Uashington, Amerikë | Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka ndaluar përkohësisht fluturimet e avionëve pa pilot - të ashtuquajturit dronë - mbi disa zona të Jorkut të Ri, dhe veçanërisht pranë infrastrukturës kritike të atij shteti, ndërkohë që psikoza e shkaktuar nga pamjet masive të dronëve dhe objekteve të tjera të paidentifikuara fluturuese vazhdon në SHBA, veçanërisht përgjatë bregut lindor të vendit.
“Kjo është një masë thjesht parandaluese. Nuk ka kërcënime për këto vende”, tha në një deklaratë guvernatorja e Jorkut të Ri, Kethi Hoçul (Kathy Hochul).
“Ndërsa nuk kemi zbuluar kërcënime për sigurinë publike ose kombëtare, ne do të vazhdojmë të monitorojmë në mënyrë aktive situatën ndërsa Kongresi miraton dispozita për t'u dhënë shteteve dhe ligjzbatimit vendas autoritetin dhe burimet e nevojshme për të menaxhuar këtë teknologji në zhvillim”, thuhet në shënim.
Dje në mëngjes FAA kishte njoftuar tashmë një ndalim të fluturimeve me dron në disa zona të Xhersit të Ri.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhëu Baidn (Joe Biden), konfirmoi të martën se autoritetet po hetojnë pamjet e shumta të dronëve të mëdhenj të paidentifikuar në të gjithë territorin kombëtar të SHBA-së, dhe në veçanti në verilindje të Shteteve të Bashkuara, duke i qetësuar qytetarët.
“Me sa duket nuk ka asgjë të çuditshme, por ne po shqyrtojmë gjithçka”, tha presidenti Baidn (Biden) në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.
“Ne po e ndjekim situatën nga afër, por deri më tani nuk ka asnjë ndjenjë rreziku”, shtoi presidenti.
Ndihmësi i Shtëpisë së Bardhë për komunikimet e sigurisë kombëtare, Xhan Kërbi (John Kirby) tha të hënën se dronët nuk paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare ose sigurinë publike dhe u kërkoi gazetarëve t'u kujtojnë qytetarëve se ka më shumë se një milion drone legale në vend.
“Ka shumë dronë të licencuar atje”, përsëriti presidenti gjithashtu dje. “Unë mendoj se një e filloi atë dhe pastaj të gjithë të tjerët - të gjithë donin të bashkoheshin me të”, tha presidenti Baidn (Biden) me shaka.
Shikimet anormale, megjithatë, kanë ngjallur shqetësim në rritje tek qytetarët amerikanë dhe më gjerë.
Ditët e fundit, një mori prej dhjetëra dronësh të mëdhenj që fluturojnë përgjatë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, madje edhe ndjekje të anijeve patrulluese, janë raportuar gjithashtu nga autoritetet.
Shtypi dhe ekspertët amerikanë kanë formuluar hipotezat më të ndryshme. Nga një operacion nga kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara te përdorimi i dronëve për të kërkuar emetimet radiologjike, të lidhura me një rrezik të supozuar bërthamor.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Danlld Tramp (Donald Trump), ka kundërshtuar vendimin e autoriteteve federale për të mos dhënë informacion më të detajuar mbi situatën, duke sugjeruar se administrata Baidn (Biden) e di se çfarë po ndodh.
Z. Tramp raportoi gjithashtu opinione ekspertësh, sipas të cilave, fenomeni i javëve të fundit nuk kishte të bënte me vendet armiqësore.
Edhe mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike nuk kanë munguar kritikat për linjën e komunikimit të miratuar nga Shtëpia e Bardhë.
Javët e fundit, shikimet e dronëve kanë qenë veçanërisht të shumta në shtetet e Xhersit të Ri dhe Jorkut të Ri.
Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe autoritetet lokale u kanë kërkuar qytetarëve të raportojnë çdo shikim të objekteve të dyshimta fluturuese.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentarios