PARLAMENTI HUNGAREZ MIRATOI NJË AMENDAMENT TË KUSHTETUTËS | BURG PËR ATA QË MBAJNË DROGË ME VETE; KUSHDO KA TË DREJTË TË PAGUAJË ME PARE TË THATA (KESH); MBROJTJE TË FËMIJËVE NGA IDEOLLOGJITË.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 6 days ago
- 2 min read

Budapest, Hungari | Parlamenti hungarez ka miratuar një amendament të Kushtetutës që kufizon ndjeshëm liritë civile dhe të drejtat e njeriut.
Këtë e kanë bërë të ditur mediat vendore.
Amendamenti mbulon një spektër të gjerë çështjesh. Në qendër të reformës është përparësia e të drejtave të fëmijëve për zhvillimin e duhur fizik, intelektual dhe moral ndaj të drejtave të tjera themelore, përveç të drejtës për jetë, duke përfshirë lirinë e tubimit paqësor.
Amendamenti gjithashtu lejon përdorimin e njohjes së fytyrës për të gjurmuar dhe gjobitur pjesëmarrësit.
“Qeveria e sheh këtë ndryshim si një mbrojtje kushtetuese kundër ndikimeve ideologjike që kërcënojnë mirëqenien e fëmijëve, veçanërisht në kontekstin e ngjarjeve të tilla si paradat e Krenarisë”, tha zëdhënësi Zoltan Kovacs në një postim në rrjetin social virtual Iks (X).
Ndryshimet në ligjin bazë kanë të bëjnë edhe me përcaktimin e gjinisë. “Seksi i një personi në lindje është një karakteristikë biologjike dhe mund të jetë mashkull apo femër”, thuhet në tekstin e miratuar.
Prandaj, me këtë amendament të ri, njohja ligjore për personat trans dhe interseks është eliminuar.
Një aspekt tjetër ka të bëjë me mbrojtjen e sovranitetit përballë ndërhyrjeve të huaja.
Amendamenti parashikon mundësinë e pezullimit të shtetësisë së shtetasve hungarezë me shtetësi të dyfishtë, nëse kjo paraqet një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Përcaktohet një periudhë maksimale prej dhjetë vjetësh, me mundësi dëbimi për ata që banojnë në Hungari.
Ndryshimet në Kushtetutë kanë të bëjnë gjithashtu me të ashtuquajturat kompetenca emergjente, më së fundi të aktivizuara në shpërthimin e luftës në Ukrainë.
Sipas rregulloreve aktuale, qeveria mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për tridhjetë ditë, e cila, mund të zgjatet nga një shumicë prej dy të tretash të Asamblesë Kombëtare deri në 180 ditë dhe për një numër të pakufizuar herësh.
Këto rregulla do të vazhdojnë të zbatohen, por në të ardhmen, qeveria nuk do të jetë më në gjendje të pezullojë ligjet me dekret ose të derogojë dispozitat e ligjit pa autorizimin e shumicës së dy të tretave të Parlamentit.
Amendamenti i miratuar vendos gjithashtu bazat kushtetuese për vetëmbrojtjen e bashkive, garanton të drejtën e pagesave në para, të përcaktuara nga ligjvënësit si mbrojtje kundër kontrollit dixhital dhe autorizon dënimet me burg për përdorimin ose mbajtjen e drogës, qoftë edhe në sasi të vogla.
Votimit i parapriu protesta e deputetëve të opozitës dhe disidentëve, të cilët, tentuan të pengonin hyrjen e deputetëve të mazhorancës në Parlament.
Protesta po zhvillohen edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments