top of page
E BARDHË SHIRIT.png

SË SHPEJTI AZILKËRKUESIT NË AUSTRI NUK DO TË KENË MË TË DREJTË TË TËRHEQIN PJESËTARËT E AFËRT TË FAMILJES | KJO U VENDOS NGA TRI PARTITË E KOALICIONIT TË RI QEVERISËS.

Writer: Agjencia Telegrafike VoxAgjencia Telegrafike Vox

Vjenë, Austri | Së shpejti azilkërkuesit në Austri nuk do të kenë më të drejtë të tërheqin pjesëtarët e afërt të familjes.

 

Kjo u vendos nga tri partitë e koalicionit të ri qeverisës në Vjenë.

 

Qeveria në Austri, ashtu sikurse kishte deklaruar, ka vendosur tani të ndërpresë bashkimin e familjes për ata që kanë të drejtë azili.

 

Qeveria në Vjenë ra dakord për këtë ndryshim në ligjin e azilit. Kjo masë sa më shpejt të jetë e mundur duhet të votohet në Këshillin Kombëtar, të miratohet në parlament dhe do të jetë e përkohshme, bëhet e ditur nga zyra e kancelarit.

 

Kancelari Kristian Stoker (Christian Stocker) i partisë popullore konservatore (ÖVP) e argumentoi këtë hap, me tejkalimin e kapaciteteve pranuese të Austrisë - veçanërisht në sektorin e arsimit ka mbingarkesë.

 

Në vitet 2023 dhe 2024 në kuadrin e bashkimit familjar në Austri kanë hyrë gjithsej 18000 persona, ndër ta 13000 minorenë në moshë të detyrimit shkollor”, tha kancelari Stoker (Stocker).

 

Në sfondin e këtyre shifrave, është e kuptueshme, “që ne duhet të veprojmë konform përgjegjësisë sonë dhe të vendosim frenat për një periudhë të caktuar”, tha ai.

 

Austria ka rreth 9.2 milionë banorë.

 

Shkelje ndaj së drejtës europiane? Kjo nismë është ligjërisht e diskutueshme. Kritikët konsiderojnë se ajo përbën shkelje ndaj së drejtës së azilit sipas Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

 

Koalicioni i ri qeverisës në Austri i përbërë nga konsrvatorët (ÖVP), socialdemokratët (SPÖ) dhe liberalët NEOS i referohet klauzolës së emergjencës në legjislacionin e Bashkimit Europian.

 

Kjo klauzolë parashikon, që në rast të kërcënimit të rendit publik dhe sigurisë së brendshme të një vendi anëtar nuk vlen më prioriteti i së drejtës europiane kundrejt ligjit kombëtar të vendit anëtar.

 

Javën e kaluar ministri i Brendshëm austriak Gerhard Karner u angazhua në nivelin e Bashkimit Europian për pezullimin e bashkimit familjar për azilkërkuesit.

 

Në një shkresë drejtuar Komisionit të Bashkimit Europian ministri i “ÖVP”-së argumenton, se sektorët e strehimit, shëndetësisë dhe arsimit në Austri janë të mbringarkuar.

 

Ai iu referua kriminalitetit ndër të rinjtë.

 

Tani - tha ministri i Brendshëm - edhe nëse prej rreth një viti numri i bashkimeve të familjes ka rënë ndjeshëm edhe për shkak të kontrolleve dhe krahasimeve të ADN-së kjo tendencë duhet siguruar në mënyrë të qendrueshme”.

 

Në muajin shkurt të vitit 2024, sipas të dhënave, rreth 1000 persona u regjistruan si të afërm familjeje që kanë hyrë në vend, ndërsa në muajin shkurt të vitit 2025 shifra ishte vetëm 60.

 

Sekretari i Punëve të Brendshme Jörg Leichtfried nga socialdemokratët bëri të qartë, se qëllimi i përbashkët i qeverisë austriake është, që të ulet në zero migracioni i parregullt.

 

Kjo nuk ndryshon asgjë sa i përket së drejtës së azilit.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page