
Vatikan | Asgjë nuk mund të na ndalojë të duam, të lutemi, të japim veten, të jemi për njëri-tjetrin, në besim, shenja të shkëlqyera shprese.
Ky është mesazhi që Papa Françesku u dërgoi dje, më 16 mars 2025, besimtarëve dhe pelegrinëve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Engjëllit të së dielës së dytë të Kreshmës.
“Sot, - filloi Papa Bergolio - Ungjilli na flet për Shpërfytyrimin e Jezusit (Lk 9:28-36). Pasi u ngjit në majë të një mali me Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, Jezusi zhytet në lutje dhe rrezatohet nga drita.
Kështu ai u tregon dishepujve se çfarë fshihet pas gjesteve që ai kryen mes tyre: dritën e dashurisë së tij të pafund”.
“Papa Françesku ndau me besimtarët këto mendime ndërsa - tha ai - po përballem me një periudhë sprove dhe bashkohem me kaq shumë vëllezër dhe motra të sëmurë: të brishtë, në këtë moment, si unë.
Trupat tanë janë të dobët, por edhe kështu, asgjë nuk mund të na ndalojë të duam, të lutemi, të japim veten, të jemi për njëri-tjetrin, në besim, shenja të ndritshme shprese.
Sa dritë shkëlqen, në këtë kuptim, në spitale dhe në vende të kujdesit”, vuri në dukje Ati i Shenjtë.
“Sa vëmendje e dashur i ndriçon dhomat, korridoret, klinikat, vendet ku kryhen shërbimet më të përulura - shtoi ai - duke na ftuar të japim me vete lavdërimin e Zotit, që nuk na braktis kurrë dhe që në momentet e dhimbjes vendos pranë nesh njerëz që pasqyrojnë një rreze të dashurisë së tij”.
Papa Bergolio falenderoi edhe një herë ata që e ndihmojnë me një përkushtim të tillë dhe ata që luten për të.
“E di që shumë fëmijë luten për mua: disa prej tyre shkuan dje te spitali Xhemeli (Gemelli) në shenjë afërsie. Faleminderit fëmijë të dashur! Papa ju do dhe gjithmonë pret t'ju takojë”, tha Papa Bergolio.
Së fundi, ftesa e zakonshme për të lutur për paqen, veçanërisht në vendet e plagosur nga lufta: në Ukrainën e torturuar, në Palestinë, Izrael, Liban, Myanmar, Sudan, Republikën Demokratike të Kongos.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments