Kuito, Ekuador | Parlamenti i Ekuadorit ka nisur një procedurë urgjente në Komitetin e Kombeve të Bashkuara kundër zhdukjeve të detyruara, duke kërkuar ndërhyrjen e agjencisë së OKB-së në rastin e zhdukjes së katër adoleshentëve, të moshës 11 deri në 15 vjeç, pas arrestimit nga një patrullë e forcave të armatosura më 8 dhjetor 2024 në qytetin bregdetar të Guajakuil-it.
Deputetët e asamblesë legjislative të Ekuadorit urdhëruan gjithashtu komisionin parlamentar për mbrojtjen e fëmijëve të fillojë një proces hetimi për zhdukjen, gjë që shkaktoi një valë emocionesh dhe indinjate në opinionin publik të vendit.
“Ne duhet të tregojmë fytyrën tonë dhe t'i tregojmë vendit, të gjithë ekuadorianëve, veçanërisht prindërve të Josué, Ismael, Saul dhe Steven, se ku janë fëmijët e tyre”, nënvizoi presidentja e parlamentit të Ekuadorit, Viviana Veloz, në një shënim ku kritikonte ministrin e Mbrojtjes, Komandën e Përbashkët të Forcave të Armatosura dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave Ajrore.
Pas ankesave të familjeve dhe publikimit të pamjeve nga kamerat e vëzhgimit ku shiheshin ushtarët që sulmonin shumë të rinjtë gjatë arrestimit, prokuroria nisi hetimet për të gjurmuar dinamikën e zhdukjes dhe vendndodhjen e fëmijëve.
Sipas versionit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, katër të miturit, të arrestuar në qytetin e Guakakuil-it me akuzën e tentativës për të grabitur një qendër tregtare, janë liruar menjëherë më pas.
Sipas rindërtimit të babait të njërës prej viktimave, i cili, mori një telefonatë nga djali i tij pesëmbëdhjetë vjeç përpara se të zhdukej, të katërt ishin transportuar në bazën e forcave ajrore ushtarake në qytetin e Taura, 40 kilometra nga Guajakuil-i nga ku humbën gjurmët.
Nga ana e tij, presidenti Daniel Noboa përsëriti se kushdo që është i përfshirë në këtë çështje do të përgjigjet për atë që ndodhi.
“Ne nuk do të mbulojmë askënd, do të mbrojmë parimin e drejtësisë sociale”, tha ai.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments