PASOJAT BOTËRORE TË GJYQIT PENAL NDAJ ISH-PRESIDENTIT AMERIKAN DONALD TRAMP.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Apr 29, 2023
- 5 min read

Nga: z. Federiko Rampini. Në çfarë bote do të jetonim, nëse z. Donald Trump do të kishte qenë në Shtëpinë e Bardhë në vend të z. Xho Baidën (Joe Biden) në fillim të vitit 2022, kur z. Vladimir Putin vendosi të pushtonte Ukrainën? Në çfarë bote do të jetojmë nëse Tramp rikthehet në Shtëpinë e Bardhë? Apo nëse që nga janari i vitit 2025, SHBA-ja do të ketë në krye një tjetër president republikan, të ndikuar nga Trampizmi? Këto janë pyetjet që po bën pjesa tjetër e botës. Më shumë se të vlerësojnë qëndrueshmërinë e pretendimeve të prokurorit Alvin Bragg (të paqëndrueshme, edhe sipas shumë demokratëve të spikatur), më shumë sesa të përfshihen në ndërlikimet e një procesi penal të shtyrë për shumë muaj, më shumë sesa të bëjnë gjykime përfundimtare mbi gjendjen e demokracisë amerikane, evropianët, kinezët, rusët, indianët dhe gjithë ata që banojnë jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të dëshironin të kishin një lloj ideje mbi politikën e jashtme të ardhshme të superfuqisë kryesore të botës. Gjyqi ndaj z. Tramp mund të jetë një “kala prej rëre”, një teoremë e njollosur nga partishmëria e një prokurori të shumëpërfolur. Por, ai ngre pikëpyetje në të gjithë botën mbi forcën dhe vazhdimësinë e lidershipit amerikan, si për shembull mbi Luftën e Ukrainës. Natyrisht vetë z. Tramp nuk ka dyshime për këtë. Ai ka përsëritur disa herë dy deklarata. “Nëse do të isha president, z. Putin nuk do të kishte pushtuar Ukrainën”. “Vetëm unë mund të parandaloj një Luftë të Tretë Botërore”. Por historia hipotetike, ajo e bërë me “nëse”, është sipas përkufizimit një histori fiktive, e cila nuk ka një rigorozitet shkencor. Ajo është një ushtrim i dobishëm, vetëm nëse trajtohet me shumë maturi, duke deklaruar paraprakisht kufijtë e saj. Ndonjëherë shërben për të hedhur dritë mbi dyshimet dhe kontradiktat në lidhje me historinë reale. Sa për t’ia filluar, çfarë elemente ekzistojnë për të mbështetur pretendimet e z. Tramp? Atij duhet t’i jepet njëfarë besueshmërie. Z. Putin e ka pushtuar Ukrainën dy herë, në vitin 2014 kur arriti të aneksonte Krimenë, dhe më pas më 24 shkurt 2022. Në të dyja rastet, zgjodhi të sulmonte kur në Shtëpinë e Bardhë ishte një president demokrat, z. Barack Obama në vitin 2014 dhe z. Xho Baidën në vitin 2022. Kjo nuk është provë se ai nuk do të kishte sulmuar gjatë presidencës së z. Tramp, por mund të vërtetojë idenë se presidentëve demokratë u mungon aftësia parandaluese në krahasim me një person si z. Tramp. Për më tepër, diktatorët e tjerë, nga z. Assad në Siri tek z. Kim i Koresë së Veriut, guxuan të ndërmarrin veprime më agresive nën z. presidencën e z. Obama dhe të z. Baidën, sesa gjatë mandatit të parë 4-vjeçar z. të Tramp. Por ndryshe nga klishetë, z. Tramp nuk e ka treguar veten si një luftënxitës. Nën presidencën e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk nisën ndërhyrje të reja ushtarake jashtë vendit. Përkundrazi përgatitën tërheqjen nga Afganistani (që më vonë u zbatua shumë keq nga z. Baidën). Në thelb, z. Tramp ia atribuon vetes besueshmërinë ndërkombëtare të atij që arrin t’i fusë frikën kundërshtarit pa pasur nevojë të përdorë mjete ushtarake. Në atë kohë, dikush rikujtoi “teorinë e udhëheqësit të çmendur” (e cila u përdor dikur për z. Richard Nixon), nëse do të mundesh ta bësh armikun të besojë se mund të përdorësh çdo gjë kundër tij, përfshirë armët bërthamore, atëherë mund ta mposhtësh pa luftë. Tek e fundit, është teoria që z. Putin po e përdor prej muajsh kundër Perëndimit, duke përsëritur kërcënimet e tij bërthamore me një rregullsi të përpiktë. Një version tjetër i historisë, më pak i favorshëm për z. Tramp, ka të bëjë me akuzën se ai do të kishte shmangur vërtet luftën në Ukrainë, por duke ia dhënë atë z. Putin. Dhe kjo mund të bëhej me një nga ato marrëveshjet – të hapura apo nën tryezë – të cilat ishin gati të bëheshin në janarin e vitit 2022 prej shumë liderë evropianë, mjaft që të shmangej pushtimi. Z. Tramp ka qenë gjithmonë dyshues ndaj Ukrainës në përgjithësi dhe ndaj z. Vlodymir Zelenski në veçanti. Ndërkaq, ai ka pasur gjithmonë një simpati për z. Vladimir Putin. Ndoshta ai mund ta kishte shmangur pushtimin e Ukrainës, por duke i dhënë Rusisë një të drejtë të përhershme për ndërhyrje në politikën e Kievit, ndoshta me një marrëveshje mbi një neutralitet pro-rus, dhe me një veto të përhershme të Moskës kundër pranimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe NATO. Gjithsesi jemi në fushën e hipotezave, edhe pse ndoshta të mundshme për t’u bërë realitet. Unë do të shtoja se këto lloj lëshimesh ndaj z. Putin, të cilat z. Makron, apo z. Sholc (Scholzy do t’i kishin nënshkruar pa hezitim, përputhen me logjikën e kompromisit midis superfuqive, që teorizohet nga doktrina gjeopolitike më konservatore, nga realpolitika e të djathtës. Dhe fakti që koston e paguajnë popujt më të vegjël, cilësohet një dëm anësor i pashmangshëm, si e keqja më e vogël për të shmangur konfliktet e drejtpërdrejta mes superfuqive. Një përgjigje kritike ndaj pyetjeve hipotetike të mësipërme duhet të përfshijë çështjen e aleancave. Z. Tramp, e lavdëron rekordin e tij në politikën e jashtme, sepse ai nuk nisi luftëra të reja dhe frenoi lakminë e diktatorëve. Megjithatë, z. Baidën ka aftësinë që ta ribashkojë Perëndimin, të ripërtërijë rolin origjinal të NATO-s (tani e përforcuar me Finlandën dikur neutrale), dhe forcojë aleancat edhe në Lindjen e Largët me Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dheFilipinet. Aleatët dhe partnerët u keqtrajtuan jo rrallë nga z. Tramp, që në këtë mënyrë e privoi veten nga një burim i vlefshëm. Në lidhje me Kinën, ai mundi të argumentojë se kishte të drejtë, se ai u hapi sytë e amerikanëve ndaj rrezikut që paraqet Pekini. Zgjedhjet e z. Baidën në këtë aspekt e kanë konfirmuar vizionin e z. Tramp. Ndërsa udhëheqësi republikan u kritikua kur ishte në Shtëpinë e Bardhë për tarifat që vendosi ndaj produkteve kineze, z. Baidën nuk i shfuqizoi ato. Madje u shtoi atyre një embargo ndaj eksporteve të teknologjisë. Vazhdimësia në politikën e SHBA-së ndaj Kinës, mund të shihet si një konfirmim se Trampizmi në këtë aspekt ka bërë për vete edhe njerëz në të majtën e shoqërisë amerikane. Çfarë do të thotë kjo në të ardhmen? Në rast se hetimi i prokurorit Alvin Bragg dp të risjellë z. Donald Tramp në qendër të vëmendjes botërore, ndoshta për të shtuar shanset e tij ndaj kandidatëve të tjerë republikanë për nominimin zyrtar, çfarë pasojash mund të ketë kjo mbi politikën e jashtme të ardhshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Ne kemi parë javët e fundit se një nga rivalët e mundshëm të z. Tramp në Partinë Republikane, guvernatori i Floridës z. Ron DeSantis, u ndje i detyruar të ndiqte bazën trampiane duke shfaqur një qasje “izolacioniste” në raport me Ukrainën. Ai e përkufizoi luftën atje si “një mosmarrëveshje territoriale, që nuk rrezikon interesat jetike të Shteteve të Bashkuara tw Amerikws”. Por ky qëndrim u kritikua ashpër nga disa republikanë të tjerë, ndaj z. DeSantis u detyrua të tërhiqej. Megjithatë, deklarata e tij ishte domethënëse për atë që mund të shohim në vazhdim. Ai i ka dërguar pjesës tjetër të botës sinjalin se zgjedhjet e ardhshme presidenciale – sidomos nëse z. Tramp luan një rol udhëheqës në to – do të vënë në pikëpyetje disa zgjedhje specifike të administratës sw z. Baidën. Në këtë kuptim, më shumë sesa akuzat e brishta të akuzave të prokurorit Bragg kundër z. Tramp, pjesa tjetër e botës po analizon pasojat e saj, në popullaritetin e tij tek e djathta në SHBA dhe kudo në botë.
Comments