Buenos Aries, Argjentinë | Presidenti i Argjentinës, ultra-liberali Javier Milei, ka sulmuar edhe një herë kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, duke thënë se ai është frikacak dhe se po aplikon modelin e presidentit të Venezuelës, Niukolas (Nicolas) Maduro në kushtet e lirisë së shprehjes.
Ai këtë e deklaroi në një intervistë televizive të dhënë pak orë pas nisjes së tij për në Madrid, ku të premten do të marrë një çmim nga Instituti Juan de Mariana dhe ku në rendin e ditës ka një takim me kryetaren e Komunitetit të Madridit, Isabel Diaz Ayuso, nga Partia Popullore konservatore.
Dje qeveria e Madridit i kërkoi shprehimisht presidentit argjentinas përmes zëdhënëses së tij Pilar Alegria që të manifestojë respektin e duhur ndaj popullit spanjoll dhe institucioneve të tij.
Mbretëria e Spanjës tashmë ka tërhequr ambasadorin e saj në Buenos Aires pas akuzave të presidentit Milei për korrupsion kundër gruas së kryeministrit Sançez (Sanchez) gjatë udhëtimit të saj të mëparshëm në Spanjë.
Përveç vizitës së shkurtër në Spanjë, axhenda europiane e udhëheqësit ultra-liberal përfshin një ndalesë në Gjermani, ku do të marrë një çmim nga Shoqëria Hayek - të shtunën - dhe ku do të takohet me kancelarin gjerman Olaf Sholc (Sholz), të dielën.
Të hënën më 24 qershor, presidenti Milei pritet në Pragë për një takim me kryeministrin e Republikës Çeke, Petr Fiala dhe kthimi në Buenos Aires është planifikuar të martën më 25 qershor 2024.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments