
Tiranë, Shqipëri | Në Apelin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) po mbahet seanca gjyqësore për ankimin e masës së sigurimit vetjak “arrest në burg” për kryetarin e arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Gjykata e Posaçme gjatë seancës gjyqësore përfaqësohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi.
Në të njëjtën seancë gjyqësore, do të paraqiten edhe kërkesat ankimore edhe për katër biznesmenët e arrestuar:
1- Z. Elman Abule (arrest në burg).
2- Z. Shkëlqim Fusha.
3- Z. Gentian Sula.
4- Z. Meriman Palushi (detyrim paraqitjeje).
Z. Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë së Tiranës më 10 shkurt të vitit 2025, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të:
1- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë).
2- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Bashkëshortja e tij, znj. Ajola Xoxa është gjithashtu nën hetim penal paraprak.
Znj. Xoxa i është shqiptuar masa e sigurimit vetjak “detyrim paraqitje”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK) nga të dhënat penale të mbledhura dhe të administruar gjer në këtë fazë të hetimit paraprak në mënyrë të përmbledhur rezulton se nga subjektet nën hetim Erjon Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat, burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin vetjak të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit


Comments