POGRADEC: LEONIDHA GUÇE U VENDOS NËN HETIM PENAL PËR “VRASJE ME DASHJE” | AKUZOHET SE USHTROI DHUNË FIZIKE MBI EGLI PROGËN DUKE I SHKAKTUAR VDEKJEN; NË BURG ËSHTË EDHE DENIS MEÇE DHE ANDI SHKULLAKU.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 16 minutes ago
- 2 min read

Lokali “Stropcka”, Pogradec, Shqipëri | Prokuroria e Korçës në kuadër të hetimeve penale paraprake për vrasjen e z. Egli Proga vendosi në hetim për shkelje penale të parashikuar si “vrasje me dashje”:
1- Z. Leonidha Guçe.
Në hetim për të njëjtën vepër penale është edhe:
1- Z. Denis Meçe.
Tashmë është arrestuar edhe:
1- Z. Andi Shkullaku (dëshmitar okular i ngjarjes kriminale, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzim krimi” dhe “Deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore”).
Z. Shkullaku e ka parë skenën e krimit dhe këtë qenë i pranishën në vendin e ngjarjes kriminale, por, më pas, është larguar nga atje.
Njoftim | Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, u arrestua në flagrancë shtetasi A.Sh., i dyshuar për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore’ parashikuar nga neni 300 dhe 305/b i Kodit Penal, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 10.08.2024 ku shtetasi Egli Proga humbi jetën si pasojë e goditjeve të marra.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1466, të datës 12.08.2024, regjistruar për veprën penale ‘Vrasje me dashje’ ndaj shtetasit në hetim D.M., të dhëna të reja kanë dalë në dritë pas rrëfimit të të pandehurit dhe ballafaqimit të të akuzuarve të përfshirë në këtë ngjarje.
Nga hetimet, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, arriti të zbulojë se viktima, shtetasi E.P., është goditur dhunshëm jo vetëm nga shtetasi D.M., por edhe nga shtetasi L.G. i cili ka qenë i pranishëm në të njëjtin lokal në momentin kur ka ndodhur ngjarja.
Për rrjedhojë, ky shtetas, aktualisht me masë sigurie ‘Arrest në burg’ për veprat penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore’, tashmë është nën hetim për veprën penale ‘Vrasje me dashje’ e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 76 e 25 i Kodit Penal.
Në analizë të akteve të administruara në këtë procedim penal, rezultoi se arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Sh., u bë në përputhje me kriteret ligjore, pasi duke qenë në cilësinë e dëshmitarit okular të ngjarjes së datës 10.08.2024, ku ka mbetur i vdekur viktima shtetasi E. P., ai me dashje dhe me qëllim ka mbuluar një prej autorëve të kësaj ngjarje, e më konkretisht shtetasit L. G. me të cilin kishte marrëdhënie të ngushta shoqërore.
Ky shtetas, jo vetëm që nuk ka kallëzuar krimin e ndodhur, por ka dhënë deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore, duke mohuar në mënyrë kategorike se ndaj viktimës ishin kryer veprime të dhunshme në brendësi të lokalit “Stropcka”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments