top of page
E BARDHË SHIRIT.png

PSE IZRAELI NJEH SOVRANITETIN MAROKEN MBI SAHARANË PERËNDIMORE?

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Jul 19, 2023
  • 3 min read

Nga Massimiliano Boccolini dhe Emanuele Rossi.

Sipas profesorit maroken Ajlaoui (Universiteti i Rabatit), njohja izraelite e sovranitetit maroken mbi Saharën Perëndimore, do të lehtësojë marrëdhëniet dypalëshe, midis Jerusalemit dhe Rabatit. Lëvizja e qeverisë Netanjahu pritej të thellonte Marrëveshjet e Abrahamit.


Mbreti Mohammed VI i Marokut tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu i kishte njoftuar atij se vendi i tij njeh zyrtarisht sovranitetin maroken mbi rajonin e diskutueshëm të Saharasë Perëndimore.


Monarku i Afrikës së Veriut tha se z. Netanjahu kishte dërguar një letër, duke konfirmuar vendimin e shtetit të Izraelit, për të njohur sovranitetin e Marokut, mbi territorin e Saharasë Perëndimore. Zyra e Izraelit konfirmoi se të dy folën së fundmi.


Deklarata zyrtare e mbretërisë shtoi se pozicioni do të reflektohet në të gjitha aktet dhe dokumentet përkatëse të qeverisë izraelite, si dhe do t'u transmetohet Kombeve të Bashkuara, organizatave rajonale, dhe ndërkombëtare, në të cilat Izraeli është anëtar, dhe të gjitha vendeve me të cilat Izraeli mban marrëdhënie diplomatike.


Sipas deklaratës, z. Netanyahu gjithashtu informoi mbretin maroken se Izraeli po konsideron pozitivisht hapjen e një konsullate në qytetin e Dakhla, si pjesë e vendimit.


Dakhla, e vendosur në një lagunë midis Saharasë (Perëndimore) dhe Oqeanit Atlantik, është një nga qytetet simbolike të rajonit, i rëndësishëm si nga pikëpamja gjeostrategjike, ashtu edhe nga ajo turistike.


Saharaja Perëndimore është një territor që shtrihet mbi 260000 kilometra katrorë, i kontrolluar administrativisht nga Maroku, objekt i pretendimeve të kaluara nga Mauritania dhe Algjeria, dhe mbi të gjitha i kontestuar nga lëvizja për pavarësi e Polisarios.


Grupi, i cili filloi luftën e armatosur për vetëvendosjen e popullit Sahrawi në vitet 1970, është ende sot në konfrontim të hapur me Rabatin.


Vitet e fundit, njohja zyrtare e situatës në Saharanë Perëndimore ka çuar në përplasje diplomatike me Marokun, dhe ka rindezur tensionet e vendit me Algjerinë.


Saharaja Perëndimore ishte një koloni spanjolle deri në mesin e viteve 1970. Një marrëveshje armëpushimi e vitit 1991 pa që Rabat të kontrollonte 80 për qind të Saharasë Perëndimore, ndërsa pjesa tjetër ishte një zonë tampon e kontrolluar nga forcat e OKB-së nën misionin Minurso.


Algjeria kundërshtoi pretendimin e Marokut për Saharanë Perëndimore dhe mbështeti pavarësinë e saj. Maroku ka ofruar autonomi të kufizuar, por ka thënë se territori duhet të mbetet nën sovranitetin e tij. Lëvizja Polisario, nga ana tjetër, po kërkon një referendum për pavarësinë.


Vendimi izraelit për të njohur statusin maroken të Saharasë është një fitore e madhe për Rabatin, duke konsoliduar mbështetjen ndërkombëtare për integritetin territorial të mbretërisë, tha Moussaoui Ajlaoui, profesor i shkencave politike në Universitetin e Rabatit.


Ai gjithashtu përforcon dinamikën shumë të favorshme të krijuar falë impulsit të mbretit Mohammed VI, në vitet e fundit, shton z. Alijaoui, i cili kujton sesi në një kohë të shkurtër Rabati mori njohjen amerikane nga administrata Trump, mbështetjen për sovranitetin maroken të mbi 15 vendeve evropiane, duke përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Zvicrën, Austrinë dhe në fund hapjen e 28 konsullatave të vendeve afrikane, arabe dhe të Amerikës Latine në provincat e Saharasë.


Ky vendim do të lehtësojë dhe inkurajojë investimet izraelite dhe ndërkombëtare në provincat jugore të Mbretërisë, tha z. Alijaoui.


Lëvizja ishte pjesërisht e pritshme, duke rënë brenda dinamikës së lidhur me Marrëveshjen e Abrahamit, me të cilën Izraeli normalizoi marrëdhëniet diplomatike edhe me Marokun, duke krijuar një moment veçanërisht të favorshëm në Rabat.


Në muajt e fundit, Izraeli dhe Maroku kanë shumëfishuar kontaktet diplomatike. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Tzachi Hanegbi, vizitoi Marokun në qershor, ku u takua me ministrin e jashtëm maroken, Naser Bourita. Pas vizitës, mediat izraelite kishin njoftuar tashmë se Izraeli po konsideronte njohjen e sovranitetit maroken mbi Saharën Perëndimore.


Megjithatë, njohja e së hënës thyen pikëpamjen tradicionale të Izraelit për këtë çështje. Si rregull, për shkak të konfliktit izraelito-palestinez, Izraeli shmang të marrë anën e mosmarrëveshjeve territoriale në pjesë të tjera të botës.


Për më tepër, njohja e SHBA në vitin 2020 krijoi zemërim në Algjeri, duke e shtyrë atë të bllokojë ofertën e Izraelit për t'u bashkuar me Bashkimin Afrikan si vëzhgues. “Duhet theksuar – shton profesor Alijaoui – se Mbreti Mohammed VI nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij në favor të të drejtave legjitime të popullit palestinez, të cilat Sovrani i ka ngritur në rangun e çështjes kombëtare”.


Njohja pason gjithashtu anulimin e Marokut muajin e kaluar të planeve të tij për të pritur Forumin Negez, i udhëhequr nga SHBA, për nxitjen e integrimit rajonal.


SHBA, Izraeli, Maroku, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtete të tjera arabe ishin planifikuar të merrnin pjesë në takimin e qershorit, por Rabati u tërhoq, si përgjigje ndaj planit të Izraelit për të zgjeruar vendbanimet ilegale në Bregun Perëndimor.


Copyright | Agjencia Telegrafike Vox



Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page