top of page
E BARDHË SHIRIT.png

PO HYJMË NË NJË EPOKË TË RE TË PERANDORIVE …

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Apr 1
  • 5 min read

Nga z. Nik Timothi (Nick Timothy).

Londër, Britani e Madhe | Përderisa Theodor Ruzvelti (Theodore Roosevelt) thoshte se Amerika duhet të flasë butë dhe të mbajë një shkop të madh, presidenti i sotshëm i saj nuk ngurron të ngrejë zërin dhe të tregojë arsenalin modern gjigant që ka prapa vetes.

 

Kanë hutuar botën kërcënimet për të pushtuar Kanalin e Panamasë, për të aneksuar Grenlandën dhe për të përthithur Kanadanë në Shtetet e Bashkuara.

 

Shpjegimi, si gjithmonë, kthehet te Kina.

 

Vendimi amerikan për të lejuar hyrjen e Kinës në sistemin botëror të tregtisë - me kushtet që pranoi dhe pa asnjë përpjekje serioze për të reformuar apo zbatuar rregullat e tregtisë ndërkombëtare - do të mbahet mend si një nga gabimet më të mëdha strategjike në historinë botërore.

 

Sot Kina mbetet një vend në zhvillim, sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, çka i siguron asaj trajtim të veçantë dhe të diferencuar.

 

Kështu, ajo shmang rregullat që u imponohen vendeve perëndimore, që nga ato për qasjen në treg dhe të drejtat e pronësisë intelektuale, deri te afatet për zbatimin e marrëveshjeve të reja.

 

Kina e ka shfrytëzuar këtë liri duke përdorur tarifa doganore, duke ulur me qëllim kostot e prodhimit, duke hedhur në treg produkte nën çmimin real, duke vendosur kushte ndëshkuese për firmat e huaja që veprojnë brenda kufijve të saj, dhe duke vjedhur në shkallë industriale pronën intelektuale të vendeve dhe kompanive rivale.

 

Presidenti Klinton (Clinton), i cili, negocioi dhe ratifikoi marrëveshjen tregtare të Amerikës me Kinën në vitin 2000, premtoi se kjo do t’u lejonte ShBA-ës të eksportonin produkte pa eksportuar vende pune, dhe parashikoi që Kina do të importonte një nga vlerat më të çmuara të demokracisë: lirinë ekonomike.

 

Në vend të kësaj, diktatura komuniste u bë më e fortë dhe më shtypëse, dhe e manipuloi sistemin botëror të tregtisë për të forcuar ekonominë e vet, duke shkatërruar njëkohësisht në mënyrë sistematike kapacitetin prodhues të Perëndimit.

 

Me mbylljen e dhjetëra mijëra fabrikave amerikane, pas anëtarësimit të Kinës në OBT, dhe humbjen e miliona vendeve të punës, ekonomia kineze u rrit nga 1.66 trilionë dollarë në vitin 2003 në 17.79 trilionë dollarë në vitin 2023.

 

Sipas Bankës Botërore, ajo tani përbën 29 për qind të vlerës së prodhimit industrial global.

 

Me fuqinë ekonomike dhe tregtare vjen edhe prania gjeopolitike dhe nevoja për projeksion ushtarak.

 

Shi Xhinping (Xi Jinping) ka ndërtuar marinën më të madhe në botë dhe ka zhvilluar sisteme shumë të avancuara armësh, përfshirë raketat hipersonike.

 

Simulimet e luftës nga Pentagoni tregojnë se Amerika do ta humbte një luftë në Paqësor kundër Kinës.

 

Hong-Kongu është shtypur dhe Tajvani është në shënjestër të Xhinpingut (Jinpingu). Pekini është i zënë duke ndërtuar baza ushtarake në Detin e Kinës Jugore.

 

Politika e saj është të dominojë Afrikën dhe të kontrollojë mineralet e saj, ndërkohë që ka arritur të fusë në kurth disa vende evropiane - përfshirë Britaninë - duke i varur ato nga tregtia dhe investimet kineze.

 

Administrata Tramp (Trump) është e shqetësuar se Kanali i Panamasë - dikur i kontrolluar nga Amerika, por tani i menaxhuar nga një agjenci e qeverisë panameze - mund të bjerë nën ndikimin kinez.

 

Portet në skajet atlantike dhe paqësore të Kanalit operohen nga CK Hutchison, një kompani kineze me seli në Hong-Kong. “Ne ia dhamë Kanalin e Panamasë, Panamasë”, ka thënë Trampi (Trump). “Nuk ia dhamë Kinës”.

 

Ndërkohë, Kina është vetëshpallur si një shtet afër-Arktikut, një term që nuk ka asnjë kuptim ligjor dhe as nuk qëndron gjeografikisht.

 

Por, me shkrirjen e akullnajave dhe hapjen e rrugëve të reja detare, distancat detare mes tregjeve mund të shkurtohen me mijëra milje.

 

Arktiku gjithashtu përmban rezerva të mëdha nafte, gazi dhe të mineraleve natyrore. Tërheqja për fuqitë rivale është e qartë dhe kjo shpjegon kërcënimet amerikane ndaj Grenlandës dhe Kanadasë.

 

Si gjithmonë, është e vështirë të kuptosh se si duhet marrë ajo që thotë Trampi (Trump).

 

Kanadaja nuk do të bëhet shteti i 51-të i ShBA-ës dhe duket e pamundur që ShBA-ja të përdor forcën ushtarake për të marrë Grenlandën nga Danimarka.

 

Por, ai thellë ndien fuqinë amerikane dhe nuk ngurron ta përdorë atë. Si në rastin e politikës së tij për mbrojtjen e Evropës, qëndrimi agresiv duket se është projektuar për të detyruar vendet aleate të bëjnë atë që ai dëshiron: të sigurojnë territore rreth Arktikut dhe të lejojë shfrytëzimin e tyre në interes të Amerikës.

 

Ashtu si me shpenzimet për mbrojtjen evropiane, Trampi (Tramp) mund ta arrijë qëllimin që ka, ndonëse nënvlerëson rëndësinë e besimit afatgjatë dhe të reciprocitetit mes vendeve që zakonisht janë aleate.

 

Trajtimi i Danimarkës dhe Kanadasë - vende që kanë humbur jetë njerëzish në luftërat e Lindjes së Mesme në mbështetje të Amerikës - ka qenë veçanërisht i hidhur.

 

Ky mund të jetë imperializmi i ri amerikan, por Amerika ka qenë gjithmonë imperialiste.

 

Shtetet e Bashkuara që shohim sot në hartë janë formuar përmes pushtimit dhe okupimit, dhe - në rastet e Luizianës, Floridës dhe Alaskës - përmes blerjes, që është një opsion që Trampi (Tramp) ka përmendur për Grenlandën.

 

Amerika ka pasur gjithashtu koloni, si Filipinet, të cilat fituan pavarësinë vetëm në vitin 1946.

 

Imperializmi tradicional amerikan ishte i maskuar me gjuhën e liberalizmit, institucioneve ndërkombëtare dhe një rendi të bazuar në rregulla.

 

Por, realiteti ka qenë gjithmonë ndjekja dhe projeksioni i fuqisë amerikane.

 

Mendoni për ndërhyrjet amerikane në Amerikën Latine, dhe për politikat si dërgimi i fshehtë i të burgosurve (extraordinary rendition) dhe ekstradimi i biznesmenëve të huaj për shkelje jashtë juridiksionit amerikan.

 

Për ata që besojnë se Trampi (Tramp) është veçanërisht i ashpër me aleatët, kujtoni çmimin që Amerika i kërkoi Britanisë për mbështetjen gjatë Luftës së Dytë Botërore, rolin e saj në krizën e Suezit dhe qasjen ndaj Irlandës së Veriut.

 

Megjithatë, pavarësisht këtyre rrjedhave, ajo që shohim tani është diçka ndryshe.

 

Më shumë se më parë, Amerika po vepron haptazi. Ajo jo vetëm që sillet me ashpërsi ndaj aleatëve, por duket sikur beson se mund të bëjë gjithçka që dëshiron ndaj tyre.

 

Sado të justifikuara të jenë zhgënjimet e saj me vendet evropiane, ajo po djeg ura ndërkohë që përgatitet për përballje - e ndoshta edhe konflikt - me Kinën.

 

Por, nëse dëshiron ta shkëpusë Evropën nga tregtia dhe investimet kineze, dhe nëse e pranon se ky nuk është vetëm një rivalitet mes perandorive, por një përplasje civilizimesh, këta janë hapa të pamatur.

 

Edhe aleatët e saj duhet të jenë të kujdesshëm.

 

Ashtu siç Britania nuk duhet ta nënshtrojë sigurinë e saj kombëtare ndaj interesave të të tjerëve në Evropë, po ashtu nuk duhet të bëhemi pjesëmarrës të pakushtëzuar - “Gurkat e Amerikës”, siç e shpreh Aris Roussinos - në çdo politikë të jashtme apo operacion ushtarak të ShBA-ës.

 

Udhëheqja amerikane në botë është e preferueshme ndaj çdo alternative realiste, por në këtë epokë të re dhe të rrezikshme të perandorisë, duhet të jemi të qartë për interesin tonë kombëtar.

 

Trampi (Trumpi) thotë se dëshiron të vendosë Amerikën të parën - ndaj, edhe ne duhet të vendosim gjithmonë vendin tonë në vend të parë.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page