PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË BAJRAM BEGAJ PRANOI SOT LETRAT KREDENCIALE TË AMBASADORES SË RE TË HUNGARISË NË SHQIPËRI MARTINA KASNIK (KASNYIK).
- Agjencia Telegrafike Vox
- Sep 19, 2024
- 1 min read
Tiranë, Shqipëri | Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj pranoi sot letrat kredenciale të ambasadores së Hungarisë në Shqipëri, Martina Kasnik (Kasnyik).
Gjatë takimit me ambasadoren e Hungarisë, presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë politik midis dy vendeve.
Bashkëpunim që mbështetet në një miqësi tradicionale dhe një marrëdhënie që shtrihet në mjaft fusha të interesit të përbashkët.
Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e Hungarisë për integrimin evropian të Shqipërisë si të një avokati shumë aktiv, si dhe falënderoi Hungarinë për ekspertizën e vlefshme që po i ofron Shqipërisë në procesin paraprak të integrimit në BE.
“Shqipëria dhe Hungaria janë partnerë të rëndësishëm në NATO. Ne i jemi mirënjohës Hungarisë si vendi i parë që ratifikoi Protokollin e Aderimit të Shqipërisë në NATO”, tha presidenti Begaj.
Presidenti Begaj u shpreh se e vlerëson shumë rritjen e vazhdueshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, vecanërisht investimet në fushën bankare, të komunikimit dhe të transportit, si dhe përshëndeti inkurajimin dhe mbështetjen hungareze për hapjen e tregut të saj për produktet shqiptare.
Presidenti Begaj veçoi si shumë të vlefshëm për rritjen e turizmit në Shqipëri vendimin e kompanisë WizzAir për të rritur numrin e fluturimeve direkte nga Tirana drejt destinacioneve të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments