Tiranë, Shqipëri | Para shumë viteve (në atë kohë kur isha kaçurrels, kur i krihja e i lyeja flokët me xhel) isha dëshmitar okular i një aksidenti automobilistik që ngjau diku afër ish-Parkut të Autobuzave, në Tiranë.
Një riosh, duke drejtuar automjetin përplasi një zonjë të moshuar. Iu afrova të moshuarës, e cila, gjendej përdhe dhe bashkarisht me drejtuesin e automjetit e hipëm në ndenjësen e pasme të tij.
U nisëm “fishek” për në spitalin Ushtarak.
E çuam të gjallë plakën e gjorë.
Aty erdhën përfaqësues të autoriteteve shtetërore përgjegjëse për trajtimin e rasteve të kësaj natyre.
U prezantova shkurtimisht me ta dhe pasi u bëra një shpjegim të shkurtër verbal të rrethanave të aksidentit automobilistik, u lashë numrin e telefonit tim të lëvizshëm vetjak, dhe u largova nga atje.
Pas do ditësh më erdhi në telefonin e lëvizshëm një thirrje.
Ishte drejtuesi i automjetit që u përfshi në aksidentin automobilistik, i cili, më një zë të mekur dhe njëkohësisht lutës më kërkoi të më takonte fizikisht.
Pranova. E lamë të takoheshim pranë Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës.
U takuam. Ishte verdhacuk. Më çoi në një nga bar-kafetë aty pranë, në një tryezë ku gjendej një këngëtare e famëshme me origjinë nga Jugu i Shqipërisë; pjesë përbërëse e një grupi muzikor shumëzërësh - apo siç u pëlqen ta thonë shqipove që kanë shitur menderen të greku, polifonik - (një nga ata që i pat kënduar me shumë pasion ish-diktatorit titisto-stalinist Enver Hoxha, mënyra e të kënduarit e të cilit e pat bërë për të qarë).
Nuk e bëra veten në raport me të. E filluam bashkëbisedimin me tema diskutimi të përgjithshme nga ato që janë karakteristike për shqiptarët.
Më pas rioshi nuk humbi kohë por hyri drejt e në temë.
Me një shqipe çalamane të shprehur me fjalë të thjeshta më bëri me dije se i kishte punët keq me autoritetet e hetimit penal (rrezikonte burgun).
Por jo vetëm, më bëri gjithashtu me dije se ishte nip i një prej biznismenëve të mëdhenj që ushtronte veprimtari tregtare (diku aty afër ku sot gjendet përfaqësia e markës motorrike “Mercedes-Benz”) përgjatë autostradës Tiranë-Durrës.
E tha këtë për çdo eventualitet. Ishte i gatshëm ta lëshonte dorën - e merrni vesh vetë se për çfarë.
- I thashë: ç'do nga unë?
- Të dëshmosh - më tha.
Edhe pse gjendesha me individë për bindjet politiko-ideollogjike të të cilëve nuk kisha minimunim e vlerësimit pozitiv, vendosa ta ndihmoja duke dëshmuar të vërtetën për rrethanat e aksidentit pa asnjë lloj shpërblimi.
Rioshi u kënaq. Fluturoi nga gëzimi. Më bëri shumë premtime - të cilat, nuk ia kërkova.
Kur hyra brenda ambienteve të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës nga polici dezhurn mu bë dije se te cila zyrë kryheshin aktet proceduriale penale për çështjen e aksidentit automobilistik.
Me të trokitur në derë, ula dorezën dhe e hapa.
Aty jam njohur me policin Azbi Spahiu.
Pasi kryem një prezantim të shkurtër, pa humbur kohë, i hymë punës për përpilimin e proces-verbalit në të cilin do të parqiteshin rrethanat e aksidentit automobilistik.
E mora në dorë proces-verbalin e shtypur në kartë, e këndova, deklarimet e mia i gjeta të pasqyruara drejt dhe e nënshkrova pa hezitim (me nënshkrimin tim shpëtova rioshin nga burgu).
U poqa (nga fshati tim u poqa thuhet kur tokesh, shtrëngon dorën me dikënd) me policin Azbi dhe dola jashtë ambienteve të D.V.P së Tiranës. Hera e parë dhe e fundit që u takova me të në jetën time.
Kur dola jashtë asaj zyre policore të ngushtë dhe të mobiluar zymtësisht, kuptova se kisha të bëja me një polic të ndershëm.
I kishte të tëra mundësitë që nga çështja që kishte në dorë ta mbushte xhepin mirë e mirë, por, nuk e kishte bërë.
Rioshi ishte nga rreth fisnor i kamur, ata kishin kesh, por, polici Azbi nuk e kishte shitur ndershmërinë profesionale.
Krijova konsideratë për policin Azbi (pas Mid'hat Havarit - djalë ballisti - dhe disa të tjerëve, doli edhe një tjetër polic i ndershëm - thashë me vete).
Për policin Azbi, uroj që në radhë të parë të bëhet mirë me shëndet pas asaj që i ndodhi tani së fundmi. Të tjerat nuk kanë vlerë para shëndetit.
Tash, le ta ndryshojmë pak temën e diskutimit me Ju të nderuara/nderuar këndonjëse/këndonjës të këtyre rreshtave.
Do t’i bie pak gjatë me qëllim që të dal shkurt. E kam natyrë këtë lloj komunikimi - vdes t’i bie një çikë nga “Kina”.
Kam kënduar sot shumë komente mbi atë ç’ka i ndodhi policit Azbi. Edhe disa video i kam parë në rrjetet sociale virtuale. U shprehën edhe autoritetet shtetërore.
Në lidhje me cilësinë e deklarimeve të autoriteteve shtetërore, kam një prononcim si më poshtë vijon.
Para do viteve, në datën 23 gusht të vitit 2017, u arrestova nga strukturat vendore të Policisë së Shtetit, i akuzuar se përdora një mjet prerës ndaj një kripto-krimineli ordiner (ndaj një këlyshi për statusin kriminal të të cilit pas muajit nëntor të vitit 2017 kam njoftuar me akte të shkruara me status publik disa ente europiane që kanë detyrë luftën institucionale ndaj strukturave të krimit shqiptar të organizuar që vepron anë e kënd Europës së Bashkuar) të quajtur Daniel Lama, diku, në territorin gjiriz dhe bastion të agjenturës së krimit ordiner, në fshatin Yrshek, të Njësisë Administrative Kashar, të Bashkisë Tiranë.
Policia e Shtetit, të nesërmen e asaj dite, doli me një deklaratë zyrtare me përmbajtje të rreme, e cila, konsistonte në mashtrimin e opinionit publik për moshën e subjektit kriminal ndaj të cilit nga një sërë pozitash penale përdora mjetin prerës me qëllim vetëmbrojtjen, duke e paraqitur si miturak (nën 18 vjeç) - ndërkohë që ai ishte me moshë madhore, por jo vetëm, opinioni publik mashtrohej edhe për cilësimin e veprës penale, e cila, kumtohej se ishte tejet e rëndë nga pikëpamja penale dhe parashikonte dënim nga dhjetë gjer në njëzet vjet heqje lirie (burg).
Edhe sot e kësaj dite, ajo deklaratë e rreme policore e përpiluar nga segmentet e korruptuara dhe të degjeneruara profesionalisht të Policisë së Shtetit është ende aktive dhe gjendet në uebsaitin e saj.
I mësova këto fakte kaq kriminale, në datën 24 gusht të vitit 2017, kur gjendesha i izoluar në ambientet e Komisariatit Nr. 3, të D.V.P së Tiranës (normalisht do të duhej që të kisha qëndruar i izoluar në ambientet e Komisarit Nr. 6, të drejtorisë në fjalë, sepse, territori ku kreva veprën penale gjendej nën juridiksionin e tij tokësor, por, ambientet e atij komisariati në atë kohë ishin një hale e vërtetë, dhe nuk plotësonin asnjë lloj standardi minimal për të mbajtur qytetarë të ndaluar - ndryshe nga sot kur Komisariati Nr. 6 është “bërë nuse me tela”).
Si duket, engjëlli im mbrojtës atje lart në qiell i pat “fryrë” dikujt në vesh për ta vënë dorën në zemër për mua, dhe falë asaj ndërhyrjeje hyjnore më transferuan te 3-shi, ku kishte një farë ambienti disi më komod dhe ku qëndrova gjer kur dola përpara gjykatës vendore, e cila, më shqiptoi masën “më të butë” të parashikuar në Kodin e Procedurës Penale, atë të arrestit në burg pa afat, fill pas shqiptimit të së cilës, me një mikrobuz rrangallë ku gjendeshin dy policë shoqërues me të cilët bëra boll “llogje kavaje” u transferova drejt e në burgun e Vaqarrit.
Të nesërmen e arrestimit tim, në mëngjes, policit të rojës i bëra kërkesë se doja të kisha qasje te shtypi i shkruar. Më sajoi nja dy gazeta “taze”.
Duke shfletuar njërën prej tyre, konkretisht, një prej goreve dhe bushtrave të agjit-propit të oligarkisë gjakpirëse - gazetën “Panorama” - vura re se te seksioni i kronikës së zezë, ishte pasqyruar edhe arrestimi im, ku përmendesha me emër dhe me mbiemër, por, atje, ishte pasqyruar edhe deklarata e rreme e Policisë së Shtetit, për cilësimet e së cilës, jam shprehur më lart.
Konstatova se përpos sa më lart, dy gazetarët përgjegjës të kronikës së zezë, një farë Etleva Delia dhe një farë Armand Bajrami i kishin shtuar asaj deklarate me përmbajtje tërësht të rreme edhe një lugë “piper djegës”, duke e shpifur dhe duke mashtruar edhe për gjendjen time shëndetësore.
Aty - brenda asaj qelie, pasi lexova dhe rilexova shumë herë rresht, herë me nge e herë përthithtas atë shkrim gazetaresk kryekëput të mbushur me mashtrime dhe me shpifje poshtëruese - kuptova sa e madhe ishte urrejtja që kishin ndaj meje segmentet e korruptuara dhe të degjeneruara profesionalisht të Policisë së Shtetit, të cilat, përfaqësojnë llumin dhe turpin e asaj organizate të nderuar, por jo vetëm, edhe veglat e tyre qorre në organet e shtypit të shkruar.
Ata qelbësira, ata fundërrina, ata mutër, nuk ma falnin faktin që në territorin gjiriz dhe bastion të agjenturës së krimit ordiner, në fshatin Yrshek (i cili, është një territor që nuk sundohet nga Kushtetuta dhe nga ligjet, por, nga vullnete tejet kriminale) kisha zbuluar dhe denoncuar publikisht e kallëzuar institucionalisht vepra penale dhe subjekte kriminalë, që ekzistonin në trajtë klanesh kriminale, grupesh të strukturuar kriminale, individësh kriminalë, të cilët, mbështeteshin prej tyre, bëmat kriminale të të cilëve fshiheshin prej tyre, ekzistenca e të cilëve fshihej prej tyre, veprat penale të të cilëve tjetërsoheshin duke u lehtësuar pozitat penale në raport me ligjin policor e atë procedurial penal, e për pasojë edhe me ligjin penal, duke mos u pasqyruar me gjeneralitete në kartotekën policore (një prej të cilëve, para do kohësh u tentua të vritej në Greqi, i cili, aq shumë ka përparur në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine, sa sot për sot mund të konsiderohet si një nga krerët e rinj të atij trafiku, me të cilin, dikur në fëmijërinë tonë bënim xhiro me biçikletën kineze 28-çe të plakut tim, të cilën, ngaqë isha shkurtabiq e ngisja duke ia futur këmbët në trekëndësh, me të cilin, jam ndarë shumë keq për çështje parimesh dhe botëkuptimesh).
Vdekjen nuk ia uroj, por sytë nuk dua t’ia shoh, por, as ai nuk do të mi shohë. Sa për vdekjen, nuk e di a ma uron apo jo.
Me modesti e them se po t’i kisha hyrë udhës “së qoftë largut” sot do të isha dikush në atë lloj bote të menderosur.
Fatmirësisht, arrita të qëndroj në binarë edhe pse ç’është e vërteta përpjekjet për rekrutim ishin tejet të forta dhe nga më të çuditshmet e të imagjinueshmet.
E ndava me Ju këtë përvojë vetjake, për të kumtuar se sa serioze e sa të vërteta janë ato ç’ka kumtohen nga ata që kanë për detyrë që të informojnë opinionin publik dhe jo ta dezinformojnë (qoftë edhe për atë ç’ka i ndodhi policit Azbi Spahiu).
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
コメント