Prishtinë, Kosovë | Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në fund të seancës së përbashkët kuvendore lexoi deklaratën e përbashkët të dalë nga seanca mes dy kuvendeve që u miratua në fund të takimit.
Kryetari Konjufca deklaroi se mospajtimet kanë qenë të pranishme gjithmonë, por, rëndësi ka uniteti dhe ecja përpara.
“Sa i përket kësaj seancë konsideroj që në çdo moment historik dhe të vështirë nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë mospajtimet kanë qenë të pranishëm dhe idetë e kundërta, mendimet e ndryshme etj.
Mendime të ndryshme kishte dhe në Lidhjen e Prizrenit kur u mbajt ajo. Studiuesit edhe historianët na i kanë sjellë ato, të gjitha kontradiktat e mundshme dhe të gjitha mospajtimet.
Mospajtime kishte dhe në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Kishte nga ata që e kundërshtonin dhe i dimë të gjitha ato dhe pastaj edhe në të gjitha fazat e rëndësishme nëpër të cilat kaloi kombi ynë”, tha kryetari Konjufca.
“Arsyeja pse qëndrojmë këtu dhe më të fuqishëm se kurrë është vetëm një arsye. Arsyeja është se nëpër çdo sfidë dhe kontradiktë nëpër të cilën kemi kaluar ka ngadhënjyer gjithmonë ai opsioni kryesor.
Dhe opsioni kryesor është opsioni i unitetit dhe opsioni i progresit, i ecjes përpara.
Dhe kjo është ajo që na ka sjellë këtu dhe na ka bërë fitimtarë në çdo udhëkryq nëpër të cilin kemi kaluar dhe kështu mendoj do të jetë gjithmonë me kombin shqiptar”, shtoi ai më tej.
Deklarata e përbashkët nis duke e vënë theksin se qëllimi i mbledhjes është koordinimi i axhendës kombëtare për realizmin e objektivave tona strategjike, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, integrimin euroatlantik të Kosovës, anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian dhe njohjen përfundimtare të Kosovës si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve si dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar për zhvillim, për demokratizim për paqe dhe për siguri në rajon dhe më gjerë.
“Të dy Kuvendet e konfirmojnë nivelin strategjik të bashkëpunimit dypalësh. Në tërësinë e marrëdhënieve që të dy vendet kanë dhe zhvillojnë ën rajon, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës e kanë reciprokisht rëndësinë parësore.
Sfidat e Kosovës janë edhe sfidat e Shqipërisë dhe sukseset e Kosovës janë edhe të Shqipërisë dhe anasjelltas.
Marrëveshja mes dy Kuvendeve, nënshkruar në shtator të vitit 2022 ka institucionalizuar bashkëpunimin tonë he i ka dhënë dhe një mbështetje të re shtytëse bashkëpunimit mes qeverive dhe institucioneve tona dhe forcimit e komunikimit ndër njerëzor dhe lidhjeve mes qytetarëve të të dyja vendeve”, thuhet në deklaratë.
“Të dy Kuvendet mbështesin dhe kërkojnë angazhim serioz për ta çuar përpara procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në bashkëpunim të ngushtë me BE-në dhe SHBA-në për ta finalizuar një marrëveshje e cila duhet të jetë një marrëveshje e njohjes së ndërsjellë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë e dënojnë sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, duke i bërë thirrje Serbisë që ta dorëzojë në Kosovë terroristin Milan Radoiçiç që qëndron pas këtij sulmi dhe të gjithë të tjerët të përfshirë, në mënyrë që ata të dalin para drejtësisë në Kosovë.
Ndërkohë i bëjmë thirrje Serbisë që të tërhiqet nga qasjet e deritashme penguese për zbardhjen e këtij akti të rëndë të agresionit ndaj Kosovës me pasoja destabilizuese dhe më gjerë.
Kishim paralajmëruar se mos ndëshkimi i sulmeve të Banjskës do ta nxiste përsëritjen e këtij sulmi, ndaj e dënojmë me forcë edhe sulmin terrorist të 29 nëntorit, i cili ndodhi në kanalin e Ibër Lepencit.
Vënia në shënjestër e infrastrukturës jetike të Republikës së Kosovës afekton në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve të Kosovës dhe është me premisa të destabilizimit rajonal. Kjo nuk destabilizon vetëm Kosovën, por të gjithë rajonin.
Ndaj të dy vendet kërkojnë me forcë zbardhjen edhe të këtij sulmi të Ibër Lepencit dhe evidentimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të frymëzuesve dhe të kryerësve të këtij krimi të rëndë.
Të dy Kuvendet u bëjnë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta ndihmojnë aktivisht hetimin për zbardhjen e këtyre sulmeve dhe të bëjnë presion mbi Serbinë për të hequr dorë nga qasja e saj penguese.
Të dy Kuvendet e konfirmojnë se bashkëpunimi me partnerët dhe aleatët tanë me BE-në dhe SHBA-në është i një rëndësie strategjike për arritjen e objektivave madhore kombëtare dhe atyre të integrimit.
Si një anëtare aktive e NATO-s, Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë rritjen dhe forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me Aleancën dhe avancimin e aspiratës së Kosovës për anëtarësim në NATO.
Kosova dhe Shqipëria e vlerësojnë dhe nxisin rolin stabilizues të shqiptarëve kudo ku ndodhen në vendet e rajonit.
Si qytetarë të shteteve të tyre ata kontribuojnë në shoqëritë përkatëse për stabilizim dhe progres dhe për nxitjen e zhvillimeve demokratike, për promovimin e stabilitetit dhe kohezionit shoqëror, zhvillimit ekonomik dhe veçanërisht avancimin e proceseve integruese evropiane dhe euroatlantike.
Të dy Kuvendet do të bashkëpunojnë ngushtë për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata jetojnë në rajon, për ta garantuar respektimin e të gjitha të drejtave të tyre në përputhje me standardet më të larta evropiane dhe kombëtare.
Të dy Kuvendet do të angazhohen për avancimin e të drejtave të gjithë qytetarëve tanë për promovimin enjë shoqërie të barabartë dhe sa më gjithëpërfshirëse.
Do të vazhdojmë të mbështesim të drejtat e pakicave, ne si dy shtete, Republika e Shqipërisë dhe e Kosovës, duke siguruar që të gjitha grupet etnike dhe komunitetet t’i gëzojnë të drejtat e garantuara me ligjet dhe Kushtetutat e të dyja vendet.
Parlamenti i Shqipërisë dhe ai ai Kosovës do të angazhohen për t’i koordinuar politikat e jashtme të të dy shteteve për t’i promovuar qëndrimet e përbashkëta në të gjitha forumet ndërkombëtare dhe për ta mbështetur njëri-tjetrin për përfaqësimin e interesave të përbashkëta në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe i Republikës së Shqipërisë në vijim të mbledhjes së parë, të datës 27 nëntor të vitit 2022 e mbajtur në Tiranë zhvilluan sot (20.12.2024) në Prishtinë mbledhjen e dytë të përbashkët.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments