NË BASHKIMI EUROPIAN 1 NË 10 QYTETARË NUK E DI QË ËSHTË ME HIV AIDS.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Nov 29, 2023
- 2 min read

Paris, Francë | Shqetësuese është përmbajtja e raportit të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe OBSH. Siç shpjegon drejtori i ECDC, Andrea Ammon, më shumë se 1 në 10 persona që jetojnë me HIV në Bashkimin Evropian/Zonën Ekonomike Evropiane nuk janë ende të vetëdijshëm për statusin e tyre, gjë që kontribuon në diagnozat e vona, rezultate të këqija në trajtimin e sëmundjes, dhe në përhapjen e HIV-it. Raporti, i publikuar në kuadër të Ditës Botërore të SIDA-s, më 1 dhjetor, thekson gjithashtu se në vitin 2022, diagnozat e HIV-it u rritën me 4.2% në Kontinentin e Vjetër. Në vitin 2022, 110486 diagnoza HIV u regjistruan në rajonin evropian të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga të cilat, 22995 në Bashkimin Evropian/Zonën Ekonomike Evropiane, për një total prej 2.4 milionë vetash me HIV AIDS. Raporti i paraqitur thotë se në të gjithë Evropën, më shumë se gjysma e diagnozave të HIV-it mbërrijnë shumë vonë, me një numër limfocitesh CD4 më pak se 350 qeliza/mm3, që tregon nevojën urgjente për të kuptuar se çfarë i bën njerëzit të paaftë, ose nuk dëshirojnë të kenë qasje në testim, dhe trajtim mjekësor në kohë. Sipas analizave të OBSH-së, ajo që kontribuoi në rritjen e diagnozave në vitin 2022 ishte rifillimi i aktiviteteve normale të testimit pas pandemisë Covid-19, shërbimet e zgjeruara dhe të synuara të testimit, dhe zbatimi i strategjive të reja të testimit. Nënvizohet se megjithëse është bërë progres në luftën kundër HIV-it në rajonin europian, për autoritetet shëndetësore, sfida të rëndësishme mbeten në identifikimin dhe trajtimin e rasteve, si dhe në parandalimin e infeksionit. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe OBSH lëshojnë një thirrje urgjente për veprim kritik, që çon në zgjerimin e aksesit në testimin dhe në trajtimin e HIV-it, së bashku me njohjen, dhe luftimin e stigmës, dhe njëkohësisht, të diskriminimit të vazhdueshëm, që i pengon njerëzit të kërkojnë diagnozën, dhe trajtimin mjekësor. Raporti thekson pabarazitë rajonale, me 71.6% (79.144) të diagnozave të reja të bëra në Lindje, 20.3% në Perëndim (22.397) dhe 8.1% në Qendër (8.945) të Europës. Nga z. Erton Duka. © Copyright | Agjencia Telegrafike Vox Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments