TESTAMENTI I PAPA FRANÇESKUT: DËSHIROJ TË VARROSEM TE SHËN MARI MADHËSHTORJA (SANTA MARIA MAGGIORE).
- Agjencia Telegrafike Vox
- 3 hours ago
- 2 min read

Vatikan | “Duke ndjerë se fundi i jetës sime tokësore po afrohet dhe me shpresë të gjallë në jetën e përjetshme, dëshiroj të shpreh vullnetin tim të testamentit vetëm në lidhje me vendin e varrimit tim.
Gjithmonë ia kam besuar jetën time dhe shërbesën time priftërore dhe ipeshkvore Nënës së Zotit tonë, Marisë më të Shenjtë.
Prandaj, kërkoj që mbetjet e mia mortore të pushojnë në pritje të ditës së ringjalljes në Bazilikën Papale të Shën Mari Madhështores (Santa Maria Maggiore)”.
Kështu lexojmë në testamentin e Papa Françeskut të botuar nga zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë.
“Uroj që udhëtimi im i fundit tokësor të përfundojë pikërisht në këtë shenjtërore të lashtë Marian, ku shkova për lutje në fillim dhe në fund të çdo udhëtimi apostolik për t'ia besuar qëllimet e mia Nënës së Papërlyer dhe ta falënderoj për kujdesin e saj të urtë dhe amnor”, vazhdon testamenti.
“Kërkoj që varri im të përgatitet në kamaren e nefit anësor midis Kapelës Pauline (Kapela e Salus Populi Romani) dhe Kapelës Sforca (Sforza) të Bazilikës Papale të lartpërmendur siç tregohet në lidhjen bashkëngjitur”.
“Varri duhet të jetë në tokë; i thjeshtë, pa dekorim të veçantë dhe me mbishkrimin e vetëm: Franciscus.
Shpenzimet për përgatitjen e varrimit tim do të mbulohen nga shuma e bamirësisë që kam rregulluar, për t'u transferuar në Bazilikën Papale të Shën Marisë Madhështore, dhe për të cilën, i kam dhënë udhëzimet e duhura Monsinjorit Chaberic, ...
Zoti u jep shpërblimin e merituar atyre që më kanë dashur dhe do të vazhdojnë të luten për mua”, thuhet më tej.
Kur do të bëhet varrimi? Siç përcaktohet nga Universi Dominici Gregis, lëshuar nga Gjon Pali II në vitin 1996, funerali i Papa Françeskut do të bëhet midis ditës së katërt dhe të gjashtë pas vdekjes së tij, dhe për rrjedhojë midis të premtes 25 dhe të dielës 27 prill 2025.
Kjo është ajo që raporton Shërbimi i Informacionit Fetar.
Gjithashtu në përputhje me dispozitat e Universi Dominici Gregis, vulat do të vendosen këtë mbrëmje si në apartamentin papnor të Shtëpisë së Shën Martës (Casa Santa Marta) ashtu edhe në atë të Pallatit Apostolik.
Edhe sot në mbrëmje, në orën 20:00 do të vërtetohet vdekja e Atit të Shenjtë dhe mjekët e Vatikanit do të lexojnë shkaqet e vdekjes.
Për nesër është caktuar mbledhja e parë e Kongregatës së Kardinalëve, e cila, do të vendosë për modalitetet e transferimit të trupit të Papës në Bazilikën e Vatikanit, për të lejuar të gjithë besimtarët të bëjnë homazhe.
Transferimi i trupit mund të bëhet pasnesër, e mërkurë 23 prill 2025.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
コメント