Beograd, Serbi | Qeveria e Serbisë ka miratuar një konkluzion që urdhëron aktivitete dhe masa nga ministritë, në kuptim të mbrojtjes ligjore dhe socio-ekonomike të serbëve në Kosovë, por edhe të interesave kombëtare të Serbisë.
Ky vendim i Qeverisë serbe u mor një ditë pasi masat u prezantuan nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri serb, Millosh Vuçeviç, deklaroi se vendimi i ekzekutivit ka të bëjë me pesë zona të veprimit që janë prezantuar nga presidenti serb Vuçiç.
Këto masa, siç është thënë përfshijnë, kthimin e gjendjes para vendimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës, shpalljen e Kosovës si zonë nën mbrojtje të posaçme sociale, përforcimin e mëtejmë i institucioneve serbe në Kosovë dhe që të mos lejohet mbyllja e tyre.
Sipas njoftimit të Qeverisë serbe, kryeministri Vuçeviç deklaroi se kërkesa do t’i dërgohet Kuvendit serb për të shpallur të paligjshme të gjitha veprimet që janë në kundërshtim me marrëveshjet ndërmjet palëve negociuese, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
“Prandaj, gjithçka që dukej e njëanshme, gjithçka që zhbëri marrëveshjet dhe përpjekjet nuk ekzistojnë më për ne, janë të pavlefshme, jodetyruese dhe nuk mund të prodhojnë efekt juridik”, tha kryeministri serb Vuçeviç.
Gjatë adresimit të tij më 13 shtator presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.
Ndaj paraqitjes së kërkesave nga Serbia ka reaguar kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla.
Ajo më 14 shtator i kërkoi faktorit ndërkombëtar, që të dënojë, ato që i ka cilësuar si qasje, sjellje dhe gjuhë agresive e armiqësore të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, karshi Kosovës.
Ministrja e Jashtme Gërvalla tha se me këto kërkesa, presidenti Vuçiç tregoi se nuk e ka ndër mend të ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare.
Ministrja Gërvalla e fajësoi presidentin serb se po synon pengimin e normalizimit të raporteve mes dy shteteve, por edhe për mbajtjen gjallë të tensioneve në rajon, dhe shtoi se këto synime janë në sinkroni të plotë me interesat e Rusisë.
Tensionet e reja mes Kosovës dhe Serbisë vijnë pasi autoritetet në Kosovë javëve të fundit kanë mbyllur disa institucione paralele serbe, të cilat i konsiderojnë jokushtetuese dhe të paligjshme.
Beogradi i ka cilësuar këto veprime si akte kriminale që synojnë dëbimin e serbëve.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kritikuar veprimet e Kosovës për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe më 30 gusht 2024, duke i cilësuar si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se me veprimet e veta vetëm po synon të shtrijë sovranitetin në gjithë territorin e shtetit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments