VLADIMIR PUTINI PO PËRGATITET TË SULMOJË BRITANINË E MADHE.
- Erton Duka
- Apr 20, 2023
- 4 min read

Shqipëroi: z. Erton Duka.
Nga: z. Bob Seely* . *Deputet për Isle of Wight dhe pjesë e Komitetit të Punëve të Jashtme, i pajisur me doktoraturë në strategjinë ushtarake ruse.
Një anije ruse spiune, mes raporteve se ato po monitorojnë potencialisht turbinat e erës në det të hapur, tubacionet e gazit dhe kabllot e energjisë.
Për një kohë të gjatë ishin vetëm spekulime.
Tani e dimë me siguri: anijet ruse të spiunazhit po hartëzojnë fermat e erës dhe kabllot kyçe në brigjet britanike.
Mund të ketë vetëm një arsye për këtë - të mësojnë se si të sabotojnë infrastrukturën kritike të Mbretërisë së Bashkuar dhe evropiane në rast të një lufte në shkallë të plotë me Perëndimin.
E vërteta kthjelluese është se kundërshtarët tanë të mundshëm, Rusia në Perëndim dhe Kina në Lindje, po përgatiten për një konflikt më të gjerë.
Kjo nuk do të thotë se konflikti do të ndodhë – përgatitja e bën atë më pak të mundshm – por ne duhet të njohim urgjentisht shkallën e kërcënimit ndaj rendit aktual. Bota jonë po bëhet dukshëm më e rrezikshme. Dhe Britania nuk është gati.
Përgjigja jonë kolektive gjatë 15 viteve të fundit ishte ajo e mohimit, e lyer dhe e frymëzuar nga paratë dhe ndikimi rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Bashkim Europian.
Lufta në Ukrainë na hapi sytë – vetëm këtë javë Sekretari i Zyrës së Kabinetit Oliver Dowden dha një paralajmërim të paprecedentë për kërcënimet kibernetike ndaj infrastrukturës sonë kombëtare; edhe Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace ka qenë vazhdimisht i fortë – por ne mund të bëjmë shumë më tepër.
Disa nga aleatët tanë më të afërt, si Polonia, po riarmatosen në tokë me një shpejtësi të paprecedentë. Nëse do të ndodhte më e keqja, ata do të jenë gati të mbrojnë tokën europiane.
Por aleanca e NATO-s mbetet e ekspozuar rrezikshëm në det. Rusia po heton për dobësitë europiane. Përveç ushqimit, kërkesat kritike ditore të shoqërisë moderne janë energjia dhe komunikimi.
Arteriet nënujore të qytetërimit modern janë çuditërisht të pakta. Për shembull, vetëm tre tubacione japin 43 për qind të furnizimit tonë bazë me gaz.
Pesë ndërlidhës furnizojnë energji elektrike në dhe nga Mbretëria e Bashkuar e nga Evropa (dhe një tjetër midis Britanisë dhe Irlandës).
Ka më shumë kabllo komunikimi, rreth 70 gjithsej, por një numër relativisht i vogël i operacioneve të sabotimit në det të thellë mund të ndalojë botën tonë pa u gjuajtur asnjë e shtënë.
Ne ishim të siguruar se fermat me erë do të forconin sigurinë tonë energjetike, por pak e konsideruan ekspozimin e tyre ushtarak.
Për dy dekada, Putini ka hedhur bazat për një luftë jokonvencionale. Mendimi aktual ushtarak rus e sheh konfliktin si kombinim i mjeteve ushtarake dhe joushtarake të pushtetit shtetëror - bashkimi i gjithçkaje - në një tërësi të pandërprerë për t'i shërbyer qëllimeve të Kremlinit.
Është një formë e luftës totale, duke përdorur gjithçka, nga kultura në kibernetike e deri te konflikti konvencional. Ai pasqyron besimin se, sipas kreut të Forcave të Armatosura të Rusisë, vetë rregullat e luftës kanë ndryshuar.
Ka qenë e qartë prej vitesh se si grupet zyrtare ruse ashtu edhe ato të paligjshme veprojnë nën kontrollin e Kremlinit. Rusia ka përdorur prej kohësh krimin e organizuar për të bërë punën e saj të pistë, dhe me rritjen globale të grupit mercenary Uagner (Wagner), armët jozyrtare të shtetit rus vetëm do të rriten.

Comments