Teheran, Iran | Dlirësia dhe mbulesa islame ose burgu. Irani ka miratuar një ligj të ri për mbrojtjen e familjes përmes promovimit të kulturës së dëlirësisë dhe hixhabit, i cili shtrëngon sanksionet për gratë që nuk mbajnë mbulesë në publik, një detyrim tashmë në fuqi që nga themelimi i Republikës Islamike.
Ratifikimi nga Këshilli i Gardës, një organ kushtetues, erdhi pasi Parlamenti bëri disa ndryshime në lidhje me mënyrën se si do të zbatohej rregulli i propozuar.
Ndërsa teksti i dispozitës nuk është zbuluar ende zyrtarisht, versioni më i fundit i saj, i botuar nga mediat muajt e fundit, parashikon sanksione që variojnë nga gjobat deri te kufizimet në përdorimin e internetit deri në periudhat e burgimit, konfiskimin e automjetit dhe ndalimin e udhëtimit jashtë vendit për ato që nuk mbajnë hixhab, ose e bëjnë këtë në mënyrë të pahijshme, dhe për ato që promovojnë lakuriqësinë dhe turpësinë në mediat sociale.
Sipas një raporti të publikuar ditët e fundit nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), ligji parashikon për ato që shkelin gjoba të tepruara financiare, dënime më të gjata me burg, kufizime në punë dhe mundësi arsimimi.
Tashmë ato që nuk mbajnë mbulesë i dënojnë me paraburgim që varion nga 10 ditë deri në 2 muaj.
Për OHCHR, ligji i ri vjen në një kohë ku forcat e sigurisë kanë intensifikuar më tej modelet para-ekzistuese të dhunës fizike, duke përfshirë rrahjen, shkelmimin dhe shuplakat ndaj grave dhe vajzave që konsiderohen se nuk janë në përputhje me ligjet dhe rregulloret e detyrueshme për hixhabin.
Së shpejti, presidenti i Asamblesë Parlamentare iraniane do të shpallë zyrtarisht miratimin e ligjit dhe më pas do t'i kërkohet qeverisë t'u komunikojë autoriteteve kompetente hyrjen në fuqi të dispozitës për zbatimin e tij.
Projektligji u dërgua disa herë në Këshillin e Gardës përpara ratifikimit, por propozimi ishte miratuar për herë të parë nga Parlamenti rreth një vit më parë, në ditët e përvjetorit të parë të vdekjes së znjsh.
Mahsa Amini, 22-vjeçarja kurde e cila vdiq pasi u vu në paraburgim nga policia morale për shkak se nuk mbante mbulesën siç duhet ndërsa ishte në rrugët e kryeqytetit iranian.
Vdekja e saj në muajin shtator të vitit 2022, shkaktoi një valë protestash antiqeveritare që vazhduan për muaj të tërë në qytete të ndryshme anembanë vendit, me vajza që dogjën shamitë e tyre në shesh dhe kundërshtuan hapur Republikën Islamike.
Çështja e hixhabit, në qendër të protestave të aktivistëve iranianë për dekada, është kthyer në qendër të debatit në Iran pas rastit të znjsh. Mahsa dhe gjatë fushatës së tij elektorale, presidentit Masud (Masoud) Pezeshkian, i zgjedhur në muajin korrik dhe i konsideruar si një politikan reformist, kishte kritikuar ligjin e ri të propozuar për hixhabin, duke premtuar gjithashtu se do t'i jepte fund kontrolleve policore dhe përdorimit të dhunës ndaj grave që nuk respektojnë rregullat për mbulesën.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments