
Nga znj. Orisia Lutseviç (Orysia Lutsevych).
Londër, Britani e Madhe | Në këtë fazë të krizës, është e rëndësishme të kemi një vizion të qartë. Takimi ShBA-Ukrainë në Xhedah ishte një operacion për menaxhimin e dëmeve.
Të dyja palët rivendosën marrëdhëniet që ishin dëmtuar, kryesisht nga padurimi i Uashingtonit.
ShBA-ja ndryshoi vendimet e mëparshme në këmbim të diçkaje që Ukraina gjithsesi ishte gati të ofronte: qasja e privilegjuar në pasuritë natyrore të Ukrainës dhe gatishmëria për të nisur një proces paqeje.
Është inkurajuese të shohësh një dialog të rinovuar ShBA-Ukrainë, për t’ia dhënë fundin luftës.
Siç tha Çërçilli (Churchilli), e vetmja gjë më e keqe se të luftosh përkrah aleatëve është të luftosh pa ta.
Ishin të vështira për t’u kuptuar tensionet publike në Zyrën Ovale, ku Volodimir Zelenski u quajt diktator, si dhe pezullimi i ndihmës ushtarake dhe informatave të inteligjencës.
Ukrainasit u çuditën pse presidenti Tramp po ia ngarkonte fajin dhe presionin viktimës, ndërsa po mbronte agresorin.
Marrëveshja e “mrekullueshme” e Trampit përfshinte bulizmin ndaj më të dobëtit dhe sigurimin e më të fortit. Atij i dukej më e natyrshme të ushtronte presion mbi aleatët, qoftë Ukraina apo Kanadaja, dhe ta lehtësonte atë ndaj kundërshtarëve.
Takimi i kësaj jave në Xhedah mund të ketë qenë një përpjekje nga Shtëpia e Bardhë për të rivendosur ekuilibrin e presionit dhe për të ekspozuar qëllimet e vërteta të Vladimir Putinit.
Në fillim të kësaj jave, ShBA-ja hoqi pezullimin mbi ndarjen e inteligjencës dhe rifilloi ndihmën e sigurisë.
Kjo inteligjencë është thelbësore për mbrojtjen e qyteteve ukrainase, nga bombardimet ajrore gjatë natës.
Imazhet satelitore dhe sistemet e komunikimit të ShBA-së mbështesin disa platforma të mbrojtjes ajrore dhe të sulmeve të synuara.
Natën kur delegacionet u takuan në Arabinë Saudite, porti i Odesës u godit, duke vrarë katër persona në një sulm ndaj një anijeje gruri.
Ukraina po zhvillon një luftë mbrojtëse dhe ndoshta Shtëpia e Bardhë e ka kuptuar se arma më e fortë kundër Putinit janë forcat e armatosura të fuqishme dhe të pajisura mirë të Ukrainës.
Askush nuk e dëshiron paqen më shumë se Ukraina. Kur presidenti Tramp e akuzoi Zelenskin se nuk e donte paqen, kjo mbase ka kënaqur Kremlinin.
Trampi po përsëriste pikëpamjet propagandistike ruse. Takimi ShBA-Ukrainë e hodhi poshtë këtë gënjeshtër dhe demonstroi qëndrimin konstruktiv dhe bashkëpunues të Kievit.
Deklarata e përbashkët vuri në dukje se “Ukraina shprehu gatishmërinë për të pranuar propozimin e ShBA-së për të zbatuar menjëherë një armëpushim të përkohshëm 30-ditor, i cili, mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë dhe që është subjekt i pranimit dhe zbatimit të njëkohshëm nga Federata Ruse”.
Pra, cili do të jetë hapi i Putinit?
Mendoj se marrëveshja e tij për një armëpushim do të ndikohet nga dy faktorë: nëse vendi i tij mund të vazhdojë luftën edhe për shumë kohë dhe kushtet e marrëveshjes së imponuar ndaj Ukrainës.
Putini mund të vendosë që kostoja e humbjes së vendit në tavolinën e superfuqive, pranë presidentit të ShBA-së, është më e madhe sesa përfitimet e pushtimit të disa fshatrave të tjerë në lindje të Ukrainës.
Prandaj, ai mund të pranojë një armëpushim që siguron përfitimet e tij të përkohshme: ai merr “zonën gri” me një Ukrainë të dobësuar jashtë NATO-s dhe një luftë të pazgjidhur që mund të rindizet në çdo moment.
Kjo do të nënkuptonte që Ukraina do të duhej të vazhdonte të shpenzonte një pjesë të madhe të buxhetit të saj kombëtar për mbrojtjen, duke rënduar ekonominë dhe duke hasur vështirësi në përmbushjen e agjendës së integrimit në BE.
Ndërkohë, Putini do të siguronte një “urë tokësore” që lidh Krimenë me Rusinë përmes brigjeve të Detit Azov.
Armëpushimi do t’i siguronte Rusisë një lehtësim të domosdoshëm ekonomik dhe do t’i jepte kohë për rindërtimin ushtarak.
Duke pasur parasysh shkatërrimin e vazhdueshëm të rafinerive ruse të naftës nga Ukraina, edhe ato do të kenë nevojë për një kohë për t’u riparuar.
Për këtë, heqja e sanksioneve perëndimore të lidhura me energjinë do të jetë thelbësore për sigurimin e pajisjeve të reja.
Pauza gjithashtu lejon rigrupimin e forcave njerëzore, pasi Ukraina ka vrarë ose plagosur gati 80% të trupave tokësore që Rusia ka mobilizuar për këtë luftë.
Rusia ka pasur vështirësi në marrjen e pjesëve të mëdha të Ukrainës për shkak të mungesës së personelit dhe pajisjeve ushtarake.
Nxitja përfundimtare për të ndaluar luftën mund të vijë nga besimi i Putinit në aftësinë e tij për të shkatërruar Ukrainën nga brenda.
Këmbëngulja e fundit e ShBA-ës për mbajtjen e zgjedhjeve dhe thirrjet për dorëheqjen e Zelenski, janë gjithashtu pjesë e planeve të Kremlinit.
Putini është i vendosur të shkatërrojë qeverinë e Zelenskyt. Skenari i “zonës gri” mundëson që forcat e kaosit, të ushqyera nga dezinformimi, të dëmtojnë partitë pro-demokratike.
Faji për këtë situatë as-luftë-as-paqe do të bjerë mbi Zelenski. Çështjet si trauma e luftës, mungesa e investimeve të huaja dhe largimi i ri i njerëzve sapo të hiqen kufizimet e udhëtimit, e bëjnë armëpushimin të jetë një rrezik për Ukrainën.
Armëpushimi që nuk çon në një zgjidhje të drejtë do të përkeqësonte sigurinë rajonale në planin afatgjatë.
Ukraina mund të mos ketë të gjitha kartat në dorë, por as nuk po bën blof kur thotë se nuk do të kapitullojë përballë kërkesave të Moskës.
Mbështetja për Zelenskin mbetet e lartë.
Pavarësisht vështirësive të saj me personelin ushtarak, vetëm 38% e ukrainasve besojnë se Kievi duhet të pranojë të heqë dorë nga territori sovran i Ukrainës në favor të Rusisë.
Ky qëndrim nxitet kryesisht nga kuptimi se Rusia po zhvillon një luftë gjenocidale për të shkatërruar kombin ukrainas - 87% e ukrainasve besojnë se Moska nuk do të ndalet në vijat aktuale të frontit.
Nëse ShBA-ja arrin të frenojë oreksin e Rusisë dhe ta detyrojë atë ta shohë armëpushimin si fillimin e një zgjidhjeje të mirëfilltë, atëherë paqja ka një shans.
Nëse jo, do të krijohet një baltovinë që do të fundosë Ukrainën dhe do të dobësojë më tej pjesën tjetër të Evropës.
Moska tashmë është në një luftë jokonvencionale me Perëndimin; por vlerësimet e inteligjencës perëndimore tregojnë se ajo po përgatitet për një konflikt të drejtpërdrejtë konvencional.
Rreziku i këtyre negociatave për paqe nuk mund të jetë më i lartë se kaq.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
留言