top of page
E BARDHË SHIRIT.png

SULMET E DËSHTUARA KUNDËR IZRAELIT | PLANET E DËSHTUARA TË PASDARANIT.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Jul 20, 2023
  • 4 min read

Nga z. Valerio Chiappaino. Romë, Itali | Lufta në hije midis Izraelit dhe Iranit vazhdon në Lindjen e Mesme. Sipas raporteve nga Mossad-i, shërbimi sekret izraelit, agjentët e tij do të kishin penguar një sulm të organizuar nga Teherani në qershor, i cili përfshinte vrasjen e qytetarëve të shtetit hebre në ishullin e Qipros. Operacioni i bërë publik nga Mossad-i, dhe i cilësuar në deklaratën e tij si një mision i guximshëm, u zhvillua në territorin iranian, dhe çoi në arrestimin e kreut të celulës, z. Yousef Shahabazi Abbasalilu. Në një video të publikuar nga izraelitët, i dyshuari flet në persisht, dhe rrëfen se ai hyri në Qipron Veriore, të kontrolluar nga turqit, dhe më pas kaloi kufirin me detyrën për të vrarë të paktën një person, një biznesmen izraelit, në pjesën jugore të ishullit. Z. Abbasalilu gjithashtu pranon se ai ishte punësuar nga Garda Revolucionare Islamike (GRI)duke pretenduar se kishte marrë prej tyre fotot, dhe adresën e objektivit. Informacioni i dhënë nga personi i arrestuar do t'u ishte përcjellë autoriteteve qipriote, të cilat, më pas do të kishin arrestuar shumicën e anëtarëve të celulës iraniane. “Ne do të kontaktojmë çdo individ që planifikon sulme terroriste kundër izraelitëve kudo në botë, përfshirë Iranin”, tha Mossad-i pas operacionit të guximshëm. Iraniani, sipas versionit të izraelitëve 007, do të ishte marrë në pyetje nga Mossad-i “në distancë”, ndërsa kapja do të bëhej nga duart e agjentëve të huaj në vend, në Iran. Praktika e rekrutimit të elementëve lokalë, është adoptuar nga inteligjenca e Jerusalemit, të paktën në një rast tjetër, me rezultate jo aq pozitive. Vitin e kaluar, agjentët malajzianë në Kuala Lumpur rrëmbyen një student palestinez të inxhinierisë, në emër të spiunëve izraelitë, i dyshuar si bashkëpunëtor i Hamasit, dhe krahut të tij të armatosur, Brigadave Qassam. Me atë rast forcat policore malajziane arritën të ndërpresin marrjen në pyetje, të arrestojnë operativët dhe të lirojnë palestinezin. Nuk është çudi vendndodhja mesdhetare ku regjimi i Ajatollahëve synonte të godiste këtë herë. Në fakt, sipas një raporti të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, vendet në rrezik të sulmeve nga Teherani kundër objektivave hebreje janë Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Turqia, Bahreini dhe, në të vërtetë, Qiproja, një destinacion një orë me aeroplan nga Tel Avivi. Pjesa veriore e ishullit grek, siç dëshmohet nga plani që sapo është prishur, është një zonë veçanërisht e rrezikuar nga infiltrimi për shkak të statusit të pasigurt ndërkombëtar. Në fakt, asnjë vend, përveç Turqisë, nuk e njeh Qipron veriore, pjesën e pushtuar nga Ankaraja në 1974, në kurriz të Greqisë, dhe ku janë stacionuar ende më shumë se 35000 ushtarë turq. Sipas rindërtimeve të njëpasnjëshme të fakteve mbi të cilat qëndrojnë disa mospërputhje, siç ndodh në ngjarjet e spiunazhit, nuk është hera e parë që Jerusalemi dhe Nikosia kanë bashkëpunuar për të ndaluar sulmet terroriste. Në vitin 2021, një burrë me një pasaportë të dyfishtë ruso-azerbajxhane u arrestua me një mision të besuar gjithashtu nga Pasdaran-i, për të vrarë biznesmenë në ishull. Një tjetër plan i dështuar pa policinë greke të shpërbënte një celulë terroriste të përbërë nga dy pakistanezë, të punësuar nga një operativ me bazë në Iran. Objektivi në këtë rast ishte një sinagogë dhe një restorant në qendër të Athinës, por sulmi përfshinte edhe marrjen e pengjeve. Më shumë shtetas pakistanezë u rekrutuan në vitin 2022 nga Teherani, për të kryer një sulm në Stamboll, ndaj turistëve dhe diplomatëve izraelitë, duke përfshirë një ish-ambasador dhe gruan e tij. Me atë rast, inteligjenca turke në bashkëpunim me inteligjencën izraelite, ishte në gjendje të ndalonte dhjetë individë të gatshëm të vepronin të maskuar si studentë dhe udhëtarë. Pas fiaskos së Stambollit, shefi i inteligjencës i GRI që nga viti 2009, Hossein Taeb, u shkarkua. Seria e komploteve, të paktën ato të bëra publike, tregojnë se armiqësia iraniane ndaj Izraelit vazhdon e pandërprerë. Sipas disa analistëve, vendimi i Mossad-it për t'i dhënë publicitet maksimal operacionit të fundit qipriot, do të ishte një përgjigje ndaj lajmeve për bisedimet indirekte midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, mbi programin bërthamor të Ajatollahut. Tema e marrëveshjeve joformale të ndërmjetësuara nga Omani, dhe që nuk i nënshtrohen ratifikimit të Kongresit duhet të jetë lirimi i tre shtetasve amerikanë të arrestuar në Iran me akuza spiunazhi, në këmbim të pezullimit të pasurimit të uraniumit, dhe lirimit të fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit për shkak të sanksioneve të SHBA. Një interpretim tjetër për publicitetin e dhënë për tentativën për sulm në Qipro e jep gazetari Yaakov Katz, sipas të cilit, izraelitët janë të interesuar të dërgojnë një mesazh të dyfishtë. E para, i drejtohet komunitetit ndërkombëtar i cili mendon se Teherani është i angazhuar vetëm me programin e tij bërthamor, dhe jo edhe me planifikimin e vrasjeve në tokën evropiane. E dyta, tregon drejt regjimit iranian, dhe kujton aftësitë superiore të shërbimeve inteligjente të vendit, të themeluara nga Ben Gurion. Duke shpresuar se ky efekt parandalues, ​​do të jetë i mjaftueshëm për të mbajtur larg armikun e betuar. © Copyright | Agjencia Telegrafike Vox.

Comentarios

Obtuvo 0 de 5 estrellas.
Aún no hay calificaciones

Agrega una calificación
bottom of page