WHATSAPP VJEN ME NDRYSHIMIN E RI: PËRDORUESIT NUK DO TË SHOHIN MË NUMRA POR EMRA.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jan 5, 2024
- 2 min read
Uashington, Amerikë | Deri më tani, WhatsApp lidhte përdoruesit duke përdorur numrin e tyre të telefonit, ose një kod QR, që përdoruesit mund ta skanonin, për t’u lidhur dhe për të dërguar mesazhe me njëri-tjetrin.
Megjithatë, WhatsApp është duke punuar për një tjetër opsion, që do të rriste sigurinë e përdoruesve, por, edhe do ta bënte më të lehtë gjetjen dhe lidhjen e tyre.
WAbetaInfo, i cili, raporton rregullisht për opsionet e reja dhe të ardhshme në WhatsApp, po punon në zhvillimin e emrave të përdoruesve, që përdoruesit do të përdornin në vend të numrave të telefonit.
Më saktësisht, sipas të dhënave të disponueshme aktualisht, gjatë shkëmbimit të mesazheve, përdoruesit nuk do të mund të shohin numrat e telefonit të njëri-tjetrit, por emrat.
Pasi përdoruesit të zgjedhin emrin e tyre unik të përdoruesit, ata do të jenë në gjendje ta ndajnë atë me përdoruesit e tjerë, pa zbuluar informacione të tjera personale. Pasi të zgjidhet një emër përdoruesi, ai nuk do të jetë i përhershëm, por përdoruesit mund ta ndryshojnë atë në çdo kohë.
Përveç kësaj, WhatsApp po zhvillon aftësinë për të kërkuar përdoruesit me emrin e tyre, gjë që duhet ta bëjë më të lehtë gjetjen e përdoruesve.
Për momentin, ky opsion është në zhvillim për versionet në ueb dhe Android të aplikacionit, por, do të jetë i disponueshëm edhe për përdoruesit e iOS.
Ajo që nuk dihet është se kur do të mund të përfshihej zyrtarisht ky opsion në aplikacion, por duke gjykuar nga njoftimet e mëparshme, mund të ndodhë pas disa javësh apo muajsh.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments