top of page
E BARDHË SHIRIT.png
Writer's pictureAgjencia Telegrafike Vox

VDIQ ZHAN-MARI (JEAN-MARIE) LE PEN: ISHTE 96 VJEÇ | FIGURË HISTORIKE E EKSTREMIT TË DJATHTË DHE ANTIKOMUNIST I BETUAR | PALLATI ELIZE: AI DO TË GJYKOHET NGA HISTORIA.

Paris, francë | Për shumë francezë ai ishte “djalli i République”, për kritikuesit e tij një provokator, një bashkëpunëtor, një mohues dhe një antisemit.

 

Për ndjekësit e tij ai ishte thjesht “Le president”, për gjyqtarët që e dënuan 25 herë për ekseset e tij një recidivist i papenduar.

 

Në moshën 96-vjeçare, z. Zhan (Jean)-Marie Le Pen vdiq pas një jete të shpenzuar për të ndërtuar të djathtën e re franceze ekstreme, duke u shfaqur në pjesë nga pushtimi nazist dhe përvoja e bashkëpunimit të Vishisë (Vichy).

 

Gjatë 40 viteve, ai udhëhoqi Frontin e tij Kombëtar për të hyrë me forcë në sallonin politik që e konsideronte atë të padisponueshëm.

 

Në një logjikë tërësisht lepeniste, ai nuk ia transmetoi pushtetin në mënyrë paqësore apo vullnetare vajzës së tij Marine, e cila, e përvetësoi atë dhe më pas e përjashtoi nga partia që ai vetë e kishte bashkëthemeluar.

 

Z. Zhan Mari (Jean) Le Pen, ky ishte emri i tij në lindje, i cili më vonë u bë Zhan-Mari (Jean-Marie), ishte njeriu që i tregoi Francës - në mbrëmjen e 21 prillit 2002 - se nuk ishte vendi që mendonte se ishte.

 

Në orën 20 të mbrëmjes zgjedhore të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, kur të gjithë prisnin të shihnin fytyrat e Zhak Shirakut (Jacques Chirac), presidentit në largim, dhe Lionel Jospin-it, kryeministrit socialist në detyrë dhe sfidantit, shfaqen në TV, ekranet e miliona shtëpive franceze u mbushën nga fytyra e madhe e z. Zhan-Mari (Jean-Marie) Le Pen.

 

I dënuar nga shumë, i pakorrigjueshëm dhe i margjinalizuar nga Pallati, ai e kishte eliminuar Jospin-in dhe tani po sfidonte Shirakun për Pallatin Elize (Elysée).

 

Një tronditje për francezët, të cilët, çdo ditë për dy javët e ardhshme - para raundit të dytë - dolën në rrugë. Ishin miliona në 1 maj, në emër të Frontit Republikan, bashkimit të të gjitha partive kundër të djathtës ekstreme të Le Penit.

 

Ajo funksionoi pothuajse në mënyrë perfekte: Le Peni kishte marrë 16.86% të votave në raundin e parë, por mori vetëm 17.79% në balotazh.

 

Shiraku triumfoi me 82.21%, por plaga në Republikën e Pestë nuk u shërua kurrë. Fytyra më qetësuese e vajzës, Marine, zëvendësoi fytyrën mastifike të babait themelues.

 

Pallati Elize (Elysee), pas lajmit për vdekjen e z. Zhan-Mari (Jean-Marie) Le Pen, e cilësoi atë si një figurë historike të së djathtës ekstreme, duke ia besuar historisë gjykimin për rolin e tij në jetën publike të vendit.

 

Ai humbi babanë e tij në moshën 14 vjeç. Një ushtar gjerman okupues i njoftoi familjes vdekjen e prindit të tij pasi varka e tij e peshkimit u hodh në një minë ndërsa ishte në det.

 

Gjashtëmbëdhjetë vjeç, ai u përpoq më kot të bashkohej me trupat franceze në Indokinë, më pas u regjistrua në Universitet, ku militoi me të rinjtë e ekstremit të djathtë dhe filloi të synonte “les rouges”, komunistët e fakultetit.

 

Ai arriti të regjistrohej me parashutistët në Indokinë në vitin 1953 dhe iu afrua - pas kthimit të tij në Francë - populizmit ekstrem të Pierre Poujade.

 

Pasi u bë deputeti më i ri me Poujadistët, në moshën 27-vjeçare, me një talent të pamohueshëm si orator, ai realizoi ëndrrën e tij duke u larguar për në luftë në Algjeri, ku u dekorua, por - vite më vonë - u akuzua për tortura. “Torturova sepse duhej bërë”, ishte mbrojtja e tij.

 

Me t'u kthyer në Francë, ai dukej se braktisi jetën politike, por u dënua për faljen e krimeve (naziste) të luftës në vitin 1971.

 

Me z. Alain Robert ai krijoi Frontin Kombëtar, i cili, lindi si një parti motër me Lëvizjen Sociale Italiane, duke adoptuar simbolin e tij të flakës trengjyrëshe.

 

Zgjedhjet e para ishin një dështim (vetëm 1.32%, pastaj rezultat poshtërues prej 0.74% në zgjedhjet presidenciale të vitit 1974) por aftësia dërrmuese e z. Le Pen si tribunë, në atë kohë me fashë mbi njërin sy (i plagosur ndërsa po ngrinte një tendë për parti), u shfaq me forcë.

 

Rritja elektorale në vitet 1980: 35 deputetë të Frontit Kombëtar në vitin 1984 të izoluar nga një kordon sanitar, ndërsa z. Le Pen theksoi tonet e tij raciste dhe mohuese.

 

Unë nuk i mohoj krematoriumet, por ato ishin një detaj i historisë”, tha ai në vitin 1987, një nga deklaratat e tij më të ashpra, që i dha atij më shumë se një dënim në gjykatë.

 

Në vitet 1990 ai predikoi pabarazinë e racave dhe e shpalli pushtimin nazist në Francë jo veçanërisht çnjerëzor.

 

Serge Moati, një gazetar i njohur në Francë që e ndoqi për 25 vjet, shkroi se Zhan-Mari (Jean-Marie) Le Pen thellë brenda, nuk donte kurrë të qeveriste.

 

Kryeministri Fronsua Bairu (Francois Bayrou) komentoi se përtej përplasjeve politike, z. Le Pen ishte një personalitet në jetën politike franceze.

 

Për presidentin e Kuvendit Kombëtar, Jordan Bardella, z. Le Pen i ka shërbyer gjithmonë Francës, duke mbrojtur identitetin dhe sovranitetin e saj, në ushtrinë franceze në Indokinë dhe Algjeri, ose si një tribunë e popullit.

 

Sot mendoj me pikëllim për familjen e tij, për të dashurit e tij dhe sigurisht për Marinin, zia e të cilit duhet respektuar”, shtoi Bardella.

 

E bija, Marine Le Pen mësoi lajmin e vdekjes së babait të saj gjatë udhëtimit të kthimit nga Meiota (Mayotte) - një arkipelag francez në Oqeanin Indian ku ajo ishte për disa ditë vizitë - gjatë një ndalese në Kenia, kur ndezui celularin dhe kur lexoi një lajm të agjencisë se lajmeve “AFP”.

 

Sipas Bfm TV, kryetarja e Rassemblement National ka lexuar lajmin gjatë ndalimit teknik në Nairobi të aeroplanit me të cilin po udhëtonte me bashkëpunëtorët e saj.

 

Ne gazetarët - tha një reporter i BfFM TV - i kthyem telefonat tanë celularë dhe pamë lajmin e AFP-së për vdekjen e Jean-Marie Le Pen.


Ne pyetëm oficeren e shtypit të Marine Le Pen nëse ajo mund të konfirmonte informacionin, por ai nuk e bëri këtë.


Më pas ai u ngrit dhe shkoi te Marine Le Pen për të njoftuar vdekjen e babait të saj”.

 

Sërish sipas Bfm TV, më pas vajza e themeluesit të Frontit Kombëtar, paraardhëse e tij Rassemblement National, u izolua duke u zhvendosur në disa ndenjëse në pjesën e përparme të avionit për të folur në celular me familjen e saj.

 

Pranë saj ishte, ndër të tjera, z. Louis Aliot, kryebashkiak i Rn i Perpignan dhe shoqëruesi i znj. Marine Le Pen për 10 vjet (nga 2009 deri në 2019).

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit


Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page