PËRSE PUTINI KA FRIKË NGA AVONËT LUFTARAKË “F16” QË I JANË PREMTUAR UKRAINËS?
- Agjencia Telegrafike Vox
- May 21, 2023
- 3 min read

Nga z. Dario Prestigiacomo. Pasi u ndal për një kohë të gjatë përballë kërkesave urgjente të Kievit, presidenti amerikan Xho Baidën (Joe Biden) ka dhënë miratimin për dorëzimin e avionëve “F16” në Ukrainë. Një vendim historik u përcaktua nga presidenti ukrainas Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelensky), i cili fluturoi në Hiroshima për të takuar kreun e Shtëpisë së Bardhë, dhe udhëheqësit e tjerë të “G7”. “Por kjo gjë mund të hapë derën e një përshkallëzimi të konfliktit, me rreziqe kolosale për vendet perëndimore”, sipas kërcënimit të fundit të nisur nga Moska, me zërin e zëvendësministrit të saj të Jashtëm Alekandër Grushko (Alexander Grushko). Fjalë që këtë herë duken të diktuara më pak nga qëllime propagandistike, dhe më shumë nga një shqetësim real, dhe i thellë nga ana e Rusisë. Dhe jo vetëm. Po përse ky shqetësim kaq i madh? Sipas atyre që dolën nga burime pranë Shtëpisë së Bardhë, SHBA nuk do të furnizojë drejtpërdrejt avionë në Ukrainë, por në fakt kanë hequr veton e tyre për dërgimin e këtyre avionëve nga aleatët. F-16-të, në fakt, janë prodhuar nga Shtetet e Bashkuara, dhe siç e kemi parë edhe me Leopardët e prodhimit gjerman, i takon vendit prodhues të autorizojë dërgimin e armëve dhe pajisjeve jashtë shtetit ku ata janë shitur. Për kreun e Shtëpisë së Bardhë, këta avionë, shumë më efikas se avionët e prodhimit sovjetik me të cilët është furnizuar ushtria ukrainase, do të kishin rritur mundësinë që Kievi të niste sulme në tokën ruse. Duke provokuar kështu një përshkallëzim të një lufte që Uashingtoni (dhe të tjerët) dëshiron të mbetet brenda kufijve të Ukrainës. Me një mendim tjetër është Mbretëria e Bashkuar, e cila pavarësisht se nuk ka “F16”, ka ushtruar presion mbi Shtëpinë e Bardhë muajt e fundit për të hequr veton e saj. Londra ka gjetur aleatë të vlefshëm në këtë kërkesë në Holandë, por edhe në Danimarkë dhe Belgjikë. Për më tepër, ndryshe nga Mbretëria e Bashkuar, tre vendet e BE-së posedojnë dhjetëra “F16”, shumica e të cilëve janë të destinuar të mos jenë më funksionalë, sepse ato zëvendësohen në mënyrë progresive nga “F35”, më të fuqishëm (dhe gjithashtu më të shtrenjtë), të prodhuar gjithmonë nga amerikani Lockheed Martin. Ditët e fundit, Londra kishte njoftuar se po punonte me Amsterdamin për të krijuar një “koalicion ndërkombëtar” për dërgimin e “F16” në Kiev. Ndërsa Kopenhageni ka njoftuar se është gati të trajnojë pilotët ukrainas përkrah instruktorëve amerikanë. Siç shpjegon “BBC”, në fillim të pushtimit rus, Ukraina vlerësohej të kishte “rreth 120 avionë të aftë për luftim, të përbërë kryesisht nga MiG-29 dhe Su-27 të vjetër të epokës sovjetike”. Këtyre iu shtuan gjatë luftës “MiG” të tjerë të furnizuar nga vendet e ish-bllokut sovjetik, si Polonia. Por Kievi gjithmonë ka thënë se i duhen të paktën 200 avionë për të konkurruar me fuqinë ajrore të Moskës. Dhe mbi të gjitha avionët modernë. Të ndërtuar për herë të parë në vitet 1970, këta avionë mund të udhëtojnë me dyfishin e shpejtësisë së zërit, dhe të angazhohen në objektiva në ajër ose në tokë. Ata që i kanë blerë në të kaluarën po i zëvendësojnë ngadalë me “F35”. Një arsye tjetër pse z. Zelenski beson se furnizimi i tyre nuk është një problem ekonomik. Sido që të jetë, siç thamë, thelbi ka të bëjë me mënyrën se si Ukraina do t'i përdorë ata, nëse dorëzimi do të ndodhë në të vërtetë. Disa ekspertë thonë se me “F16”, Kievi mund të godasë prapa linjave ruse. Një hipotezë që do të lindte edhe nga ajo që u pa më parë me sulmet e supozuara me dron në tokën ruse, që Moska i ka atribuar Kievit. Uashingtoni, megjithatë, siguron se nuk do të ketë përshkallëzim. “Asgjë nuk ka ndryshuar”, tha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Xheik Sallivan (Jake Sullivan): “F16” do t'i shërbejnë Kievit për të mbrojtur veten, jo për të kryer sulme ndaj Rusisë. Por z. Sallivan (Sullivan) shtoi një element tjetër, i cili ndihet si një mesazh për z. Zelenski: “Tani kemi dhënë gjithçka që kemi thënë se do të japim, kështu që i kemi vënë ukrainasit në një pozicion për të bërë përparim në fushën e betejës përmes një kundërofensive”.
Comentários