NJË KRIZË E RE E KANALIT TË SUEZIT KËRCËNON EKONOMINË BOTËRORE.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Dec 23, 2023
- 5 min read
Londër, Britani e Madhe | Firmat globale të anijeve po pezullojnë udhëtimet në Detin e Kuq.
Mbi një mijë milje larg Gazës, po shpaloset një krizë detare që mund ta shndërrojë luftën midis Izraelit dhe Hamasit në një çështje globale me implikime për ekonominë botërore.
Që nga 15 dhjetori 2023, katër nga pesë kompanitë më të mëdha të transportit me kontejnerë në botë, CMA CGM, HAPAG-LLOYD, MAERSK DHE MSC, kanë ndaluar ose pezulluar shërbimet e tyre në Detin e Kuq, itinerari nëpër të cilin duhet të kalojë trafiku nga Kanali i Suezit, ku militantët Huthi të mbështetur nga Irani, dhe të armatosur me armë të sofistikuara, përshkallëzojnë sulmet e tyre ndaj flukseve globale të anijeve.
Ndërsa një nga arteriet kryesore tregtare të botës mbyllet papritur, Amerika dhe aleatët e saj po rrisin aktivitetin detar në Lindjen e Mesme, dhe madje mund të sulmojnë militantët Huthi, në mënyrë që të rivendosin kalimin e lirë.
Bab al-Mandab është një ngushticë e ngushtë midis Afrikës dhe Gadishullit Arabik, përmes së cilës, zakonisht rrjedh rreth 12% e tregtisë globale, sipas vëllimit, dhe ndoshta 30% e trafikut global të kontejnerëve.
Ajo është bërë një zonë e ndaluar pasi militantët Huthi, me bazë në Jemen, sulmojnë anijet, gjoja në mbështetje të palestinezëve në Gaza.
Sulmet kanë vazhduar për javë të tëra, por, tani, janë përshkallëzuar ndjeshëm. Më 15 dhjetor 2023, Huthitë kërcënuan se do të sulmonin një anije, goditën një tjetër me një dron, dhe lëshuan dy raketa balistike në mv Palatium III, njëra prej të cilave goditi anijen.
Sulmi në Palatium III ishte përdorimi i parë ndonjëherë i një rakete balistike kundër anijeve.
Të gjitha anijet ishin me flamur Liberian.
Më 16 dhjetor 2023, një anije detare amerikane, USS Carney, rrëzoi 14 dronë mbi Detin e Kuq, ndërsa një anije britanike, HMS Diamond, shkatërroi një tjetër.
Përballë një rreziku në rritje, që anijet të gjymtohen, dhe ekuipazhet e tyre të vriten, industria globale e transportit detar po kalon në modalitetin e emergjencës.
Më 15 dhjetor 2023 Maersk dhe Hapag-Lloyd ndërprenë shërbimet e tyre.
Më 16 dhjetor 2023, CMA CGM pasoi, ashtu si MSC (pronari i Palatium III), i cili tha se anijet e tij nuk do të përdornin Kanalin e Suezit në asnjërin drejtim, derisa kalimi i Detit të Kuq të jetë i sigurt, dhe se disa anije do të ridrejtoheshin nëpërmjet Kepi të Shpresës së Mirë.
Së bashku, këto katër kompani përbëjnë 53% të tregtisë globale të kontejnerëve.
Operatorët më të vegjël të kontejnerëve, si dhe transportuesit me shumicë të thatë, dhe firmat e cisternave të naftës, tani mund të ndjekin shembullin e tyre.
Kriza ka dy implikime të mëdha: një për ekonominë botërore, dhe tjetra në lidhje me rreziqet e përshkallëzimit ushtarak në Lindjen e Mesme, ndërsa vendet perëndimore përpiqen të rivendosin rendin.
Filloni me ekonominë. Të ardhurat nga Kanali i Suezit janë një burim i madh të ardhurash për Egjiptin, i cili, tashmë është në mes të një krize financiare. (Izraeli do të ndikohet më pak, me vetëm rreth 5% të tregtisë së tij që kalon përmes Eilatit, portit të tij në Detin e Kuq.)
Për ekonominë botërore, një mbyllje e zgjatur e rrugës së Suezit, do të rriste kostot e tregtisë, ndërsa transporti detar ridrejtohet rreth Afrikës, duke marrë më shumë kohë, ndërsa policat (primet) e sigurimit rriten.
Gërcimet afatshkurtra të zinxhirit të furnizimit, mund të rezultojnë gjithashtu nga ndryshimi i rrugës në shkallë të gjerë të tregtisë: në vitin 2021, Ever Given, një anije e operuar nga Tajvani, u rrëzua dhe bllokoi kanalin për gjashtë ditë, duke intensifikuar një krizë globale të zinxhirit të furnizimit.
Nëse kriza e sigurisë së Detit të Kuq perceptohet se kërcënon transportin detar në Detin Arabik aty pranë, përmes të cilit, kalon ndoshta një e treta e furnizimit global të naftës nga deti, kostot ekonomike do të ishin në mënyrë dramatike më të larta.
Këto rreziqe janë arsyeja pse Amerika dhe aleatët e saj do të priren të veprojnë.
Por kërcënimi i Huthive është një kërcënim i frikshëm dhe kompleks.
Motoja e grupit militant përfshin thirrjen “Vdekje Izraelit”. Një mallkim mbi hebrenjtë, dhe pretendon se ka në shënjestër të gjitha anijet që shkojnë në portet izraelite, derisa ushqimi dhe ilaçet të dorëzohen në Gaza.
Por, shumica e anijeve, që sulmohen nuk janë drejtuar as në Izrael dhe as nën pronësinë izraelite.
Vende nga e gjithë bota janë prekur: një nga anijet e sulmuara nga Huthitë po lundronte nën një flamur të Hong Kongut.
Inkoherenca e dukshme e qëllimeve të deklaruara të Huthive nuk duhet të ngatërrohet me joefektivitetin.
Për vite me radhë, Irani e ka trajnuar dhe armatosur grupin në kryengritjen e tij të suksesshme brenda Jemenit, dhe në një luftë kundër Arabisë Saudite, dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), rivalët rajonalë të Republikës Islamike.
“Sofistikimi i disa prej armëve të përfshira është i lartë. Huthitë kanë një arsenal gjigant raketash kundër anijeve në këtë pikë”, thotë z. Fabian Hinz, i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), një institut kërkimi në Londër, duke përfshirë ato me rreze deri në 800 km.
Zyrtarët perëndimorë janë të paqartë nëse Irani po drejton sulme individuale.
Inteligjenca izraelite nuk është ende e bindur se sulmet e fundit janë sanksionuar nga Korpusi 6000, një njësi e Forcave të Ekspeditës Quds të Iranit, që punon me Huthitë, në një qendër të përbashkët komanduese.
Megjithatë, grupi mendohet se merr inteligjencë mbi transportin, nga anijet mbikëqyrëse të Iranit, që lundrojnë në Detin e Kuq.
Fushata e gjerë kundër transportit detar përputhet me strategjinë e presionit të kalibruar të Iranit, duke shmangur një sulm të gjithanshëm ndaj Izraelit, ndërsa mbështetet nga përfaqësuesit e tij rajonalë, për ta ngacmuar atë me dhunë, nga të gjitha anët.
Por, Irani, nuk ka kontroll të plotë mbi sulmet Huthi - dhe sulmet po drejtohen në gjithnjë e më shumë vende.
Diplomacia mund të ndihmojë në zbutjen e krizës. Në vitin 2015, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndërhynë në luftën civile të Jemenit, në favor të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.
Në muajin mars, të vitit 2022, sauditët ranë dakord për një armëpushim, duke i lënë Huthive nën kontroll kryeqytetin, Sana'a, dhe bregdetin strategjik perëndimor.
Ata, së shpejti, mund të shpallin një udhërrëfyes, për ta bërë armëpushimin e përhershëm, dhe për t'i dhënë fund luftës.
Angazhimet për të ndërprerë sulmet detare, mund të bëhen pjesë e çdo bisedimi.
Sidoqoftë, një përgjigje më e madhe ushtarake ndaj kërcënimit të Huthive ka të ngjarë të ndodhë. Një task forcë shumëkombëshe, e udhëhequr nga marina e Amerikës, po vepron tashmë në brigjet e Jemenit, në mënyrë që të përpiqet të pengojë Huthitë nga hipja me forcë në anije - një bastisje u ndërpre në nëntor - dhe të gjuajnë raketa.
Ajo përfshin Egjiptin dhe Arabinë Saudite.
Javët e fundit, luftanijet amerikane, britanike dhe franceze kanë kapur të gjitha dronët dhe raketat Huthi, dhe Amerika i ka kërkuar Australisë të dërgojë gjithashtu një anije luftarake.
Por kjo armadë mbrojtëse ka luftuar për të mbajtur nën kontroll krizën. Huthitë kanë demonstruar se disa dronë dhe raketa mund të kalojnë gjithmonë.
Një hap i mundshëm tjetër përfshin shoqërimin e armatosur për transportin tregtar, të cilin, Amerika e përdori në vitet 1980, gjatë të ashtuquajturës luftë cisterna midis Iranit dhe Irakut.
Por, këto kërkojnë një numër shumë të madh luftanijesh, sipas burimeve detare, të përfshira në debat.
Alternativa kryesore është goditja e drejtpërdrejtë e Huthive, dhe arsenalit të tyre.
Amerika dhe Izraeli kanë zhvilluar të dyja plane për të sulmuar depot dhe raketat e Huthive.
Amerika do të jetë e vështirë të zgjerojë përfshirjen e saj në Lindjen e Mesme: administrata e presidentit Baidn (Biden), ishte fokusuar në zgjerimin e grupit të punës në Detin e Kuq, dhe në presionin diplomatik dhe ekonomik ndaj Iranit.
Izraeli nuk dëshiron një konflikt të ri: ai tashmë po përballet me presionin nga Amerika, për të mbyllur këtë fazë të luftës së Gazës, dhe është i shqetësuar për Hizbullahun, grupin militant libanez, i cili, ka qëlluar me raketa në Izrael, pothuajse çdo ditë.
Megjithatë, nëse Irani dhe përfaqësuesit e tij Huthi, vazhdojnë sulmet që mbajnë të mbyllur, një nga rrugët kryesore tregtare në botë, përshkallëzimi mund të jetë i pashmangshëm.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments