top of page
E BARDHË SHIRIT.png

ÇFARË ËSHTË HAMASI?

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Oct 19, 2023
  • 10 min read

Nga z. Kali Robinson. Uashington, Amerikë | Grupi militant palestinez ka luftuar për të qeverisur Gazën, dhe mbetet i përkushtuar për t'i rezistuar dhunshëm Izraelit. Sulmi i saj i befasishëm kundër Izraelit në vitin 2023 kërcënon një zjarr më të gjerë në Lindjen e Mesme.


PREZANTIMI.

Hamasi është një lëvizje militante islamike, dhe një nga dy partitë kryesore politike të territoreve palestineze.


Ai qeveris më shumë se dy milionë palestinezë në Rripin e Gazës, por, grupi është më i njohur për rezistencën e tij të armatosur ndaj Izraelit.


Në muajin tetor 2023, Hamasi nisi një sulm masiv të befasishëm në Izraelin jugor, duke vrarë qindra civilë, dhe ushtarë, dhe duke marrë dhjetëra të tjerë si pengje.


Izraeli i ka shpallur luftë grupit si kundërpërgjigje dhe ka treguar se ushtria e tij po planifikon një fushatë të gjatë për ta mposhtur atë.


Dhjetra vende e kanë cilësuar Hamasin një organizatë terroriste, megjithëse, disa e përdorin këtë emërtim vetëm për krahun e tij ushtarak.


Irani i ofron mbështetje materiale, dhe financiare, dhe Turqia thuhet se ka disa nga udhëheqësit e saj të lartë.


Partia rivale e saj, Fatah, e cila dominon Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO), dhe sundon në Bregun Perëndimor, ka hequr dorë nga dhuna.


Ndarja në udhëheqjen palestineze dhe armiqësia e palëkundur e Hamasit ndaj Izraelit kanë pakësuar perspektivat për stabilitet në Gaza.


CILA ËSHTË ORIGJINA E TIJ?

Hamasi, një akronim për Harakat al-Muqawama al-Islamiya (Lëvizja e Rezistencës Islame), u themelua nga Sheikh Ahmed Yassin, një klerik palestinez, i cili, u bë një aktivist në degët lokale të Vëllazërisë Myslimane, pasi ia kushtoi jetën e tij të hershme studimeve islame në Kajro.


Duke filluar nga fundi i viteve 1960, Jasini (Yassin) predikoi dhe kryente punë bamirësie në Bregun Perëndimor dhe Gaza, të cilat, Izraeli i pushtoi pas Luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967.


Një hartë e Izraelit dhe territoreve palestineze nxjerr në pah Gazën, Bregun Perëndimor, Lartësitë e Golanit dhe disa qytete të mëdha.


Jasini (Yassin) themeloi Hamasin si krahun politik të Vëllazërisë në Gaza në muajin dhjetor, të vitit 1987, pas shpërthimit të intifadës së parë, një kryengritje palestineze kundër pushtimit izraelit të Bregut Perëndimor, Gazës, dhe Jerusalemit Lindor.


Në atë kohë, qëllimi i Hamasit ishte të kundërshtonte Xhihadin Islamik Palestinez (PIJ), një organizatë tjetër, angazhimi i së cilës për t'i rezistuar dhunshëm Izraelit kërcënonte të tërhiqte mbështetjen e palestinezëve nga Vëllazëria.


Në vitin 1988, Hamasi publikoi statutin e tij, duke bërë thirrje për shkatërrimin e Izraelit, dhe krijimin e një shoqërie islame në Palestinën historike.


Në atë që vëzhguesit e quajtën një përpjekje për të moderuar imazhin e tij, Hamasi prezantoi një dokument të ri në vitin 2017, që pranonte një shtet të përkohshëm palestinez, përgjatë kufirit të “Vijës së Gjelbër”, të krijuar përpara Luftës Gjashtë-ditore, por, që ende refuzonte të njihte Izraelin.


Hamasi përdori për herë të parë sulm vetëvrasës në muajin prill, të vitit 1993, pesë muaj përpara se udhëheqësi i PLO-së, Jaser Arafat (Yasser Arafat) dhe kryeministri izraelit Jitzhak Rabin (Yitzhak Rabin) të nënshkruanin Marrëveshjen e Oslos.


Pakti historik krijoi një vetëqeverisje të kufizuar për pjesë të Bregut Perëndimor dhe Gazës, nën një entitet të sapokrijuar të quajtur Autoriteti Palestinez (PA).


Hamasi dënoi marrëveshjet, si dhe njohjen e njëri-tjetrit nga UÇP dhe Izraeli, për të cilin, Arafati dhe Rabini ranë dakord zyrtarisht në letrat e dërguara disa ditë përpara Oslos.


Në vitin 1997, Shtetet e Bashkuara e cilësuan Hamasin një organizatë të huaj terroriste.


Lëvizja vazhdoi të kryesonte rezistencën e dhunshme gjatë intifadës së dytë, në fillim të viteve 2000, megjithëse Xhihadi Islamik Palestinez dhe milicia Tanzim e Fatahut, ishin gjithashtu përgjegjës për dhunën kundër izraelitëve.


KUSH JANË DREJTUESIT E SAJ.

Hamasi ka një mori organesh udhëheqëse që kryejnë funksione të ndryshme politike, ushtarake dhe sociale.


Politika e përgjithshme përcaktohet nga një organ gjithëpërfshirës konsultativ, i quajtur shpesh Byroja Politike, e cila, vepron në mërgim.


Komitetet lokale menaxhojnë çështjet bazë në Gaza dhe Bregun Perëndimor.


Tabela që përshkruan udhëheqjen dhe strukturën e Hamasit.


Ismail Haniyeh aktualisht shërben si shef politik, duke zëvendësuar liderin e gjatë Khaled Meshaal në vitin 2017.


Haniyeh ka operuar nga Doha, Katar, që nga viti 2020, thuhet se Egjipti kufizon lëvizjen e tij brenda dhe jashtë Gazës.


Udhëheqësit e Hamasit vendosën një prani në Katar pasi u grindën me nikoqirin e tyre të mëparshëm, Sirinë, kur refugjatët palestinezë morën pjesë në kryengritjen e vitit 2011 që i parapriu Luftës Civile Siriane.


Disa figura të larta të Hamasit thuhet se veprojnë jashtë zyrave të grupit në Turqi.


Çështjet e përditshme në Gaza mbikëqyren nga Yahya Sinwar, i cili, më parë drejtoi krahun ushtarak të Hamasit, dhe shërbeu njëzet e dy vjet në një burg izraelit, për organizimin e rrëmbimit dhe vrasjes së dy ushtarëve izraelitë.


Ai ishte ndër më shumë se një mijë të burgosurit palestinezë të liruar në vitin 2011, në këmbim të një ushtari izraelit të mbajtur nga Hamasi.


Që nga muaji qershor, i viti 2021, kryeministri de fakto i Gazës është Issam al-Da'alis.


Marwan Issa dhe Mohammed Deif komandojnë krahun ushtarak të Hamasit, Brigadat Izz ad-Din al-Qassam.


Forcat izraelite vranë themeluesin e milicisë, Salah Shehadeh, në një sulm ajror, në vitin 2002.


Pesëmbëdhjetë civilë u vranë në sulm, duke fokusuar kontrollin izraelit, dhe ndërkombëtar në taktika të tilla. Forcat izraelite vranë Yassin, themeluesin e Hamasit, në vitin 2004.


Saleh al-Arouri thuhet se kryeson degën e Hamasit në Liban. Ai gjithashtu mori drejtimin e grupit në Bregun Perëndimor pas zgjedhjeve të brendshme që përfunduan në vitin 2021, ndërsa Meshaal u zgjodh për të udhëhequr zyrën e diasporës dhe Salameh Katawi u zgjodh për të menaxhuar punët e anëtarëve të burgosur të Hamasit.


SI FINANCOHET HAMASI?

Si një entitet i caktuar terrorist, Hamasit i është ndërprerë ndihma zyrtare që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian (BE) i ofrojnë Ushtrisë për Çlirimin e Palestinës në Bregun Perëndimor.


Historikisht, emigrantët palestinezë dhe donatorët privatë në Gjirin Persik siguruan pjesën më të madhe të financimit të lëvizjes.


Përveç kësaj, disa organizata bamirëse islamike në Perëndim kanë kanalizuar para për grupet e shërbimeve sociale të mbështetura nga Hamasi, duke nxitur ngrirjen e aseteve nga Thesari i SHBA-së.


Situata ekonomike e Gazës ishte tashmë e rëndë para sulmit të Hamasit në vitin 2023 ndaj Izraelit, dhe lufta që pasoi është pothuajse e sigurt se do të përkeqësojë varfërinë ekstreme të banorëve të saj.


Egjipti dhe Izraeli mbyllën kryesisht kufijtë e tyre me të në 2006-07, duke kufizuar lëvizjen e mallrave dhe njerëzve brenda dhe jashtë territorit.


Të dy vendet mbajnë një bllokadë sot, duke shkëputur territorin nga pjesa më e madhe e botës, dhe duke detyruar më shumë se një milion palestinezë të Gazës të mbështeten në ndihmën ndërkombëtare.


Izraeli e ka lejuar Katarin të sigurojë qindra miliona dollarë ndihmë përmes Hamasit.


Ndihma të tjera të huaja në përgjithësi arrin në Gaza nëpërmjet agjencive të AP dhe OKB-së.


Për vite pas fillimit të bllokadës, Hamasi mblidhte të ardhura duke taksuar mallrat që lëviznin përmes një rrjeti të sofistikuar tunelesh që shmangnin kalimin egjiptian në Gaza; kjo solli në territor produkte kryesore si ushqime, ilaçe dhe gaz të lirë për prodhimin e energjisë elektrike, si dhe materiale ndërtimi, para në dorë dhe armë.


Pasi presidenti egjiptian Abdel Fatah al-Sisi mori pushtetin në vitin 2013, Kajro u bë armiqësore ndaj Hamasit, të cilin e pa si një zgjatim të rivalit të tij kryesor të brendshëm, Vëllazërisë Myslimane.


Ushtria egjiptiane mbylli shumicën e tuneleve që depërtonin territorin e saj ndërsa zhvilloi një fushatë kundër terrorizmit, kundër një dege të Shtetit Islamik, të vetëshpallur në anën e saj të kufirit, në Gadishullin Sinai.


Egjipti filloi të lejojë disa mallra komerciale të hyjnë në Gaza përmes kalimit të tij kufitar Salah al-Din në vitin 2018.


Që nga viti 2021, Hamasi thuhet se ka mbledhur mbi 12 milionë dollarë në muaj nga taksat mbi mallrat egjiptiane të importuara në Gaza.


Sot, Irani është një nga përfituesit më të mëdhenj të Hamasit, duke kontribuar me fonde, armë dhe trajnime.


Megjithëse Irani dhe Hamasi për pak kohë u kundërshtuan pasi mbështetën palët kundërshtare në luftën civile të Sirisë, Irani aktualisht ofron rreth 100 milionë dollarë në vit për Hamasin, Xhihadin Islamik Palestinez, dhe grupet e tjera palestineze të përcaktuara si organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara.


Irani ishte i shpejtë për të lavdëruar sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, në fund të vitit 2023, dhe premtoi mbështetjen e tij të vazhdueshme për grupin palestinez.


Turqia ka qenë një tjetër mbështetëse e fortë e Hamasit - dhe një kritike e Izraelit - pas ardhjes në pushtet të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan në vitin 2002.


Megjithëse Ankaraja këmbëngul se e mbështet Hamasin vetëm politikisht, ajo është akuzuar për financimin e terrorizmit të Hamasit, duke përfshirë ndihmën e devijuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.


SI E QEVERIS HAMASI GAZËN?

Hamasi ka qenë autoriteti de facto në Gaza qysh pasi Izraeli u tërhoq nga territori në vitin 2005.


Vitin pasues, Hamasi fitoi shumicën e vendeve në legjislaturën e Autoritetit Palestinez dhe formoi një qeveri.


Ajo fitoi vota për shërbimet sociale që ofronte dhe si një refuzim i Fatahut aktual, të cilin, shumë votues e perceptuan si të korruptuar në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Plaestinës, dhe që u kishte dhënë pak palestinezëve përmes negociatave të tij me Izraelin.


Rezultati ishte i papranueshëm për Fatahun dhe mbështetësit e tij perëndimorë, dhe partia e rrëzoi Hamasin nga pushteti në Bregun Perëndimor.


Në Gaza, Hamasi shkatërroi milicitë e Fatahut në një javë luftimesh, duke rezultuar në një përçarje politike midis dy territoreve palestineze.


Palestinezët nuk kanë votuar për një legjislaturë që nga viti 2006, as për një president që nga viti 2008.


Ndërsa Hamasi mori përsipër mbetjet e institucioneve të Autoritetit Palestinez në Rripin e Gazës, krijoi një gjyqësor dhe vendosi institucione autoritare.


Teorikisht, Hamasi qeveris në përputhje me Ligjin Bazë Palestinez të bazuar në sheriat, ashtu si edhe Autoritetin Palestinez; por në përgjithësi ka qenë më kufizuese sesa kërkon ligji, duke përfshirë kontrollin e veshjes së grave, dhe zbatimin e ndarjes gjinore në publik, gjatë viteve të para të sundimit të tij.


Grupi mbikëqyrës “Freedom House” zbuloi në vitin 2020 se qeveria e kontrolluar nga Hamasi nuk ka mekanizma efektivë ose të pavarur për të siguruar transparencë në financimin, prokurimet ose operacionet e saj.


Hamasi gjithashtu shtyp median e Gazës, aktivizmin civil në mediat sociale, opozitën politike dhe organizatat joqeveritare (OJQ), duke e lënë atë pa mekanizma për përgjegjësi.


SI E SHOHIN PALESTINEZËT HAMASIN?

Bifurkacioni politik i Bregut Perëndimor dhe Gazës është gjerësisht jopopullor: një sondazh i muajit qershor, i viti 2023 nga Qendra Palestineze për Kërkimin e Politikave dhe Anketave (PCPSR) tregoi se një e treta e palestinezëve e konsiderojnë atë si zhvillimin më të dëmshëm për popullin e tyre që nga viti krijimi i shtetit të Izraelit në 1948.


I njëjti sondazh zbuloi se më shumë se gjysma e palestinezëve në Gaza dhe Bregun Perëndimor, do të votonin për Haniyeh të Hamasit në vend të Presidentit të Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas në zgjedhjet presidenciale, ndërsa vetëm një e treta e palestinezëve do të zgjidhte Abbasin.


Për më tepër, Abbas-i ka shtyrë për një kohë të pacaktuar zgjedhjet kombëtare të planifikuara për vitin 2021, duke përmendur refuzimin e pretenduar të Izraelit për të lejuar palestinezët në Jerusalemin Lindor të votojnë, megjithëse, vëzhguesit dyshojnë se Abbas-i synon të parandalojë një fitore të mundshme të Hamasit.


SI E KA SFIDUAR HAMASI IZRAELIN?

Hamasi ka gjuajtur raketa dhe mortaja drejt Izraelit, që kur grupi pushtoi Rripin e Gazës, në mesin e viteve 2000.


Zyrtarët iranianë të sigurisë kanë thënë se Teherani siguroi disa nga këto armë, por se Hamasi fitoi aftësinë për të ndërtuar raketat e veta, pas stërvitjes me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (KGRI), dhe përfaqësuesit e tij.


Në vitet e fundit, Izraeli vlerësoi se Hamasi dhe grupet e tjera militante palestineze në Gaza kishin rreth tridhjetë mijë raketa dhe mortaja në arsenalin e tyre.


Militantët e Hamasit kanë fluturuar me balona me mjete ndezëse drejt Izraelit, të cilat, ndonjëherë kanë shkaktuar zjarre. Grupi gjithashtu ka kryer inkursione në territorin izraelit, duke vrarë dhe rrëmbyer ushtarë dhe civilë.


Para konfliktit të vitit 2023, Hamasi dhe Izraeli kishin luftimet e tyre më vdekjeprurëse në vite në vitin 2021, kur Hamasi hodhi raketa në Izrael, pas javëve të tensioneve midis palestinezëve dhe izraelitëve në Jerusalem.


Disa analistë thonë se Hamasi donte të forconte reputacionin e tij si mbrojtës i kauzës palestineze, pasi Autoriteti Palestinez shtyu zgjedhjet e vitit 2021.


Gjatë konfliktit njëmbëdhjetëditor, Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez hodhën më shumë se katër mijë raketa nga Gaza, duke vrarë dhjetë civilë izraelitë, dhe duke plagosur më shumë se treqind të tjerë.


Hamasi thuhet se ishte koordinuar me (KGRI), dhe Hezbollahun e Libanit gjatë luftimeve, dhe përdori të ashtuquajturat drone vetëvrasëse, së bashku me arsenalin e tij të zakonshëm të raketave më pak të sakta.


Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti ndërmjetësuan një armëpushim për konfliktin.


SI ËSHTË I NDRYSHËM SULMI NDAJ IZRAELIT NË VITIN 2023?

Sulmi i Hamasit në jug të Izraelit këtë vit, të cilin udhëheqësit e grupit e kanë quajtur “Operacioni Al-Aksa Storm”, ishte i jashtëzakonshëm në strategjinë, shkallën dhe fshehtësinë e tij, thonë analistët.


Filloi herët në mëngjes më 7 tetor 2023, gjatë sabatit hebre, një festë rëndësishme hebraike, me Hamasin që lëshoi ​​disa mijëra raketa në Izraelin jugor dhe qendror, duke goditur qytete deri në veri deri në Tel Aviv.


Militantët e Hamasit shkelën gjithashtu kufirin e fortifikuar të Gazës, dhe depërtuan në shumë qytete dhe fshatra izraelite jugore, duke vrarë qindra trupa dhe civilë izraelitë, dhe duke plagosur dhe rrëmbyer shumë të tjerë.


Udhëheqësi ushtarak i Hamasit, Mohammed Deif, tha se grupi ndërmori sulmin e tij për shkak të bllokadës së gjatë të Izraelit të Gazës, okupimit të tokave palestineze, dhe krimeve të supozuara kundër muslimanëve, duke përfshirë përdhosjen e xhamisë Al-Aksa në Jerusalem.


Ky është sulmi më vdekjeprurës në tokën izraelite në dekada, dhe ka shkaktuar një traumë të thellë psikologjike mbi popullin izraelit, me disa analistë që bëjnë krahasime me sulmet befasuese të Pearl Harbor dhe me 11 shtator e vitit 2001, në Shtetet e Bashkuara.


Agjencitë e inteligjencës izraelite dhe amerikane thuhet se nuk kishin indikacione se Hamasi po planifikonte një sulm të kësaj natyre.


Është krejtësisht e paprecedentë që një organizatë terroriste të ketë kapacitetin ose mjetet për të kryer sulme të koordinuara, të njëkohshme nga ajri, deti dhe toka”, shkruan Brus Hafmën (Bruce Hoffman), anëtar i lartë i Këshillit për Marrdhëniet me Jashtë (CFR).


Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit, dhe ka kundërshtuar me intensifikimin e sulmeve ajrore ndaj objektivave në Gaza, dhe operacionet tokësore për të larguar militantët e grupit jashtë vendit.


Qeveria ka urdhëruar evakuimin e të gjithë civilëve nga komunitetet izraelite në kufi me Gazën.


Kryeministri Benjamin Netanjahu ka paralajmëruar për një luftë të gjatë dhe të vështirë kundër Hamasit, dhe përgjigja ushtarake e Izraelit pritet të jetë e jashtëzakonshme, nëse jo e paprecedentë.


Disa vëzhgues po pyesin nëse Izraeli do të tentojë një pushtim të plotë, dhe riokupim të territorit palestinez, një fushatë që mund të shkaktojë viktima të rënda nga të dyja palët.


Izraeli kishte kryer operacione të shumta ushtarake kundër Hamasit që nga marrja e tij në 2007, dy vjet pasi Izraeli u tërhoq nga Gaza. Por këto ishin kryesisht nga ajri. Dhe edhe kur trupat izraelite u vendosën, ato nuk qëndruan kurrë për shumë kohë”, shkruan anëtari i lartë i Këshillit për Marrdhëniet me Jashtë (CFR), Maks But (Max Boot), për gazetën amerikane Uashington Post (Washington Post).


Një pushtim izraelit i Gazës mund të provokojë gjithashtu një sulm të rëndësishëm kundër Izraelit nga Hezbollahu, grupi militant i mbështetur nga Irani në Liban, duke rrezikuar një zjarr më të gjerë në rajon, thonë analistët.


Irani është sigurisht, një mbrojtës i Hezbollahut, si dhe i Hamasit, dhe grupeve të tjera militante palestineze, dhe ekziston një rrezik gjithnjë i pranishëm i një konflikti me dy fronte, i cili, do të shkatërronte pjesë të Izraelit, dhe një pjesë të madhe të Libanit, ku Hezbollahu është i bazuar. Ekziston rreziku i përshkallëzimit”, thotë anëtari i lartë i Këshillit për Marrdhëniet me Jashtë (CFR), Stivn A. Kuk (Steven A. Cook).


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit


コメント

5つ星のうち0と評価されています。
まだ評価がありません

評価を追加
bottom of page