PROKURORIA E POSAÇME KËRKOI DËNIMIN ME 1 VIT BURG PËR DREJTORESHËN E ARRESTUAR TË BASHKISË SË TIRANËS DEBORAH KEÇI.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 4 hours ago
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin me 1 vit heqje lirie për drejtoreshën e klubit “Tirana”, znj. Deborah Keçi.
Ajo është një nga nëntë të akuzuarit e operacionit të Prokrorisë së Posaçme (SPAK) të ndërmarrë në Bashkinë e Tiranës, në kuadër të akteve proceduriale penale të emërtuara rëndom si “Dosja 5D”.
Prokuroria e Posaçme kërkoi pezullimin e dënimit penal dhe gjithashtu vendosje në provë për 2 vjet në mënyrë që gjatë kësaj kohe mos të kryejë vepër tjetër penale si dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Ajo akuzohet për favorizimin e kompanive “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, të cilat kanë de fakto pronarë dy nga ish-drejtorët e arrestuar të Bashkisë së Tiranës Mariglen Qato dhe Redi Molla.
“Së pesti, nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se shtetasja D.K. (Deborah Keçi) në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv 'Tirana', ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik 'V.A.S Konstruksion sh.p.k' e njëjtë me '5D Konstruksion' sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt.
Shtetasja D.K. ka pasur komunikime direkte me shtetasin Nestor M. administrator i shoqërisë '5D Konstruksion' sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë '5D Konstruksion' sh.p.k, duke i dhënë titullari i autoritetit kontraktor shtetasit N.M user-at e anëtarëve të KVO-së”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Mbrojtësit ligjorë kërkuan kohë të përgatisin mbrojtjen e klientëve të tyre.
Seanca gjyqësore e radhës u caktua të mbahet në orën 12:00, të datës 8 maj 2025.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments