top of page
E BARDHË SHIRIT.png

TRAGJEDIA NË DISKOTEKËN “KOÇANI PULSE” NË MAQEDONINË E VERIUT: 59 VIKTIMA; 155 TË PLAGOSUR; QEVERIA SHPALLI 7 DITË ZIE; 15 TË ARRESTUAR SI SHKAKTARË TË TRAGJEDISË.

Writer: Agjencia Telegrafike VoxAgjencia Telegrafike Vox

Shkup, Maqedonia e Veriut | Tragjedi ngjau në Maqedoninë e Veriut.

 

59 të rinj kanë humbur jetën si pasojë e djegjes nga flakët e zjarrit që përfshinë një diskotekë.

 

Ngjarja fatkeqe ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të 16 marsit 2025, në klubin e natës “Koçani Puls”.

 

Në diskotekë ishin rreth 500 të rinj, duke ndjekur një performance nga banda muzikore maqedonase “DNA”, një grup i famshëm vendas. Në mesin e viktimave janë edhe 4 anëtarë të këtij grupi.

 

Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të qeverisë maqedonase u mor vendimi për shpalljen e 7 ditëve zie në mbarë vendin.

 

Gjithashtu, u mor vendim që detyron Inspektoratin Shtetëror të Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike (klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura) në vendin dhe të njoftojë menjëherë Qeverinë për konstatimet e inspektimit në tre ditët e ardhshme, për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me kushtet.

 

Kumtohet se shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë lëndët piroteknike që janë përdorur brenda në ambientet e lokalit gjatë festës.

 

Mbi 20 persona janë të dyshuar, ndërsa 15 prej tyre janë arrestuar në lidhje me zjarrin që shpërtheu në diskotekën në Koçan.

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski informoi se në mesin e të arrestuarve ka organizatorë të ngjarjes në klubin e natës, por edhe përfaqësues institucionesh si ish-sekretari i Ministrisë së Ekonomisë dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

 

Autoritetet ende nuk kanë treguar se si është përhapur zjarri. Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me njerëz.

 

Nga 155 të plagosur, 115 prej tyre po trajtohen nëpër klinikat e vendit, 22 pacientë tashmë kanë arritur në klinikat jashtë vendit, ndërsa 6 janë në udhëtim për të arritur për shërim jashtë shtetit, ndërsa planifikohet 47 pacientë gjithsej të dërgohen jashtë shtetit.

 

Jam thyer dhe më është thyer shpirti. Do të ketë hapa dhe vendime me të cilat publiku nuk është mësuar. Por ndryshimet nisin nga ne.


Jam i vendosur dhe do të veproj me vendosmëri. Nuk dua që kjo ngjarje të politizohet, se dikush po përpiqet të bindë një palë tjetër për përgjegjësi. Kjo nuk është një betejë ndërpartiake, kjo është një betejë e të ndershmëve kundër të pandershmëve.


Në ditët në vijim do të marrim një sërë masash që do të thonë shumë, në luftën për këtë vend dhe në emër të të gjithë viktimave të kësaj tragjedie dhe familjeve të tyre”, tha kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij pas tragjedisë në Koçan.


Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page