e më efektive. Për sa kohë që BRSS dhe Kina e mbështetën Veriun, Shtetet e Bashkuara nuk mund ta mposhtnin kurrë atë. Ai ngërç ishte i dukshëm dhe e përçau Amerikën. Protestat, si kundër luftës po ashtu edhe pro-luftës e ndanë kombin. Në televizor, amerikanët panë rrënojat e djegura në Saigon dhe djegien e kartave në Seattle. Publiku ishte i lodhur nga lufta. Dhe ishte z. Kisinxher ai që udhëhoqi bisedimet e paqes. Është e vërtetë, që Vietnami i Jugut kapitulloi në vitin 1975. Por, 2 vjet më parë, ushtria amerikane ishte në gjendje të realizonte një tërheqje të sigurt dhe mbi të gjitha me dinjitet. Ndërkohë ne i detyrohemi atij për politikën e famshme të frenimit të Bashkimit Sovjetik. Për herë të parë, Shtetet e Bashkuara dhe BRSS ranë dakord të ngadalësojnë ndjeshëm garën e armëve bërthamore. Për pasojë, disa konflikte rajonale u de-përshkallëzuan. Lufta bërthamore u shmang dhe u kursyen miliona jetë njerëzish në Azinë Juglindore, Afrikën Jugore dhe midis ishujve të Paqësorit, pra në çdo vend ku guerilët komunistë luftuan me shtetet pasuese të fuqive koloniale. Për të forcuar pozicionin e Amerikës në Azi, administrata e presidenit amerikan Nikson arriti një afrim diplomatik me Kinën kontinentale, nga e cila Shtetet e Bashkuara ishin distancuar që nga viti 1949, kur komunistët morën pushtetin. Për të vulosur marrëdhënien e re, z. Nikson zhvilloi një udhëtim spektakolar në Kinë në shkurt 1972. Pas 6 tetorit 1973, zyrtarët izraelitë i telefonuan për t’i thënë se po përballeshin me një pushtim. Forcat egjiptiane po sulmonin në Gadishullin e Sinait, ndërsa ushtria siriane ishte në veri të Izraelit. Sapo kishte nisur e ashtuquajtura Lufta e Katërt Arabo-Izraelite. Z. Nikson e dërgoi z. Kisinxher për të negociuar me Izraelin, Egjiptin dhe Sirinë, dhe ndodhi ajo që hyri në histori si “diplomacia e anijes kozmike”. Në fund pati një paqe të re dhe këtë herë të qëndrueshme. Ajo i shërbeu disa interesave të rëndësishme amerikane: ndaloi ciklin e pushtimeve, ndaloi embargon nga shtetet arabe eksportuese të naftës dhe krijoi terrenin për një traktat historik paqeje midis Izraelit dhe Egjiptit (Marrëveshja e Camp David e presidencës Kartër ‘Carter’). Z. Kisinxher mund të jetë i vetmi fitues i çmimit “Nobel për Paqe”, që ka siguruar më shumë paqe pas fitimit të çmimit se sa më herët. Këto suksese e bëjnë atë një diplomat me një staturë historike. Intensiteti dhe shtrirja e këtyre nismave diplomatike dhe suksesi i tyre – në kuptimin që të gjitha prodhuan marrëveshje – nuk kanë asnjë paralele në historinë amerikane dhe ndoshta as në historinë e Izraelit. Me mrekullitë e tij në fushën e diplomacisë, ai la gjurmë në shekullin XX-të. Ndërsa e pranon se profetët kanë “vizionin më të pasionuar”, z. Kisinxher thotë se preferon më shumë shtetarët, pasi ata i njohin realitetet në terren, dhe mund të shohin vlerë në përfitimet në rritje. Mjerisht, klima politike aktuale nuk inkurajon shfaqjen e udhëheqësve si ai. Libri i tij kushtuar “udhëheqjes”, tregon rëndësinë që ka ndërtimi i konsensusit për çështjet kryesore. Një udhëheqës politik nuk mund të zhvillojë një vizion që i jep statusin e një burri shteti, duke postuar në Tuitrër (Twitter) apo Feisbook (Facebook). Përkundrazi, siç shkruan ai, udhëheqësit lindin nga studimi i kujdesshëm i historisë. Të gjitha demokracitë vuajnë nga e njëjta sëmundje: Një klasë politike e varfër intelektualisht, e cila është më e fiksuar pas sondazheve dhe rrjeteve sociale, sesa nga një vizion për shoqëritë e tyre. Por ky është një problem, të cilin duhet ta marrin në konsideratë edhe mendimtarët që mendojnë sot për nesër: Si mund të vazhdojë Amerika ta udhëheqë botën pa udhëheqës që mund të kombinojnë teorinë e lartë dhe pragmatizmin e bazuar, siç bën z. Kisinxher?


Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page