RREGULLAT E REJA TË BANKËS SË SHQIPËRISË MUND TA BËJNË SHUMË MË TË VËSHTIRË PËR QYTETARËT MARRJEN E KREDIVE TË VOGLA TEK TË CILAT ATA MBËSHTETEN PËR TË ZGJIDHUR NEVOJAT E PËRDITËSHME.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Sep 25, 2024
- 2 min read
Tiranë, Shqipëri | Rregullat e reja të Bankës së Shqipërisë mund ta bëjnë shumë më të vështirë për qytetarët marrjen e kredive të vogla, tek të cilat ata mbështeten për të zgjidhur nevojat e përditshme.
Këto kredi përdoren shpesh për të blerë sende themelore si frigoriferë, telefona, apo edhe për të paguar për raste urgjente.
Me rregulloren e re, do të jetë më e vështirë për njerëzit që të marrin një miratim për këto kredi, duke e lënë shumë kategori njerëzish, pa një burim sigurie kur kanë nevojë për para të shpejta.
Këto ndryshime nuk do të prekin vetëm individët - ato gjithashtu mund të dëmtojnë ekonominë.
Kur njerëzit nuk mund të marrin para hua, ata shpenzojnë më pak, që do të thotë se bizneset lokale do të kenë vështirësi.
Më pak shpenzime mund të çojnë në më pak vende pune dhe rritje ekonomike më të ngadaltë, duke e bërë jetën edhe më të vështirë për shumë shqiptarë.
Gjithashtu, rregullat e reja do t’i detyrojnë shqiptarët të bëjnë gati një mal me dokumente, në vend të sistemeve dixhitale me të cilat tashmë janë mësuar.
Kjo do të thotë të shpenzosh ditë apo edhe javë për të mbledhur dhe dorëzuar dokumente në zyra, duke humbur kohë që mund të shpenzohej më mirë për punën ose familjen.
Për më tepër, pamundësia e qytetarëve për të marrë një kredi të vogël, mund t’i detyrojë ata që në raste të nevojës për para, t’i drejtohen edhe një herë huamarrjes në tregun informal, duke u rikthyer pas në kohë e duke rikthyer edhe një herë konceptin e fajdeve.
Në këtë formë, në vend që qytetarët shqiptarë të ecin përpara me metoda moderne dhe efikase duke përqafuar digjitalizimin, njerëzit do të detyrohen të këthehen prapa në kohë, duke ua bërë zgjidhjen e problemeve më të vështirë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentários