VOTIMI I 26 MARSIT TË VITIT 2000 KURORËZOI PUTININ SI CAR | NJË ÇEREK SHEKULLI AUTORITARIZËM.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Mar 25
- 3 min read

Moskë, Federata Ruse | Kanë kaluar 25 vjet që nga 26 marsi i vitit 2000, kur z. Vladimir Putin u zgjodh për herë të parë si kreu i Kremlinit.
Një çerek shekulli që ka parë Rusinë të ndryshojë rrënjësisht, nën një lëvizje autoritare, që tani i ka shndërruar zgjedhjet presidenciale ruse në një ngjarje të regjimit për të forcuar kontrollin e saj mbi vendin.
Zgjedhjet e vitit 2024 në fakt ishin të njollosur nga akuzat për mashtrim, nga një votim i errët elektronik dhe nga fakti që qendrat e votimit ishin të hapura edhe në rajonet ukrainase të pushtuara nga trupat ruse.
Zgjedhjet i fitoi zyrtarisht z. Putin me pothuajse 90% të votave.
Në një Rusi ku të gjithë kundërshtarët kryesorë janë në mërgim ose padrejtësisht pas hekurave.
Ose ata kanë vdekur, si z. Aleksei Navalni (Aleksey Navalny) dhe z. Boris Nemtsov.
Një Rusi ku të flasësh kundër luftës së z. Putin në Ukrainë mund t'ju kushtojë deri në 15 vjet burg.
Kur fitoi zgjedhjet e vitit 2000, z. Putin ishte tashmë ushtrues detyre i presidentit.
Në fakt, ai kishte qenë kryeministër për katër muaj kur më 31 dhjetor 1999, z. Jelcin dha dorëheqjen në një fjalim të papritur në televizion, duke i lënë atij çelësat e Kremlinit.
Më parë, ish-oficeri i KGB-së kishte qenë shef i inteligjencës për tetë muaj dhe sekretar i Këshillit të Sigurimit për pesë.
Në këtë çerek shekulli të z. Putin në pushtet, ka pasur lufta e dytë çeçene, masakrat e tmerrshme në teatrin Dubrovka në Moskë dhe shkollën në Beslan-it.
Në vitin 2006, gazetarja Anna Politkovskaia (Politkovskaya) dhe ish-oficeri i inteligjencës ruse Alexander Litvinenko, të cilët, ishin bërë zëra kritik kundër Kremlinit, u vranë.
Ndërkohë, z. Putin po konsolidon gjithnjë e më shumë kontrollin e tij mbi masmedian dhe po forcon shtypjen.
Në vitin 2003, manjati i naftës Mikhail Kodorkovski (Khodorkovsky), i parë si një sfidues i mundshëm i z. Putin u arrestua me akuzat e mashtrimit dhe të evazionit fiskal që shumë besonin se ishin të motivuara qartë politikisht.
Në vitin 2008, në fund të mandatit të tij të dytë radhazi presidencial, z. Putin u detyrua nga Kushtetuta të mos kërkonte rizgjedhje.
Ai u bë kryeministër, por selia presidenciale i kaloi një prej mbështetësve të tij më besnikë, z. Dmitri Medvedev.
Z. Putin u kthye në Kremlin në vitin 2012 dhe që atëherë ka forcuar pozicionin e tij duke ndryshuar Kushtetutën për të zgjatur mandatin presidencial nga 4 në 6 vjet.
Më pas ai anuloi efektivisht për vete dhe vetëm për vete kufirin e dy mandateve radhazi, duke rezervuar mundësinë për të kandiduar sërish në vitin 2024 dhe sërish në vitin 2030.
Represioni vazhdon.
Ndërsa në nivel ndërkombëtar, marrëdhëniet me Perëndimin po bëheshin gjithnjë e më të tensionuara, të paktën derisa presidenti Tramp (Trump) u këthye në Shtëpinë e Bardhë.
Pas kryengritjes së Maidanit në Ukrainë, e cila detyroi presidentin pro-rus Viktor Janukoviç të arratisej, në vitin 2014 Rusia aneksoi ilegalisht Krimenë përmes ndërhyrjes së armatosur dhe një referendumi të diskutueshëm.
Menjëherë pas kësaj, shpërtheu lufta në Donbass, në Ukrainën lindore, ku Moska u akuzua për mbështetje të militantëve separatistë.
Në vitin 2022, trupat ruse nisën një agresion ushtarak në shkallë të gjerë që po shkatërron Ukrainën dhe në të cilin dhjetëra mijëra njerëz kanë humbur jetën.
Dy vjet më vonë, rivali numër një i tij, z. Aleksi Navalni (Alexey Navalny), vdiq në burg në rrethana të paqarta.
Një vdekje pas së cilës duket hija e Kremlinit dhe për të cilën opozita ruse drejton gishtin drejt regjimit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Kommentare