Jorku i Ri, Amerikë | Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar një paralajmërim për disa parti të rreme të ilaçit semaglutide, që përdoret për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe obezitetit në disa vende.
Alarmi ka të bëjë me 3 tufa të falsifikuara të produkteve të ilaçeve të klasës semaglutide (të markës specifike Ozempic), të cilat u zbuluan në Brazil në tetor 2023, në Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu në tetor 2023, dhe në Shtetet e Bashkuara në dhjetor 2023.
Sistemi Global i Mbikëqyrjes dhe Monitorimit (GSMS) i OBSH-së ka vërejtur një rritje të raporteve të produkteve semaglutide të falsifikuara në të gjitha rajonet gjeografike që nga viti 2022.
Ky është paralajmërimi i parë zyrtar i lëshuar nga OBSH pas konfirmimit të disa raporteve.
“OBSH këshillon punonjësit e shëndetësisë, autoritetet dhe publikun që të jenë të vetëdijshëm për këto grupe të barnave të falsifikuara”, tha z. Jukiko (Yukiko) Nakatani, zv/drejtoresha e Përgjithshme e OBSH-së për Barnat Esenciale dhe Produktet Shëndetësore.
“Ne u bëjmë thirrje palëve të interesuara të ndalojnë çdo përdorim të barnave të dyshimta dhe t'i raportojë në organet kompetente”, tha OBSH.
Këto barna janë treguar se shtypin oreksin si dhe ulin nivelet e sheqerit në gjak dhe për këtë arsye po përshkruhen gjithnjë e më shumë për humbje peshe në disa vende.
OBSH ka vërejtur një rritje të kërkesës për këto ilaçe, si dhe raportime për falsifikime.
Këto produkte të falsifikuara, paralajmëron OBSH, mund të kenë efekte të dëmshme në shëndetin e njerëzve; nëse produktet nuk përmbajnë lëndët e para të nevojshme, ilaçet e falsifikuara mund të çojnë në komplikime shëndetësore.
Në raste të tjera, pajisja e injektimit mund të përmbajë një tjetër përbërës aktiv të padeklaruar, për shembull insulina, që çon në një sërë rreziqesh ose komplikimesh të paparashikueshme.
Prandaj OBSH-ja ju fton të mos i blini këto ilaçe online, duke kujtuar se semaglutidi nuk është pjesë e trajtimeve të rekomanduara nga organizata për menaxhimin e diabetit për shkak të kostos së lartë aktuale.
“Barriera e kostos - vëren OBSH - i bën këto produkte të papërshtatshme për një qasje të shëndetit publik, duke nënvizuar se trajtime më pak të shtrenjta për diabetin janë të disponueshme, me efekte të ngjashme me semaglutidet.”
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentários