top of page
E BARDHË SHIRIT.png

STUHI E RE MBI SEKRETARIN AMERIKAN TË MBROJTJES PIT HEGSËTH (PETE HEGSETH): KUNDËRSHATRËT POLITIKË E AKUZOJNË SE KA MARRË BASHKËSHORTEN XHENIFËR HEGSËTH NË TAKIME KU DISKUTOHET INFO I KLASIFIKUAR.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Mar 29
  • 3 min read

Uashington, Amerikë | Stuhi e re mbi Pentagonin. Në vazhdën e skandalit Chatgate me detajet e sulmit të ShBA-ës ndaj rebelëve Huthi të postuara në “Signal”, sekretari amerikan i Mbrojtjes Pit Hegsëth (Pete Hegseth) është vënë nën kritika për marrjen e gruas së tij, një ish-producente e entit mediatik Faks (Fox), në takime të ndjeshme me disa nga homologët e tij ushtarakë të huaj.

 

Një nga takimet ku mori pjesë znj. Xhenifër Hegsëth (Jennifer Hegseth) - zbulon Wall Street Journal - ishte ai në Pentagon me ministrin britanik të Mbrojtjes Xhon Hilei (John Healey), më 6 mars 2025, një ditë pas njoftimit amerikan për ndërprerjen e shkëmbimit të inteligjencës me Ukrainën.

 

Takimi u fokusua në arsyetimin pas goditjes së Uashingtonit ndaj Kievit, si dhe bashkëpunimin e ardhshëm midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

 

Gruaja e sekretarit Hegsëth (Hegseth) mori pjesë gjithashtu në një takim në selinë e NATO-s në Bruksel të grupit të kontaktit për Ukrainën, gjatë të cilit, aleatët zakonisht shkëmbejnë informacione të klasifikuara.

 

Sekretari i mbrojtjes mund të ftojë këdo në takime me homologët vizitorë, megjithëse lista e pjesëmarrjes në takim zakonisht kufizohet në një numër të vogël njerëzish që kanë lejet e nevojshme të sigurisë.

 

Shumë gra të zyrtarëve të rangut të lartë të administratës shpesh kanë disa leje sigurie të nivelit të ulët, por është e paqartë nëse znj. Xhenifër Hegsëth (Jennifer Hegseth) ka ndonjë të atillë.

 

Mirëpo, nuk është vetëm bashkëshortja e kreut të Pentagonit që po shkakton polemika.

 

Është gjithashtu vëllai i tij më i vogël Filip Hegsëth (Philip Hegseth), një producent i podkasteve për institutin konservativ Hudson Institute, i cili, së fundmi iu bashkua Departamentit të Sigurisë Kombëtare si ndërlidhës me Departamentin e Mbrojtjes.

 

Sekretarit Pit Hegsëth (Pete Hegseth) dhe vëllai i tij Filip Hegsëth (Philip Hegseth) së fundmi vizituan disa baza ushtarake amerikane së bashku, duke përfshirë Guantanamon.

 

Zbulimi i Wall Street Journal e ekspozon shefin e Pentagonit ndaj kritikave të mëtejshme lidhur me trajtimin e tij të informacionit të ndjeshëm dhe të klasifikuar.

 

Sekretari Hegsëth (Hegseth) është përfshirë në polemika për ditë pasi ai dhe zyrtarë të tjerë të administratës përdorën një bisedë në “Signal” për të diskutuar një sulm kundër rebelëve Huthi në Jemen.

 

Në bashkëbisedim (chat) ishte shtuar aksidentalisht edhe një gazetar që më pas batoi përmbajtjen e shkëmbimit të mesazheve.

 

Kjo bëri që shumë demokratë të bënin thirrje që sekretari Hegsëth (Hegseth) të jepte dorëheqjen nga posti i tij në Pentagon pas paaftësisë së tij për të trajtuar informacionin e klasifikuar.

 

Shtëpia e Bardhë ka kundërshtuar kundër kërkesave dhe është përpjekur të minimizojë Çetgeit-in (Chatgate).

 

Zv/Presidenti J.D. Vens (Vance) siguroi se askush nuk do të shkarkohet për shkak të skandalit.

 

Por në prapaskenë, ai dhe shefja e personelit të Shtëpisë së Bardhë, Suzi Uiles (Susie Wiles) thuhet se këshilluan presidentin Danlld Tramp (Donald Trump) të pushonte nga puna këshilltarin e sigurisë kombëtare, Maik Uollc (Mike Waltz), i cili kishte vendosur pjesëmarrësit në bisedën e zhvilluar në “Signal”.

 

Ndërsa pranoi se këshilltari Uollc (Waltz) kishte gabuar që përfshiu pa dashje një gazetar në bisedë, presidenti amerikan e hodhi poshtë idenë e shkarkimit të tij.

 

Të bësh këtë - shpjegoi presidenti Tramp (Trump) - do të kishte nënkuptuar t'u jepte demokratëve një fitore”.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page