Pargë, Çamëri | Qyteza e Pargës gjendet në një gji idiliak të Detit Jon, buzë maleve të Epirit.
Nga veriperëndimi Parga kufizohet me Rrapezën, nga juglindja me Shënedjellën, nga lindja me Livadharin, dhe nga perëndimi me Detin Jon.
Parga është një qytezë bregdetar që ndodhet në pjesën veriperëndimore të qarkut të Prevezës.
Ajo është e ndërtuar si një amfiteatër rrëzë brigjeve të detit Jon, me kodrën Bexhevoli (gr: Πετζοβολίος/Petzovolíos) në sfond, i cili, është 139 m i lartë.
Parga ka një popullsi prej 2415 banorësh. Qyteti është selia historike e komunës së Pargës, e cila, ka një popullsi prej 3904 banorësh (sipas Regjistrimit të Popullsisë 2011).
Sot selia e komunës është në Kanallaq, por, qyteti i Pargës është qendra më e rëndësishme ekonomike, tregtare dhe turistike e komunës me të njëjtin emër.
Vendbanimet e tjera të komunës janë Agjia, Rrapeza dhe Livadhari.
Komuna e Pargës i takon qarkut të Prevezës, megjithëse ajo kufizohet territorialisht nga qarku i Çamërisë, dhe është e vendosur në jugperëndim të Epirit, pranë lumit Gliqia.
Parga është rreth 68 km larg nga Preveza, dhe 40 km nga Gumenica, dhe ndodhet përballë ishujve piktoreskë Pakso dhe Antipakso.
Nga vitet 1950, në Pargë ka një gjykatë, zyrë tatimore, zyrë pyjëtarie, dogana, dhomë agronomësh, gjimnaz dhe shkolla fillore.
Parga ka disa kisha. Qyteza i ka ruajtur relativisht mirë fortifikimet historike, ndërsa, në anën e djathtë, qëndron kështjella mesjetare e Pargës, me shumë ndërtesa brenda mureve të saj, e cila, mbron anën jugperëndimore të qytezës.
Sot, Parga është vendpushim turistik nga më të njohurit në rajon. Pranë janë plazhet Krioneri, Pezo Krioneri (brenda vendbanimit Pargë), Vallto dhe Saraqini në perëndim, Lihno dhe Ajanaq në lindje.
Përballë qytezës, në anën e jugut, është një ishull piktoresk ku ndodhet K(l)isha e Shënmërisë, dhe ka ndërtesa mesjetare të periudhës venedikase dhe asaj franceze.
Parga është një nga destinacionët më popullare e turistike në Epirin që është nën administrimin e Greqisë, dhe është ndërtuar në rrëzën të një kështjelle venedikase.
Gjatë muajve të verës, Parga është e lidhur çdo ditë nga një anije me Pakson dhe Andipakson.
Ajo ka gjithashtu edhe shërbime traget për në Spllancë, Korfuz dhe Santa Maura (sot: Λευκάδα/Lefkádha).
Në muajin gusht në Pargë pushojnë mijëra turistë nga Italia, Gjermania, Britania e Madhe, por edhe nga vendet e Ballkanit.
Qyteza e Pargës ka tri plazhe të mrekullueshme: Lihno, Vallto dhe plazhin pranë portit.
Falë zhvillimit të turizmit shumë banorë të Pargës janë kthyer nga mërgimi, kryesisht nga Gjermania, ku kishin shkuar si punëtorë krahu në vitet 50-të dhe 60-të, kur Greqia ishte një vend i varfër.
Ata në vendlindjen e tyre kanë hapur tavern, dhe kanë ndërtuar shtëpi, të cilat i japin me qira gjatë sezonës turistike.
Para Luftës së Dytë Botërore, Pargë kishte këto lagje: Korkocaqi, Krioneri, Pazar i Vjetër, Trafa dhe Pazari-Turk (lagjet pranë kalasë).
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Comments