POLITIKA E JASHTME E TURQISË PAS ZGJEDHJES SË ERDOGANIT | TURQIA: PJESA E DYTË.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Sep 17, 2023
- 5 min read

Nga z. Emanuel Karajanis (Emmanuel Karagiannis)*.
*Dr Emmanuel Karagiannis është një lexues në sigurinë ndërkombëtare në Departamentin e Studimeve të Mbrojtjes në King's College në Londër.
Londër, Britani e Madhe | Historia e suksesit të z. Rexhep Taip Ergogan (Recep Tayyip Erdoğan) mbetet një enigmë për shumë analistë. Ai ka fituar më shumë zgjedhje se çdo politikan tjetër në historinë e Republikës Turke.
Partia e tij AKP ka ofruar shërbime të gjera sociale, dhe programe të mirëqenies për miliona turq, duke mbështetur politikat pro-biznesit.
Për më tepër, partia ka nënvizuar rëndësinë e vlerave konservatore, të bazuara kryesisht në Islam, për të fituar një avantazh moral ndaj konkurrentëve të tij. Nuk është rastësi që z. Erdogan e ka thirrur gjithnjë e më shpesh emrin e Zotit.
Në këtë sfond, presidenti turk ka promovuar një nocion të ri të nacionalizmit, që thekson identitetin mysliman, si elementin përcaktues të turqizmit.
AKP pretendon se vepron si një forcë demokratizimi ,që përfaqëson shumicën e popullsisë, kundër një pakice të vogël turqish jo të vërtetë.
Kështu, partia ka tërhequr kryesisht mbështetje nga myslimanët e devotshëm sunitë, të cilët, ishin kryesisht të margjinalizuar nga regjimi kemalist për dekada. Nuk është çudi që politika e jashtme turke është ndikuar nga islamo-nacionalizmi i z. Erdogan.
Nën Presidentin Erdogan, Turqia ka ndjekur një strategji bindëse ndaj fqinjëve të saj. Ushtria turke është përfshirë në konfliktet në Siri dhe Irak, me sa duket vetëm për të ndjekur kryengritësit kurdë.
Ndërsa faktori kurd peshon shumë në llogaritjet e Ankarasë në rajon, ekziston një element ideologjik që nuk mund të hidhet poshtë lehtë.
Si Siria, ashtu edhe Iraku, tani janë shtete të dështuara, që dikur ishin pjesë e Perandorisë Osmane. Z. Erdogan ka shpikur termin “kufijtë e zemrës sonë”, për të sfiduar shenjtërinë e kufijve ekzistues në rajon.
Prandaj, inkursionet turke në Siri dhe Irak ka të ngjarë të vazhdojnë.
Për më tepër, AKP është përpjekur të eksportojë modelin e vet të qeverisjes në vende të tjera me shumicë myslimane. Në vitin 2012, për shembull, z. Erdogan vizitoi Egjiptin, Libinë dhe Tunizinë pas Pranverës Arabe, për të promovuar modelin e AKP-së.
Edhe pse oferta e tij u perceptua nga shumë njerëz si ndërhyrje në punët e brendshme të këtyre vendeve, lideri turk ka mbetur i popullarizuar në mesin e publikut arab.
Ai ka krijuar një reputacion të një politikani të ndershëm, dhe të drejtpërdrejtë, që mbështet kauzat myslimane. Udhëheqja turke ka kërkuar të normalizojë marrëdhëniet e saj me regjimin Sisi në Egjipt.
Kjo përpjekje do të vazhdojë edhe në muajt në vijim. Megjithatë, ndërhyrja ushtarake e Ankarasë në Libi, ka prodhuar pasiguri, mbi synimet turke në Afrikën e Veriut.
Në fund të nëntorit 2019, nënshkrimi i marrëveshjes turko-libiane, për përcaktimin e kufijve, zemëroi Athinën dhe Kajron, të cilat, mbeten skeptike për praninë e Ankarasë në vendin e shkatërruar nga lufta.
Për më tepër, thirrja e z. Erdogan për rishikimin e Traktatit të Lozanës, i cili, vendosi kufijtë e Turqisë me Greqinë, nuk është një zhvillim i rastësishëm.
Zyrtarët turq kanë lënë të kuptohet për pretendime territoriale kundër Greqisë, megjithëse ishujt e Egjeut Lindor janë të populluara ekskluzivisht nga grekë.
E megjithatë, kjo është vetëm një pjesë e vizionit të Mavi Vatan (Atdheu i ujit të kaltër), që z. Erdogan dhe togerët e tij e kanë miratuar hapur vitet e fundit.
Ajo u deklarua për herë të parë nga udhëheqja turke në vitin 2019, duke pretenduar një sipërfaqe detare prej 178000 miljesh katrorë për Turqinë.
Ankaraja ka dërguar gjithashtu anije shpuese në Zonën Ekonomike Ekskluzive qipriote, duke zemëruar Nikosinë dhe BE-në.
Në dhjetor 2019, Kongresi i SHBA-ës miratoi Aktin e Sigurisë dhe Partneritetit të Energjisë në Mesdheun Lindor, për të mbështetur bashkëpunimin energjetik midis SHBA-së, Greqisë, Qipros dhe Izraelit.
Përfshirja e shtuar e SHBA-së në rajon nuk është perceptuar nga Ankaraja si një zhvillim pozitiv. Por, Ankaraja ka rënë dakord të rivendosë marrëdhëniet e plota diplomatike me Jerusalemin, pavarësisht shpërthimeve të herëpashershme retorike drejtuar udhëheqjes izraelite.
Edhe pse tërmeti i fundit katastrofik në provincën Hatai (Hatay), ka çuar në një afrim greko-turk, Ankaraja nuk do të braktisë lehtësisht pretendimet e saj në Mesdheun Lindor.
Në çdo rast, pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar në mënyrë dramatike dinamikën e sigurisë në rajonin e gjerë. Ankaraja jo vetëm që ka shmangur vendosjen e sanksioneve anti-ruse, por ka thelluar partneritetin e saj me Moskën.
Tregtia midis dy vendeve u dyfishua në nëntë muajt e parë të 2022, krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 47 miliardë dollarë. Për më tepër, turistët rusë në Turqi kanë rritur ndjeshëm industrinë e turizmit turk ,për shkak të kufizimeve të udhëtimit në Bashkimin Evropian.
Kompania ruse Rosoboronexport ka shitur gjithashtu sisteme armësh për forcat e armatosura turke, duke përfshirë sistemin e avancuar të raketave S-400.
Rusia është furnizuesi më i madh i gazit natyror të Turqisë, kryesisht përmes tubacionit nëndetësor Blue Stream; Moska gjithashtu ndërton termocentrale të reja bërthamore në vend.
Në të njëjtën kohë, Turqia ka furnizuar forcat e armatosura ukrainase me automjete luftarake Arial pa pilot, dhe ka refuzuar të njohë aneksimin e Krimesë, dhe provincave të tjera të Ukrainës.
Për më tepër, regjimi i z. Erdogan ka shprehur shqetësime për të drejtat e njeriut, të pakicës myslimane tatare, në Krimenë e pushtuar nga Rusia.
Ndoshta më e rëndësishmja, Turqia ishte thelbësore në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje, për të lejuar eksportet e grurit, nga portet e Ukrainës, përmes një korridori të sigurt në Detin e Zi.
Qëndrimi neutralist i Turqisë ka përkeqësuar marrëdhëniet e saj me Uashingtonin, i cili, kërkon të formojë një front të unifikuar kundër Moskës.
Statusi i tmerrshëm i ekonomisë turke mund ta detyrojë z. Erdogan të de-përshkallëzojë tensionet me vendet perëndimore.
Megjithatë, Ankaraja ka shumë pak gjasa të kthehet kundër Moskës, siç bënë vendet e tjera të NATO-s. Pavarësisht shpresave perëndimore, ka një mbështetje të brendshme në rritje, për një ndryshim euroaziatik, në politikën e jashtme turke.
Në Kaukazin e Jugut, Ankaraja ka ruajtur marrëdhëniet e saj të veçanta me Bakunë. Në vjeshtën e vitit 2020, suksesi i Blitzkrieg-it të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabakh iu besua pjesërisht mbështetjes ushtarake turke.
Normalizimi aktual i marrëdhënieve me Armeninë, do të vazhdojë për aq kohë, sa Jerevani mbetet i izoluar, dhe është nën kërcënimin e përballjes me një krizë më të madhe politike.
Gjatë mandatit të tij të tretë, regjimi i z. Erdogan mund të tregojë më shumë interes për zhvillimin e marrëdhënieve më të ngushta me republikat turke të Azisë Qendrore.
Në përgjithësi, Turqia është përpjekur të mbajë një politikë të jashtme të pavarur, duke u distancuar nga Perëndimi.
Ndonëse kjo nuk ka qenë gjithmonë e mundur, është e qartë se politika e jashtme turke, është e drejtuar ideologjikisht dhe gjeopolitikisht në mënyrë ambicioze.
Ankaraja do të mbajë një rol aktiv në Detin e Zi, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Mesdheun Lindor, për pesë vitet e ardhshme. Padyshim që Turqia e z. Erdogan aspiron të bëhet një fuqi rajonale, dhe politika e saj e jashtme, do ta pasqyrojë këtë fakt.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Comments