Stamboll, Turqi | Ceremonia tradicionale e krishterë ortodokse u mbajt edhe këtë vit, me rastin e Epifanisë, të hedhjes së kryqit në ujërat e Bririt të Artë, grykëderdhjes së Bosforit, kanalit që ndan dy brigjet e qytetit të Stambollit.
Pas meshës në Patriarkanën Ekumenike të Kostandinopojës, e cila, ndodhet në lagjen Fener, në anën evropiane të qytetit, Patriarku Bartolomeu u largua nga ndërtesa dhe më pas shkoi në këmbë në brigjet e Bririt të Artë, aty pranë, ku nisi të vendoset kryqi në ujë dhe rreth pesëdhjetë besimtarë, turq dhe me kombësira të tjera, u zhytën në përpjekje për ta rikuperuar atë.
Z. Basilis Konstantinidis, i ardhur nga qyteti grek i Dramës, ishte notari që arriti të rikuperonte kryqin në ujërat e Bririt të Artë këtë vit.
Ceremonia përfaqëson një nga traditat më të rëndësishme për të krishterët ortodoksë të Stambollit, një pakicë e përbërë nga disa mijëra njerëz dhe mbahet çdo vit më 6 janar jo vetëm në Fener, por edhe në lagje të tjera të qytetit.
Aktiviteti shënoi një pjesëmarrje të madhe, me rreth 2 mijë persona të ardhur jo vetëm nga Stambolli por edhe nga Greqia.
“Jemi vërtet të lumtur që jemi sot këtu, për ne është vërtet diçka shumë e rëndësishme, jemi shumë të emocionuar, nuk mund ta përshkruajmë këtë ndjenjë”, tha Evi nga Athina, e punësuar në sektorin publik që mori pjesë.
“Ceremonia, më gjeti me pushime në Stamboll me disa miq. Kjo ceremoni ka qenë gjithmonë shumë e rëndësishme, megjithëse për fat të keq komuniteti ortodoks grek është shumë më i vogël sot se sa ishte në të kaluarën”, tha z. Onur Isci, një profesor turk i shkencave politike në Universitetin Kadir Has në Stamboll, i cili, mori pjesë në aktivitet së bashku me miqtë e krishterë ortodoksë që vizituan qytetin.
“U ndjeva shumë i lumtur që isha këtu së bashku me njerëz që e vlerësojnë këtë traditë dhe e vlerësoj faktin që shteti turk dhe bashkia e Stambollit ofrojnë siguri për këtë ngjarje. Është vërtet bukur të ndihesh pranë kësaj ane multikulturore të Stambollit, një gjë shumë e rrallë”, tha ai.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments