Vatikan | “Sot po përjetojmë një katastrofë arsimore. Dhe kjo nuk është një ekzagjerim. Për shkak të luftërave, migrimit dhe varfërisë, afërsisht 250 milionë djem dhe vajza nuk kanë akses në arsim”, tha Papa Françesku në videomesazhin me synimin e lutjes për muajin janar, të transmetuar përmes Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës me temën “Për të drejtën e arsimimit”.
Papa Françesku nënvizon se të gjithë fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtë të ndjekin shkollën, pavarësisht nga situata e tyre migratore.
“Arsimi është shpresë për të gjithë: mund të shpëtojë emigrantët dhe refugjatët nga diskriminimi, rrjetet kriminale dhe shfrytëzimi... Kaq shumë të mitur të shfrytëzuar! Dhe mund t'i ndihmojë ata të integrohen në komunitetet që i mirëpresin”, tha Papa Françesku.
Në video, Papa Françesku shprehet se arsimimi na hap dyert për një të ardhme më të mirë.
Dhe kështu, migrantët dhe refugjatët mund të kontribuojnë në shoqëri, si në vendin e tyre të ri ashtu edhe në vendin e tyre të origjinës, nëse vendosin të kthehen. Dhe të mos harrojmë kurrë se kushdo që mirëpret të huajin mirëpret Jezu Krishtin.
“Ne lutemi që migrantët, refugjatët dhe njerëzit e prekur nga lufta të shohin gjithmonë të respektuar të drejtën e tyre për arsimim, edukimin e nevojshëm për të ndërtuar një botë më humane”, tha Papa Françesku.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments