Seul, Kore e Jugut | Një gjykatë e Koresë së Jugut lëshoi të martën një urdhër arresti për presidentin e fajësuar Yoon Suk Yeol lidhur me shpalljen e tij të ligjit ushtarak në fillim të këtij muaji, sipas mediave lokale.
Gjykata e Qarkut Perëndimor të Seulit lëshoi urdhër-arrestin, duke lejuar hetuesit të ndalonin presidentin Yoon për t'u marrë në pyetje për 48 orë.
Pas kësaj, hetuesit duhet të bëjnë një urdhër shtesë për të vazhduar ndalimin e tij. Urdhri i arrestit është i vlefshëm deri më 6 janar 2025.
Gjykata miratoi gjithashtu një urdhër për të kontrolluar rezidencën zyrtare të presidentit Yoon.
Shtabi i Përbashkët i Hetimit kërkoi urdhrat të hënën pasi presidenti Yoon nuk u paraqit për thirrjen e tij të tretë për t'u takuar me Zyrën e Hetimit të Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë (CIO) për t'u marrë në pyetje.
Shtabi i Përbashkët i Hetimit përfshin anëtarë të CIO-s, Zyrës Kombëtare të Hetimit dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Ekipi aktualisht po heton presidentin Yoon me akuzat për orkestrimin e një kryengritjeje dhe abuzimin me pushtetin e tij si president pasi ai shpalli ligjin ushtarak në vend.
Presidenti Yoon dyshohet se urdhëroi komandantët ushtarakë të dërgonin trupa në Asamblenë Kombëtare për të arrestuar politikanët.
Sipas nenit 84 të Kushtetutës së Koresë së Jugut, presidentët nuk janë të imunizuar nga akuzat për kryengritje gjatë kohës së tyre në detyrë.
Avokatët e presidentit Yoon denoncuan menjëherë vendimin e gjykatës të martën, duke depozituar një urdhër në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e urdhrit të arrestit.
Avokati i presidentit Yoon, i quajtur Yoon Kab Keun, tha: “Urdhër arresti dhe urdhri i kërkimit dhe sekuestrimit të lëshuar me kërkesë të një agjencie pa autoritet hetimor janë të paligjshme dhe të pavlefshme”.
Ekipi mbrojtës pretendon se vetëm policia, jo CIO, ka autoritetin ligjor për të hetuar kryengritjen.
Presidenti Yoon është presidenti i parë i Koresë së Jugut që i është lëshuar një urdhër arresti gjatë kohës që ishte në detyrë.
Presidenti shpalli ligjin ushtarak më 3 dhjetor 2024 dhe pretendoi se Partia Demokratike, partia opozitare që kontrollon Asamblenë Kombëtare, ishte në linjë me forcat komuniste të Koresë së Veriut.
Ushtria u vendos menjëherë, duke bllokuar hyrjen në ndërtesën e Kuvendit Kombëtar.
Disa orë më vonë, Asambleja Kombëtare votoi njëzëri për heqjen e urdhrit të gjendjes ushtarake.
Më pas, ushtria dhe policia liruan ambientet. Asambleja Kombëtare fajësoi presidentin më 14 dhjetor 2024, duke konstatuar se shpallja e gjendjes ushtarake shkelte nenin 77 të kushtetutës së vendit.
Neni 77 thotë se ligji ushtarak kufizohet në situata lufte, konflikti të armatosur ose emergjenca të ngjashme kombëtare.
Z. Han Duck Soo, i cili, u bë presidenti në detyrë i vendit pas pezullimit të presidentit Yoon, u fajësua gjithashtu më 27 dhjetor 2024.
Partia Demokratike pretendoi se z. Han pengoi drejtësinë dhe nuk përmbushi përgjegjësitë e tij kur refuzoi të emëronte tre gjyqtarë për të plotësuar vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, e cila, aktualisht është duke mbikëqyrur procesin e shkarkimit të presidentit Yoon.
Ministri i Financave Choi Sang Mok është bërë ushtrues detyre i presidentit dhe ka deklaruar se do të plotësojë menjëherë vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese.
Mijëra koreano-jugorë kanë dalë në rrugë në protestë gjatë muajit të kaluar, me disa duke mbrojtur presidentin Yoon dhe të tjerë duke kërkuar largimin e tij nga detyra.
Gjykata Kushtetuese ka afat deri në qershor 2025 për të vendosur nëse do të mbështesë shkarkimin e presidentit Yoon dhe ta largojë atë nga detyra.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments