top of page
E BARDHË SHIRIT.png

NARKOSAT VEPROJNË NË TERRITORET E KISHËS SË UNIFIKIMIT | ÇFARË PO NDODH NË PARAGUAJI?

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Nov 1, 2023
  • 3 min read

Nga z. Federiko Xhuliani (Federico Giuliani).

Seul, Kore e Jugut | Ekziston një histori e çuditshme rreth Kishës së Unifikimit, një lëvizje fetare koreano-jugore, e themeluar në Korenë e Jugut, nga i nderuari (dhe i vetëshpallur Mesia), Sun Myung Moon, në vitin 1954.


Një çerek shekulli më parë, kjo organizatë unike fetare, e cila, gjendet në çdo gjerësi gjeografike – dhe që përmban referenca biblike dhe ndikime të tjera që tërhiqen shumë nga konfucianizmi korean dhe kultet e tjera lokale – ka blerë një pjesë të largët toke në Paraguaj.


Qëllimi i saj ishte mjaft intuitiv: të krijonte një oaz paqeje për ndjekësit në Amerikën e Jugut.


Sot ajo hapësirë ​​duket se është shndërruar në një qendër për trafikun global të drogës. Historia u rindërtua në detaje nga një hetim i agjencisë së lajmeve Rojters (Reuters).


Në muajin korrik të vitit të kaluar, rreth tridhjetë oficerë paraguaianë kundër drogës bastisën pesë pista ajrore të vendosura në një zonë të madhe pyjore të njohur si Çako (Chaco).


Pistat ishin vënë në qendër të vëmendjes së autoriteteve si vende uljeje të avionëve të përdorur nga trafikantët e drogës nga rajoni i Amerikës Latine.


Çako (Chaco) në fakt kohët e fundit është bërë një qendër kryesore e transportit për bandat që trafikojnë kokainën nga Andet në tregjet evropiane, një biznes që po lulëzon gjithashtu.


Katër nga pesë pistat në fjalë ishin në tokë në pronësi të Kishës së Unifikimit.


Një qendër për trafikun e kokainës.

I ndjeri Sun Myung Moon u bë një nga pronarët më të mëdhenj privatë të Paraguajit, kur bleu tokën Çako (Chaco) 25 vjet më parë si pjesë e një zgjerimi fetar dhe tregtar në Amerikën Latine.


Autoritetet paraguajane nuk gjetën drogë apo avion gjatë operacionit në pista, dhe as nuk bënë asnjë arrestim. Megjithatë, aty pranë kishte kasolle fshatare me furnizime bazë, shtretër dhe pajisje radio.


Më e rëndësishmja, nuk kishte asnjë provë që Kisha e Unifikimit ose anëtarët e saj ishin të përfshirë në trafikun e drogës të shënjestruar nga bastisja, ose se ajo kontrollonte pistat ajrore në Çako (Chaco), një zonë që autoritetet paraguajane e përshkruajnë si pa ligj.


Znj. Mishell Bjun (Michelle Byun), një avokate e Shoqatës së Shpirtit të Shenjtë për Unifikimin e Krishterimit Botëror, siç njihet zyrtarisht dega e kishës në Paraguaj, tha në një deklaratë se kisha është në dijeni të aktivitetit të paligjshëm në territorin e saj, dhe po bashkëpunon me policinë.


Zgjerimi i Kishës së Unifikimit.

Kisha e Unifikimit është një fuqi e madhe në këtë rajon të padisiplinuar.


Themeluesi, vizitoi për herë të parë Çakon (Chaco) në vitet 1990. Një dekadë më vonë ai bleu 600000 hektarë tokë nga një konglomerat bujqësor argjentinas, duke paguar 22 milionë dollarë, për një zonë rreth dhjetë herë më të madhe se Manhatan.


Çështja është se pavarësisht problemeve (dhe skizmave) të organizimit fetar, vetë zgjerimi i Kishës është ndërthurur në mënyrë të pavullnetshme me një zgjerim të ngjashëm, të heshtur, dhe për rrjedhojë edhe të padukshëm, të planifikuar nga narkosët vendas.


Sipas agjencisë paraguajane kundër narkotikëve Senad, bastisjet e 6 korrikut 2022 ishin pjesë e një hetimi mbarëkombëtar ndaj një bande kontrabande, të udhëhequr nga trafikanti i dyshuar Miguel Ángel Servín.


Z. Servín u arrestua në vitin 2021 me akuzën e trafikut të drogës dhe komplotit kriminal.


Hetimi filloi me sekuestrimin e 3.4 ton kokainë në vitin 2020, nga policia belge, në Antuerp, porti kryesor i hyrjes së drogës në Evropë.


Materiali, i fshehur në një ngarkesë qymyri të prodhuar në Çako (Chaco), u gjurmua në Paraguaj.


Për momentin z. Servín mbetet në burg, në pritje të gjyqit, megjithëse avokati i tij përsërit se klienti i tij është i pafajshëm.


Në çdo rast, disa figura politike paraguajane me lidhje të ngushta me Kishën janë dënuar për krime të lidhura me drogën.


Media thekson se si në Paraguaj, ku blerja e Çakos (Chaco) ka qenë prej kohësh e diskutueshme, Kisha ka kultivuar lidhje të ngushta me presidentë, politikanë, dhe gjyqtarë të Gjykatës së Lartë.


Disave iu dhanë pozita të spikatura në kishë, ose në organizatat e shumta të saj.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comentarios

Obtuvo 0 de 5 estrellas.
Aún no hay calificaciones

Agrega una calificación
bottom of page